Ministria e Financave

Ministri i Financave, Petrit Malaj, paraqiti sot në seancë plenare Projektbuxhetin 2027 dhe paketën fiskale që e shoqëron atë, për shqyrtim dhe miratim në parim.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj theksoi se projektbuxheti 2027 parashikon mbi 10 miliardë euro shpenzime publike të parashikuara, duke vendosur në qendër qytetarin, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.
Përmes Projektbuxhetit 2027 rritet mbështetja financiare në të gjithë sektorët prioritarë, sigurohet më shumë fonde për mbrojtjen sociale, investime në arsim dhe shëndetësi, si dhe mbështetje më e madhe për bujqësinë, mbrojtjen dhe sigurinë.
Njëkohësisht, projektbuxheti 2027 synon të ruajë financat publike të shëndetshme, të vijojë uljen e borxhit publik dhe të garantojë qëndrueshmërinë e parametrave kryesorë ekonomikë dhe fiskalë të vendit.
Sa i takon Paketës Fiskale 2027, Ministri theksoi se ajo synon një shpërndarje më të drejtë të barrës fiskale, lehtësimin e individëve me të ardhura të ulëta dhe shtresës së mesme, si dhe përmirësimin e efikasitetit të sistemit tatimor. Ndryshimet e propozuara mbështeten në parimet e rishpërndarjes së të ardhurave, barazisë fiskale dhe eficiencës së sistemit tatimor.
Ministri theksoi se Projektbuxheti dhe Paketa Fiskale 2027 përfaqësojnë jo vetëm dokumentet kryesore financiare të shtetit, por edhe një shprehje të qartë të prioriteteve të qeverisjes dhe vizionit për zhvillimin e vendit.
Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:
Vijmë sot përpara jush për të paraqitur për diskutim dhe miratim në parim Projektbuxhetin 2027 dhe Paketën Fiskale, që e shoqëron atë.
Ky është një buxhet historik, me mbi 10 miliardë euro shpenzime publike të parashikuara.
Mbështetja financiare rritet në të gjithë sektorët që kanë rëndësi për qytetarët: më shumë fonde për mbrojtjen sociale, më shumë investime në arsim dhe shëndetësi, si dhe mbështetje më të madhe për bujqësinë, mbrojtjen & sigurinë.
E gjithë kjo bëhet duke ruajtur financat publike të shëndetshme, duke vijuar uljen e borxhit publik dhe duke garantuar qëndrueshmërinë e parametrave kryesorë ekonomikë dhe fiskalë të vendit.
Projektbuxheti 2027 është shumë më tepër sesa dokumenti financiar më i rëndësishëm i shtetit. Ai është zgjedhja politike dhe një shprehje e qartë e prioriteteve të qeverisjes.
Përmes tij kemi përcaktuar se si do të shpërndahen fondet publike, cilat nevoja do të marrin përparësi, cilët sektorë do të mbështeten dhe, mbi të gjitha, çfarë Shqipërie duam të ndërtojmë.
Ndaj ky projektbuxhet qëndron mbi tri shtylla të forta:

  1. Mirëqenie sociale dhe mbrojtje për qytetarët;
  2. Stabilitet fiskal dhe financa publike të qëndrueshme;
  3. Investime, reforma dhe integrim evropian

