Ministria e Financave

Kuvendi miratoi në mbledhjen e sotme projektligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i cili synon forcimin e integritetit të sistemit financiar, sigurisë ekonomike dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, në kuadër të Kapitullit 4 të negociatave, “Lëvizja e lirë e kapitalit”.
Projektligji parashikon përafrimin me katër akte kryesore të Bashkimit Evropian, duke e bërë Shqipërinë vendin e parë në Ballkanin Perëndimor që realizon këtë përafrim në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Ndryshimet synojnë forcimin e mbikëqyrjes dhe të kapaciteteve institucionale, rritjen e bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe zbatimin e standardeve evropiane në luftën kundër krimit financiar. Projektligji forcon rolin analitik dhe koordinues të autoriteteve, kapacitetet për shkëmbimin e informacionit dhe mbikëqyrjen e sektorit financiar, sektorit jofinanciar dhe profesioneve të lira.
Risitë kryesore të projektligjit përfshijnë: forcimin e rolit të Agjencisë së Inteligjencës Financiare; rritjen e transparencës mbi pronësinë përfituese; krijimin e një kuadri të plotë për kriptoasetet; forcimin e kontrolleve të parasë fizike në kufi; kufizimin në 10,000 euro të pagesave cash në transaksionet tregtare; si dhe zgjerimin e rrethit të subjekteve të detyruara për të zbatuar rregullat kundër pastrimit të parave.
Projektligji parashikon hyrjen në fuqi më 1 janar 2028, duke u dhënë institucioneve dhe subjekteve të përfshira kohën e nevojshme për përshtatjen e sistemeve, forcimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e mekanizmave të bashkëpunimit.
Miratimi i tij përbën një hap drejt harmonizimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, forcimit të sigurisë ekonomike dhe rritjes së transparencës në sistemin financiar të vendit.