Ministria e Financave

E nderuar zonja Kryetare!
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë!
Projektligji që paraqitet sot për shqyrtim vjen për një qëllim specifik, që është heqja e neneve që lidhen me koncesionarin dhe koncensionin e pullave të akcizës nga ligji për akcizën.
Duke qenë se ky koncesion përfundon në 31 dhjetor të këtij viti dhe do të kalojë në administrim shtetëror, janë bërë ndryshimet e nevojshme që, si koncesionari, ashtu edhe procedurat që lidhen me të, të hiqen, ose të riformulohen në ligj.
Tashmë theksohet që pullat fiskale janë monopol shtetëror dhe Këshilli i Ministrave do të përcaktojë një person juridik publik të autorizuar për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, si dhe elementët e sigurisë së tyre, e një sërë nenesh të tjera me të njëjtin qëllim.
Në dhjetor të vitit të kaluar pranë Ministrisë së Financave, është ngritur një grup i gjerë pune, përfshirë edhe Avokaturën e Shtetit, për të menaxhuar procesin e daljes. Është përcaktuar një menaxher daljeje dhe një bord për menaxhimin e këtij procesi, i cili përfundon në 31 dhjetor të këtij viti.
Nga analiza e akteve ligjore ka lindur e nevojshme të ndryshohet edhe ligji i akcizave për të hequr koncesionarin dhe procedurat e koncesionarit nga ligji. Do të jetë Shtypshkronja e Letrave me Vlerë personi juridik publik në pronësi të shtetit, i cili do të realizojë këtë shërbim në të ardhmen, që e ka pasur të drejtën ligjore për ofrimin e shërbimit përpara se të jepej me koncesion.
Synimi ynë është që në momentin që ky shërbim kalon në menaxhim shtetëror të ofrohen tarifa më të ulëta se ato që aplikohen nga koncesionari, çka besojmë do të jetë lehtësi për komunitetin e biznesit dhe qytetarët.
Në të njëjtën kohë në gusht të këtij viti, pra muajin tjetër, përfundon koncesioni i markimit të karburanteve dhe shërbimi kalon tek Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në momentin që ky koncesion do të përfundojë, në kemi vendosur që tarifa e aplikuar nga koncesionari do të hiqet. Kostot e vazhdimit të shërbimit do të përballohen nga buxheti i shtetit.
Besoj që të dyja këto janë nisma që shkojnë në përfitim të bizneseve dhe qytetarëve në terma të uljes së tarifave dhe vecanërisht për ndryshomet që kemi sot për heqjen e koncensionarit nga ligji i akcizave dhe dispozitat që lidhen me të ju ftoj që ta miratoni!
Faleminderit!