Projektbuxheti 2027 vjen në një moment të rëndësishëm për vendin. Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit ekonomik dhe institucional. Procesi i integrimit europian po përparon me shpejtësi, teksa jemi duke u afruar kilometrave të fundit.
Kjo e bën edhe më të madhe përgjegjësinë tonë për të ndërtuar politika publike, që jo vetëm i përgjigjen nevojave të sotme, por përgatisin ekonominë dhe institucionet për Shqipërinë 2030, drejt Bashkimit Europian.
Qëllimi ynë nuk është vetëm të ruajmë stabilitetin ekonomik dhe financiar të arritur deir tani, por ta kthejmë atë në më shumë mirëqenie, më shumë mundësi për sipërmarrjen, më shumë vende pune, shërbime publike më cilësore dhe siguri më të madhe sociale për qytetarët tanë.
Treguesit e ekonomisë shqiptare dëshmojnë qartazi një ecuri pozitive, gjë që na ka mundësuar ne, si qeveri, të ndërmarrim masa konkrete në dobi të qytetarëve shqiptarë.
Ekonomia parashikohet të rritet me rreth 4%, në linjë me ecurinë e qëndrueshme të aktivitetit ekonomik dhe me kontributin pozitiv të sektorëve kryesorë.
Papunësia në tremujorin e dytë zbriti në 8.3%, niveli më i ulët historik, ndërsa pjesëmarrja në forcat e punës ka arritur në 76.3%.
Paga mesatare ka arritur në 967 euro ose 9.8% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit 2025.
Inflacioni mesatar për janar – shtator 2026 llogaritet në 2.9%, pra brenda kufijve të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë dhe ndjeshëm më i ulët se sa niveli mesatar në Ballkanin Perëndimor dhe në të njëtin nivel me Bashkimin Europian.
Investimet e Huaja Direkte në gjysmën e parë të vitit 2026 u rritën me 50.8%, duke shënuar vlerën 1.1 miliardë euro. Ato vijojnë rritjen e qëndrueshme dhe janë të orientuara gjithnjë e më shumë drejt sektorëve me vlerë të shtuar, duke nxitur rritjen ekonomike, punësimin dhe rritjen e produktivitetit.
Po kaq i rëndësishëm është edhe fakti se kjo ecuri ekonomike është shoqëruar me ruajtjen e disiplinës fiskale dhe forcimin e qëndrueshmërisë së financave publike.
Në vitin 2025, u arrit një balancë primare pozitive prej 0.3% të PBB-së, ndërsa Borxhi Publik zbriti në 52.9% të PBB-së, niveli më i ulët që prej vitit 2008.
Edhe në vitin 2027, do të vijojmë rrugën e konsolidimit fiskal, me një deficit prej vetëm 2.3% të PBB-së, duke ruajtur balancë primare neutrale dhe duke zbritur borxhin publik në 52.4% të PBB-së.
Pozitat e qëndrueshme e ekonomisë shqiptare dhe aftësia e saj për të përballuar presionet e jashtme janë vlerësuar vetëm pak kohë më parë edhe nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Moody’s, e cila përmirësoi perspektivën e Shqipërisë në “pozitive” dhe konfirmon vlerësimin “Ba3”, një dëshmi e qartë e qëndrueshmërisë së politikave tona financiare, por edhe e besimit në rritje nga ana e investitorëve të huaj.
Ky është themeli mbi të cilin kemi ndërtuar buxhetin e vitit të ardhshëm. Një ekonomi që rritet, financa publike që forcohen dhe një shtet që ka më shumë mundësi për të investuar te qytetarët, te zhvillimi i qëndrueshëm dhe te e ardhmja europiane e Shqipërisë.
Sa i takon të ardhurave buxhetore për vitin 2027 ato parashikohen në masën 907.9 miliardë lekë (rreth 9.4 miliardë euro) ose sa 30.9% e PBB-së.
Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për vitin 2027 janë projektuar mbi bazën e analizës së realizimit të pritshëm të vitit 2026, ecurisë historike të të ardhurave dhe parashikimeve makroekonomike, duke marrë në konsideratë ndikimin e rritjes ekonomike, inflacionit, politikave të reja fiskale dhe buxhetore, efekteve të politikave të mëparshme, si dhe të ardhurave shtesë të pritshme nga zbatimi i masave të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.
Projeksionet e të ardhurave tatimore, doganore dhe të kontributeve parashikojnë që në vitin 2027 të ardhurat totale të arrijnë në rreth 793.8 miliardë lekë, ose 56 miliardë lekë më shumë krahasuar me të ardhurat e pritshme të vitit 2026, duke përfaqësuar një rritje prej 7.6%.
Burimet kryesore të kësaj rritjeje vijnë si rezultat i rritjes ekonomike, zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, si dhe nga masat e reja të paketës fiskale.
Të nderuar deputetë,
Më lejoni të vijoj tani me prezantimin e Projektbuxhetit 2027, i cili përfaqëson një tjetër hap konkret në përmbushjen e angazhimit tonë politik për më shumë mirëqenie për qytetarët, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe realizimin e vizionit strategjik të Shqipërisë 2030, si një vend anëtar i Bashkimit Europian.
Padyshim, Mbrojtja Sociale zë vendin kryesor në Projektbuxhetin 2027.
Për vitin 2027, financimi për mbrojtjen sociale arrin në 279,7 miliardë lekë  (ose 2.8 miliardë euro), ose rreth 30% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. 1 në çdo 3 lekë të buxhetit të shtetit do të shkojë drejtpërdrejt për mbështetjen e qytetarëve, të cilët kanë më shumë nevojë: për pensionistët, për fëmijët dhe familjet e reja.
Kryefjala jonë është mbështetja për moshën e tretë. Ata duhet të jenë ndër përfituesit e parë të rritjes ekonomike dhe forcimit të financave publike.
Për Pensionet, konkretisht, parashikohet:

  • Indeksimi i pensioneve në prill 2027, me një fond shtesë të parashikuar prej rreth 1,35 miliardë lekësh. Në total kjo politikë i kushton buxhetit të shtetit 4 miliardë lekë.
  • Dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, duke filluar nga 1 janari 2027, me një kosto totale të parashikuar për buxhetin e shtetit prej 20 miliardë lekësh në vit.

Këto masa nuk synojnë vetëm të kompensojnë ndikimin e inflacionit. Ato synojnë të sigurojnë që përfitimet e zhvillimit ekonomik të ndahen në mënyrë më të drejtë me ata qytetarë që kanë dhënë një kontribut të vyer për zhvillimin e vendit.
Në të njëjtën filozofi, buxheti forcon edhe mbrojtjen sociale për fëmijët, familjet dhe kategoritë më në nevojë.
Ndër masat më kryesore mund të përmendim:

  • Vijimin e politikës për dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara (10,240 fëmijë), si dhe njohja e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre (14,645 përfitues), një politikë me kosto vjetore prej 3.3 mld lekë.
  • Ndryshimin e skemës së “Bonusit të Bebeve”, por këtë herë përmes mbështetjes mujore deri në moshën 5 vjeç, ku vlera rritet progresivisht për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë. Kjo politikë nuk është vetëm një politikë sociale është një masë që synon të adresojë sfidën demografike.
  • Mbështetje për 5,600 studentë, që vijnë nga familjet në nevojë, duke ju rritur pagesën mujore nga 10,000 në 25,000 lekë.
  • Më shumë mbështetje buxhetore për strehimin social dhe strehimin e përballueshëm ( me rreth 1,3 miliardë lekë/ vit), për subvencionimin e kredive dhe mbështetjen e çifteve të reja dhe familjeve me të ardhura të ulëta.
  • Do të vijojmë me kompensimin nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në 48.000 lekë për familjet me fëmijë nën 18 vjeç.

Të gjitha këto masa shprehin drejtimin social të Projektbuxhetit 2027:  më shumë mbështetje për pensionistët, më shumë përkujdesje për familjet dhe më shumë mbrojtje për qytetarët që kanë më shumë nevojë.
Paralelisht, buxheti parashikon financime në rritje edhe për sektorët prioritarë.
Arsimi është një investim i drejtpërdrejtë për të ardhmen e vendit. Për këtë arsye, Projektbuxheti 2027 parashikon që shpenzimet e këtij sektori të arrijnë në 93,7 miliardë lekë, me një rritje prej 3.8 miliardë lekësh krahasuar me nivelin e mëparshëm të financimit.
Politikat kryesore që do të financohen janë:

  • Shërbimimi i transportit shkollor falas për rreth 35–38 mijë nxënës për fëmijët parashkollorë dhe për rreth 12 mijë mësues;
  • Sigurimi i teksteve shkollore falas për rreth 217 mijë nxënës të arsimit 9 – vjeçar, ku për nxënësit e klasave I-V ofrohen çdo vit tekste të reja pa pagesë;
  • Ofrimi i bursave financiare dhe/ose kuotave ushqimore me mbulim të plotë për rreth 4,000 nxënës me nevoja të veçanta;
  • Zgjerimi i të programit “Pas Shkollës” ( After School) në rang kombëtar, duke mundësuar që fëmijët të qëndrojnë pas shkolle deri në orën 17:00.
  • Financimi i ndërtimit dhe rehabilitimit të 100 shkollave në arsimin bazë dhe të mesëm të përgjithshëm.
  • Financim shtesë për kërkimin shkencor ( +100 milionë lekë).

