Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat Projektbuxhetin 2027, i cili parashikon për herë të parë mbi 10 miliardë euro shpenzime publike.
Gjatë fjalës së tij, ministri Malaj paraqiti një panoramë të ecurisë ekonomike dhe treguesve kryesorë fiskalë, të cilët kanë shërbyer si bazë për hartimin e dokumentit themelor financiar të shtetit.
Ministri theksoi se Projektbuxheti 2027 orienton financimin drejt rritjes së mbështetjes për pensionistët dhe familjet, përmirësimit të shërbimeve publike dhe shtimit të investimeve në sektorët kyç të ekonomisë.

Po ashtu, z. Malaj prezantoi masat kryesore të Paketës Fiskale 2027, duke nënvizuar se parimi mbi të cilin është hartuar ajo është rishpërndarja e të ardhurave, me synim mbrojtjen e kategorive më në nevojë dhe mbështetjen e shtresës së mesme.
Fjala e Ministrit Petrit Malaj në Komisionin e Ekonomisë, Punësimin dhe Financat:
Projektligji i buxhetit të vitit 2027 që prezanojmë sot për para jush është hartuar si një dokument që synon t’i përgjigjet angazhimeve tona në kuadër të Programit Buxhetor Afatmesëm 2027-2029.
Për herë të parë, ne sjellim një buxhet që tejkalon vlerën 10 miliardë euro shpenzime publike të parashikuara përgjatë vitit 2027.
Ndaj, buxheti 2027 është një buxhet tejet ambicioz dhe me një shpërndarje të ardhurash në sektorë prioritarë, ku matet drejtpërdrejt përgjegjësia e shtetit dhe nga të cilat qytetarët presin rezultate të matshme.
Projekbuxheti ka 3 prioritete themelore, që përcaktojnë drejtimin e zhvillimit të vendit:

  1. Mirëqenie sociale dhe mbështetje për qytetarët;
  2. Stabilitet fiskal dhe financa publike të qëndrueshme;
  3. Investime, reforma dhe integrimi në BE.

Përpara sesa të vijoj me prezantimin e këtij dokumenti themelor, më lejoni të  bëj një panoramë të shkurtër të treguesve makroekonomikë, që demostrojnë fondamentet e forta të ekonomisë sonë dhe mbi të cilat ne jemi bazuar për të hartuar këtë projektligj.


Rritja ekonomike, gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, ishte 3.6% në terma vjetorë, duke pasqyruar rritje pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë. Rritja përgjatë kësaj periudhe është gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, nga konsumi privat, nga investimet, si dhe nga ecuria e mirë e eksporteve të shërbimeve, në veçanti turizmi, i cili vijon të jetë një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare.
Për vitin 2026 ne parashikojmë një rritje reale prej 4.0%, në linjë me ecurinë e qëndrueshme të aktivitetit ekonomik dhe me kontributin pozitiv të sektorëve kryesorë.
Shkalla e papunësisë në tremujorin e dytë të vitit shënoi normën 8.3% dhe ndërkohë pjesëmarrja në forcat e punës është rritur më tej, duke arritur në 76.3%. Këta tregues dëshmojnë se ekonomia po krijon më shumë mundësi punësimi dhe po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për fuqinë punëtore.
Paga mesatare në rang vendi, në tremujorin e dytë të këtij viti, ka arritur në në 967 euro ose 9.8% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2025.
Inflacioni mesatar për periudhën janar – shtator llogaritet në 2.9%, pra brenda kufijve të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, ndjeshëm më i ulët se niveli mesatar në Ballkanin Perëndimor, i cili varion në një messtare prej 4.1% dhe ky nivel inflacioni, pra inflacioni  Shqipëria është pothuajse në të njëjtat nivele me inflacionin në BE.
Investimet e Huaja Direkte në gjysmën e parë të vitit 2026 u rritën me 50.8%, duke shënuar vlerën e 1.1 miliardë euro. Më lejoni që tju kujtoj që në vitin 2025 totali i investimeve të huaja direkte në Shqipëri ishte vetëm 1.6 miliardë euro. Pra, këto rritje në investimet e huaja direkte janë të qëndrueshme, janë të orientuara gjithnjë e më shumë drejt sektorëve me vlerë të shtuar, duke nxitur rritje ekonomike, punësim dhe rritje të produktivitetit në vend.
Në tërësi, këto rezultate dëshmojnë se Shqipëria po ecën me ritme të qëndrueshme drejt forcimit të stabilitetit ekonomik dhe fiskal, duke siguruar një klimë më të favorshme për investimet e huaja, si dhe duke afruar ekonominë me standardet e Bashkimit Evropian.
Financat publike padiskutim mbeten shtylla kryesore e këtij stabiliteti, përmes menaxhimit të disiplinuar dhe borxhit publik në ulje të vazhdueshme. Në vitin 2025, u arrit një balancë primare pozitive prej 0.3% të PBB-së, ndërsa Borxhi Publik zbriti në 52.9% të PBB-së, niveli më i ulët që prej vitit 2008.
Edhe në vitin 2027, do të vijojmë rrugën e konsolidimit fiskal, me një deficit prej vetëm 2.3% të PBB-së, duke ruajtur një balancë primare neutrale dhe duke zbritur borxhin publik në 52.4% të PBB-së.
Pozitat e qëndrueshme e ekonomisë shqiptare dhe aftësia e saj për të përballuar presionet e jashtme janë vlerësuar edhe nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit, siç ishte edhe vlerësimi i bërë një muaj më parë nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Moody’s, e cila përmirësoi perspektivën e Shqipërisë në “pozitive” dhe konfirmon vlerësimin “Ba3”, një dëshmi e qartë e qëndrueshmërisë së politikave tona financiare, por edhe e besimit në rritje nga ana e investitorëve të huaj.
Sa i takon të ardhurave, të ardhurat buxhetore për vitin 2027 parashikohen në masën 907.9 miliardë lekë (rreth 9.4 miliardë euro) ose sa 30.9% e PBB-së. Ndërsa për vitin 2026, deri në fund të tij, të ardhurat buxhetore parashikohen me rreth 843.1 miliardë lekë ose 30.2% e PBB-së.
Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për vitin 2027 janë projektuar mbi bazën e analizës së realizimit të pritshëm të vitit 2026, ecurisë historike të të ardhurave dhe parashikimeve makroekonomike, duke marrë në konsideratë ndikimin e rritjes ekonomike, inflacionit, politikave të reja fiskale dhe buxhetore, efektet e politikave të mëparshme, si dhe të ardhurave shtesë të pritshme nga zbatimi i masave të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.
Projeksionet e të ardhurave tatimore, doganore dhe të kontributeve parashikojnë që në vitin 2027 të ardhurat totale të arrijnë në total rreth 793.8 miliardë lekë, ose 56 miliardë lekë më shumë krahasuar me të ardhurat e pritshme të vitit 2026, duke përfaqësuar një rritje prej 7.6%.
Burimet kryesore të kësaj rritjeje vijnë si rezultat i rritjes ekonomike të vendit, ndikimit të inflacionit, masave të reja të paketës fiskale dhe nga zbatimi i Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.
Të nderuar anëtarë,
Më lejoni tani të vijoj me prezantimin e Projekbuxhetit 2027, për të cilin dëshiroj të shprehem që në krye të herës se është rrjedhojë e angazhimit konstant të qeverisë për më shumë mirëqenie dhe në përmbushje të vizionit të Shqipërisë 2030, në Bashkimin Europian.
Një nga prioritetet kryesore të qeverisë do të vijojë të jetë mbështetja për moshën e tretë.
Pensionet zënë një vend të veçantë në prioritetet e buxhetit, përmes masave që synojnë të rrisin mbështetjen financiare për pensionistët dhe të përmirësojnë të ardhurat e tyre.
Konkretisht, parashikohet:

  • Afrimi i Indeksimit të pensioneve në prill 2027, me një fond shtesë të parashikuar prej rreth 1,35 miliardë lekësh. Pra në total, indeksimin e pensioneve, plus afrimin në kohë të këtij indeksimi, i kushton buxhetit të shtetit rreth 4 miliardë lekë ose 40 milionë euro.
  • Dyfishimi i vlerës së bonusit mujor për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, duke filluar nga 1 janari 2027, me një kosto totale të parashikuar prej 20 miliardë lekësh për këtë politikë.