Përmes këtyre investimeve ne synojmë të përmirësojmë kushtet e mësimdhënies, të zgjerojmë mundësitë për nxënësit dhe të forcojmë lidhjen mes arsimit, dijes dhe zhvillimit të vendit.
Shëndetësia mbetet një tjetër prioritet i rëndësishëm i financimit publik, me synimin për të përmirësuar aksesin në shërbime dhe për të garantuar mbështetje më të mirë për pacientët.
Për vitin 2027, shpenzimet për sektorin parashikohen në 87.2 miliardë lekë, me një rritje prej 6 miliardë lekësh .
Ndër politikat kryesore që do të financohen janë:

  • Trajtimi me recetë rimbursimi mesatarisht 400 mijë pacientëve në vit;
  • Vizita të detyrueshme për 28 mijë fëmijë të moshës 0-1 vjeç;
  • Rimbursimi i fishave të diabetit për 67 mijë përfitues;
  • Financimi i ndërtimit dhe rehabilitimit të më shumë se 20 spitaleve në vend; (Spitali rajonal Korçë, Pogradec, Lushnje, Mat, Dibër, Gjirokastër, etj).

Këto fonde synojnë të përmirësojnë ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe të mbështesin qytetarët përmes furnizimit me barna, pajisjeve mjekësore dhe investimeve në infrastrukturën spitalore.
Siguria dhe rendi mbeten gjithashtu pjesë e rëndësishme e prioriteteve tona. Për këtë arsye, Projektbuxheti 2027 siguron fondet e nevojshme për forcimin e këtyre sektorëve, si dhe mbështetje shtesë për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Financimi parashikohet në masën 36.7 miliardë lekë , ku

  • 3,3 miliardë lekë shtesë për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit. Përfitojnë 8,500 punonjës, me gradën inspektor, të cilëve u rritet paga bazë me 20,000 lekë. Kategoritë e tjera përfitojnë shtesë page nga 10,000 lekë deri në 15,000 lekë në varësi të gradave.

Krahas forcimit të kapaciteteve institucionale, rritja e pagave është pjesë e angazhimit për të mbështetur punonjësit që kontribuojnë çdo ditë në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Bujqësia mbetet një sektor i rëndësishëm për ekonominë dhe zhvillimin e zonave rurale.
Buxheti për bujqësinë parashikohet në 17,9 miliardë lekë, me 1,1 miliardë lekë financim shtesë krahasuar me vitin 2026.
Përmes politikave që do të zbatojmë ne synojmë rritje të numrit të përfituesve. Kemi parashikuar për 2027 rreth 43,660 fermerë përfitues, numër i cili do të rritet edhe më tej në periudhën afatmesme.
Ndër masat kryesore mund të përmendim:

  • Vijimin e kompensimit të TVSH-së me 10% për fermerët, me një fond vjetor prej 3 miliardë lekësh.
  • Skema e mbështetjes direkte të fermerëve parashikohet me rritje në masën 5.3 miliardë lekë.
  • 400 milionë lekë shtesë për përmirësimin e sistemeve të ujitjes dhe kullimit.

Shpenzimet për Infrastrukturën dhe Energjinë do të zënë 2.5% të PBB-së, me një fond total 75,4 miliardë lekë.
Ndër politikat kryesore mund të përmendim:

  • Infrastrukturën rrugore, si : aksin Elbasan-Lekaj, bypass-in e Elbasanit, zgjerimin e Tiranë-Durrës, Tiranë-Ndroq-Plepa, etj.
  • Ndërtimin e rrjetit për Ujësjellës & Kanalizime në : Bashkinë Mat , Memaliaj, Sarandë , Fier, Lezhë, Shkodër dhe Velipojë; Rikostruksion i linjave ekzistuese të ujësjellësit të Kukësit, etj. Ndërtim Depo Uji në Bashkinë Tiranë.
  • Hekurudhën Tiranë-Durrës/Rinas, Hekurudhën Vorë-Hani i Hotit, Hekurudha Durrës-Rrogozhinë;