Pra, në total, politika për pensionet për vitin 2027 është 24 miliardë lekë ose rreth 250 milionë,
Krahas pensioneve, buxheti forcon edhe politikat e mbrojtjes sociale, me fokus te fëmijët, familjet dhe kategoritë që kanë më shumë nevojë.
Synimi ynë është që mbështetja publike të jetë më e drejtpërdrejtë dhe të ndihmojë në përballimin e nevojave të përditshme.
Ndër masat kryesore mund të përmendim:

  • Dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe njohja e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre. Është në politikë që e kemi filluar në korrik të këtij viti dhe që do të vijojë edhe më tej, dhe e planifikojmë edhe për periudhën afatmesme 2027-2029.
  • Vijimin i bonusit të bebeve, por këtë herë përmes mbështetjes mujore deri në moshën 5 vjeç, ku vlera do të rritet progresivisht për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë.
  • Rreth 1,3 miliardë lekë në vit për strehimin social dhe strehimin e përballueshëm.
  • Do të vijojë kompensimi nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në 48.000 lekë për familjet me fëmijë nën 18 vjeç.

Këto masa shprehin drejtimin social të Projektbuxhetit 2027: mbështetje më e madhe për pensionistët, më shumë kujdes për familjet dhe mbrojtje për qytetarët që kanë më shumë nevojë.
Paralelisht, buxheti do të vijojë të financojë sektorët prioritarë, duke ruajtur ekuilibrin ndërmjet përmirësimit të mirëqenies së jetesës dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Për periudhën 2027-2029, shpenzimet kapitale (pra, investimet publike) do të targetohen të jenë mesatarisht rreth 6.6% e PBB-së në çdo vit buxhetor, duke përfshirë edhe investimet e reja publike që potencialisht do të mundësohen në kuadër të Planit të Ri të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili synon nxitjen e një rritje potenciale më të lartë dhe konvergjencë më të shpejtë me ekonomitë e BE-së.
Për vitin 2027, Investimet publike do të përfaqësojnë 6.9% të PBB-së ose  201.5 miliardë lekë, mbi 2 miliardë euro, për infrastrukturën, shërbimet publike dhe projektet që mbështesin zhvillimin ekonomik.
Për sa i takon sektorëve prioritarë:
Mbrojtja sociale zë një vend kyç në Projektbuxhetin 2027. Përmes këtij buxheti, rrisim mbështetjen për pensionistët, forcojmë politikat për fëmijët dhe familjet dhe vijojmë të mbështesim qytetarët që kanë më shumë nevojë.
Për vitin 2027, financimi për mbrojtjen sociale arrin në 279,7 miliardë lekë, ose rreth 30% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.
Arsimi do të vijojë të jetë një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e vendit. Për këtë arsye, Projektbuxheti 2027 parashikon që shpenzimet e këtij sektori të arrijnë në 93,6 miliardë lekë.
Prioritetet kryesore që do të financohen janë:

  • 1.1 miliardë lekë shtesë për rritjen e bursave për studentët nga familjet në nevojë.
  • 400 milionë lekë shtesë për përmirësimin e infrastrukturës së arsimit bazë.
  • 500 milionë lekë do të investohen për programin “Pas Shkollës” (After School), duke mundësuar zgjatjen e orarit për fëmijët që qëndrojnë pas shkolle deri në orën 17:00.
  • 100 milionë lekë shtesë për kërkimin shkencor.

Përmes këtyre investimeve ne synojmë të përmirësojmë kushtet e mësimëdhënies, të zgjerojmë mundësitë për nxënësit dhe të forcojmë lidhjen mes arsimit, dijes dhe zhvillimit të vendit.
Shëndetësia mbetet një tjetër prioritet i rëndësishëm i financimit publik, me synimin për të përmirësuar aksesin në shërbime dhe për të garantuar mbështetje më të mirë për pacientët.
Për vitin 2027, shpenzimet për sektorin e shëndetësisë parashikohen në 87.2 miliardë lekë, dhe nëse do të bënim një krahasim me buxhetin fillestar të vitit 2026, kemi një rritje prej 6 miliardë lekësh .
Masat kryesore përfshijnë:

  • 1 miliard lekë financim shtesë për barnat dhe pajisjet mjekësore, në mbështetje të shërbimeve spitalore dhe kujdesit shëndetësor parësor e dytësor.
  • Trajtimin me receta të rimbursueshme për 400 mijë pacientë.
  • Rehabilitimin dhe ndërtimin e 20 spitaleve në vend.

Këto fonde synojnë të përmirësojnë ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe të mbështesin qytetarët përmes furnizimit me barna, pajisjeve mjekësore dhe investimeve në infrastrukturën spitalore.
Siguria dhe rendi mbeten pjesë e rëndësishme e prioriteteve të kësaj qeverie.
Për këtë qëllim, buxheti parashikon financimin e nevojshëm për këta sektorë, si dhe mbështetje shtesë për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Financimi për sigurinë dhe rendin parashikohet 36.7 miliardë lekë , ku

  • 3,3 miliardë lekë shtesë shkojnë për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit. Do të përfitojnë 8,500 punonjës të cilët kanë kategorinë inspektor, ku paga e tyre bazë do të rritet me 20,000 lekë. Kategoritë e tjera, pra kategoritë më të larta brenda radhëve dhe brenda piramidës së policisë do të përfitojnë një pagë shtesë nga 10,000 lekë deri në 15,000 lekë, në varësi të gradave që ata kanë.

Krahas forcimit të kapaciteteve institucionale për sigurinë dhe rendin, rritja e pagave është pjesë e angazhimit për të mbështetur punonjësit që kontribuojnë çdo ditë në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Bujqësia vijon të mbetet një sektor i rëndësishëm si për ekonominë e vendit, ashtu edhe për zhvillimin e zonave rurale.
Buxheti për bujqësinë parashikohet në 17,9 miliardë lekë, me 1,1 miliardë lekë financim shtesë nga buxheti i shtetit.
Përmes politikave që do të zbatojmë ne synojmë rritje të numrit të përfituesve. Kemi parashikuar për 2027 rreth 43,660 përfitues, numër i cili do të rritet edhe më tej në periudhën afatmesme.
Ndër masat më kryesore për këtë sektor mund të përmend:

  • Vijimin e kompensimit të TVSH-së me 10% për fermerët, një politikë që ka rezultuar shumë e suksesshme, kur për vitin 2027 kemi parashikuar një fond vjetor prej 3 miliardë lekësh apo mbi 30 milionë euro.
  • Skema e mbështetjes direkte të fermerëve parashikohet me rritje dhe në total kjo skemë shkon në masën 5.3 miliardë lekë.
  • 400 milionë lekë shtesë për përmirësimin e sistemeve të ujitjes dhe kullimit.

Shpenzimet për Infrastrukturën dhe Energjinë, ato do të zënë 2.5% të PBB-së me një fond total prej 75,4 miliardë lekë, ku ndër politikat kryesore mund të përmendim:

  • Ndërtimi i rrjeteve për Ujësjellës & Kanalizime në disa bashki të vendit: Bashkinë Mat , Memaliaj, Sarandë , Fier, Lezhë, Shkodër dhe Velipojë; Rikostruksion i linjave ekzistuese, ku mund të përmend Kukësin, Tiranë, e kështu me radhë.
  • Aksi Elbasan-Lekaj, bypass-i i Elbasanit, Elbasan-Qafë Thanë, zgjerimi Tiranë-Durrës, Tiranë-Ndroq-Plepa dhe bypass-i i Tiranës.