Për Mbrojtjen do të vijojmë të financojmë modernizimin e Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në NATO .
Për vitin 2027, parashikohet që shpenzimet buxhtore për Ministrinë e Mbrojtjes të arrijnë në 76,7 miliardë lekë ose 2.61% e PBB-së, me një rritje të financimit me 7 miliardë lekë.
Vetëm për Core Defense, pra për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit që mbështesin angazhimet tona në kuadër të NATO-s, shpenzimet do të arrijnë në nivelin 2.35% të PBB-së.
Një tjetër element i rëndësishëm i këtij buxheti janë Investimet Publike.
Për vitin 2027, ato parashikohen në 200.3 miliardë lekë, ose 6.9% e PBB-së, duke mbështetur projekte të rëndësishme në infrastrukturë, shërbime publike dhe zhvillim ekonomik.
Kjo qasje do të vijojë edhe në periudhën 2027–2029, ku investimet publike synohet të mbeten mesatarisht në nivelin 6.6% të PBB-së në çdo vit buxhetor, duke përfshirë edhe investimet e reja publike që potencialisht do të mundësohen në kuadër të Planit të Ri të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili synon nxitjen e një rritje potenciale më të lartë dhe konvergjencë më të shpejtë me ekonomitë e BE-së.
Dëshiroj të ndalem shkurtimisht edhe te shpenzimet për Buxhetin vendor 2027, të cilat do arrijnë në 114,6 miliardë ose me rritje 17% krahasuar me vitin 2026.
58.6 miliardë lekë do të vijnë si të ardhura nga vetë financat vendore,
56 miliardë lekë vjen si mbështetje nga buxheti i shtetit nëpërmjet formës së transfertës së pakushtëzuar dhe transfertës sektoriale.
Të nderuar deputetë,
Dua të ndalem pak te Paketa Fiskale 2027.
Kjo Paketë Fiskale përbëhet nga 5 projekligje dhe më konkretisht:

  1. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920,  datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”
  2. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.03.2023, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”,
  3. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”
  4. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
  5. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”.

Paketa Fiskale që sjellim sot synon të lehtësojë barrën për individët me të ardhura të ulëta dhe shtresën e mesme, duke mbrojtur fuqinë e tyre blerëse, duke garantuar një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave, si dhe duke vendosur një barazi fiskale.
Paketa Fiskale 2027 parashikon disa ndryshime që janë :

  • Rritja e normës së tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%;
  • Rishikimi i strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, duke lehtësuar shtresën e mesme dhe duke forcuar progresivitetin për të ata që kanë të ardhura më të larta;
  • Aplikimin e normës së reduktuar 6% për 54 produkte të shportës bazë;
  • Rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%
  • Uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë;
  • Zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburantet tek taksa vjetore e automjetit;
  • vijimin e kalendarit të rritjes së akcizave për produktet e duhanit dhe përafrimin me direktivat e Bashkimit Europian.

Ndryshimet e propozuara do të jenë me efekt neutral, pasi parimi mbi të cilin bazohet kjo Pakete Fiskale është rishpërndarja e të ardhurave, duke siguruar mbrojtjen e kategorive më në nevojë dhe shtresës së mesme.
Ndaj, Paketa Fiskale është konceptuar mbi tre parime kryesore:

  • Rishpërndarja e të ardhurave
  • Barazia fiskale;
  • Përmirësimi i efikasitetit të sistemit tatimor;

Në këtë kuadër janë propozuar ndryshime në: tatimin mbi dividendin, tatimin mbi të ardhurat personale,  TVSH-në, vijimin e kalendarit të harmonizimit të akcizave me kërkesë të BE, si dhe zhvendosjen e takës së qarkullimit nga karburanti te taksat vjetore të mjeteve.
Të nderuar deputetë,
Të gjitha masat që ne propozojmë përmes Paketës Fiskale nuk janë kundër biznesit, e aq me pak kundër qytetarëve shqiptarë.
Përkundrazi, janë masa që shkojnë në favor të një ekonomie më të balancuar dhe më të drejtë.
Ky projektbuxhet dhe kjo paketë fiskale mbështeten mbi një parim të thjeshtë: drejtësia sociale dhe qëndrueshmëria fiskale nuk janë kundërshtare të njëra-tjetrës.
Përkundrazi, ato janë kushtet që e bëjnë zhvillimin ekonomik të vendit më të qëndrueshëm.
Prandaj, ndërsa vazhdojmë të ulim borxhin publik, rrisim investimet.
Ndërsa forcojmë financat publike, ne po rrisim mbështetjen sociale.
Ndërsa ecim drejt Europës, krijojmë më shumë mundësi për qytetarët tanë.
Ky është vizioni që përfaqëson Projektbuxheti dhe Paketa Fiskale 2027.
Për këto arsye, ju ftoj të mbështesim në parim Projektbuxhetin dhe Paketën Fiskale 2027.