Për Mbrojtjen do të vijojmë të financojmë modernizimin e Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në NATO.
Për vitin 2027, parashikohet që buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes të kapi vlerën e 76,7 miliardë lekë, me 7 miliardë lekë financim shtesë, në mënyrë që të përmbushim angazhimin tonë ku shpenzimet e mbrojtjes për vitin 2027 të kapin nivelin e 2,35% të PBB-së.
Këto investime synojnë të forcojnë kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe të mbështesin angazhimet tona në kuadër të Aleancës.
Shpenzimet për Buxhetin vendor 2027 do arrijnë në 114,6 miliardë ose me rritje prej 17% krahasuar me vitin 2026. Nga këto, 58.6 miliardë lekë do të vijnë si të ardhura nga vetë financat vendore, ndërkohë që  56 miliardë lekë, pra gati gjysma e të ardhurave totale, vjen si mbështetje nga buxheti i shtetit nëpërmjet formës së transfertës së pakushtëzuar dhe transfertës sektoriale.
Të nderuar anëtarë,
Paralelisht me Buxhetin e vitit 2027, Ministria e Financave ka hartuar edhe Paketën Fiskale 2027.
Ndryshimet e propozuara do të jenë me efekt neutral, pasi parimi mbi të cilin e kemi bazuar këtë Paketë Fiskale është rishpërndarje e të ardhurave, duke siguruar mbrojtjen e kategorive më në nevojë dhe duke mbështetur shtresën e mesme.
Dua të ndalem pak te kjo pikë, sepse flitet se Paketa Fiskale sjell më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit, po rriten taksat. Në fakt, në rastin konkret, nuk kemi një rritje të taksave, kemi një rishpërndarje të taksave. Rritja e tatimit mbi dividentin dhe paratë që vijnë nga kjo rritje, në fakt do të kalojnë dhe do të shpërndahen te rritja e fashës së pagës, të cilën e kemi kaluar nga 200 mijë në 300 mijë lekë. Që do të thotë, këto para që ne marrim nga dividenti do të shkojnë si të ardhura shtesë për shtresën e mesme të shoqërisë.
Nga ana tjetër, politika e TVSH-së që ndjekim, pra ulja ose reduktimi i TVSH-së për produktet bazë, nga 20% në 6 %, është një kosto më e madhe buxhetore se sa rritja e të ardhurave që marrim nga rritja e TVSH-së nga 20% në 21 %. Madje gropa që krijohet është rreth 20 milionë euro, e cila plotësohet me uljen e fashës nga 10 milionë në 5 milionë dhe kjo ulje e kësaj fashe vjen si kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare, edhe FMN-së. Sepse Shqipëria sot që flasim ka fashën më të lartë të regjistrimit për TVSH. Nuk ka asnjë vend në Ballkan, por edhe pjesa më e madhe e vendeve të BE-së e kanë fashën për regjistrimin e TVSH-së shumë më të ulët se sa 10 milionë që ne e kemi aktualisht dhe tavani 5 milionë që kemi vendosur është tavan, i cili është rekomanduar nga institucionet ndërkombëtare.
Gjithashtu, edhe heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet dhe kalimi te mjetet motorike, krijon gjithashtu një minus në buxhetin e shtetit, minus i cili po ashtu përballohet nga këto rishpërndarje të ardhurash që ne bëjmë. Sepse, nuk kemi reflektuar të gjithë gjithë atë të ardhur që ne realizonim nga 27-lekëshi kur ishte te karburantet në atë që kemi transferuar te taksat vjetore të mjeteve, dhe minusi në këtë rast është rreth 5 miliardë lekë apo 50 milionë euro.
Pra, nëse do t’i mbledhim dhe do t’i zbresim të gjitha këto politika njëra me tjetrën efekti është zero ose minus 300 milionë lekë për buxhetin e shtetit. E vetmja e ardhur shtesë që vjen në buxhetin e shtetit si pasojë e kësaj politike, si pasojë e kësaj pakete fiskale, është akciza nga duhani, akcizë e cila është rritur në linjë me kërkesat e BE, sepse do të duhet të harmonizojmë nivelet e akcizave me të njëjtat nivele që ka dhe BE.
Pra, Paketa Fiskale është konceptuar mbi tre parime kryesore:

  • Rishpërndarje të të ardhurave
  • Forcimi i drejtësisë fiskale;
  • Përmirësimi i efikasitetit të sistemit tatimor;

Në këtë kuadër janë propozuar ndryshime, siç ju thashë, në: tatimin mbi dividendin, tatimin mbi të ardhurat personale,  TVSH-në, vijimin e kalendarit të harmonizimit të akcizave me kërkesë të BE, si dhe zhvendosjen e takës së qarkullimit nga karburanti te taksat vjetore të mjeteve.
Këto masa synojnë të sigurojnë një sistem fiskal më të drejtë, të kufizojnë hapësirat për shmangien fiskale, si dhe të garantojnë të ardhura të qëndrueshme për financimin e politikave publike dhe investimeve prioritare.
Ndryshimet kryesore përfshijnë:

  • rritjen e normës së tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%;
  • rishikimin e strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, duke lehtësuar shtresën e mesme dhe duke forcuar progresivitetin për të ardhurat më të larta;
  • uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë;
  • rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%
  • aplikimin e normës së reduktuar 6% për 54 produkte të shportës bazë;
  • zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburantet tek taksa vjetore e automjetit;
  • vijimin e kalendarit të rritjes së akcizave për produktet e duhanit dhe përafrimin me direktivat e Bashkimit Europian.

Në përfundim të fjalës sime më lejoni të theksoj rëndësinë e veçantë që ka prezantimi i këtij projekbuxheti përpara jush, si komision përgjegjës.
Ky dokument reflekton mbi të gjitha bindjen tonë se rritja ekonomike duhet të përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetarët tanë. Për këtë arsye, ky buxhet vendos në qendër familjen, pensionistët, fermerët dhe rrit gjithashtu mbështetjen për sektorët, që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës sonë.
Njëkohësisht, ai reflekton edhe një parim po kaq të rëndësishëm që: zhvillimi i qëndrueshëm kërkon financa publike të shëndetshme, menaxhim të kujdesshëm të çdo të ardhure dhe përdorimin sa më efektiv të parave të taksapaguesve shqiptarë.