Ministria e Financave

Kuvendi miratoi në mbledhjen e sotme projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 55/2020, “Për shërbimet e pagesave””, i cili synon përafrimin e tregut financiar shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, në linjë me objektivin e qeverisë për reduktimin e përdorimit të parasë cash dhe zgjerimin e shërbimeve elektronike.
Përmes tij forcohet kuadri ligjor për shërbimet e pagesave dhe paranë elektronike, duke rritur sigurinë e transaksioneve, mbrojtjen e konsumatorëve dhe duke synuar uljen e kostove të shërbimeve financiare.
Një nga risitë kryesore të projektligjit është krijimi i bazës ligjore për njohjen e ndërsjellë të licencave, të njohur si “passporting”. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ky mekanizëm do t’u mundësojë institucioneve të licencuara shqiptare të ofrojnë shërbimet e tyre në shtetet anëtare, ndërsa institucionet e licencuara në BE do të mund të operojnë në Shqipëri sipas standardeve dhe rregullave përkatëse të mbikëqyrjes.
Projektligji përditëson gjithashtu kuadrin ligjor për institucionet e parasë elektronike, duke përcaktuar në nivel ligjor kërkesat për licencimin, kapitalin, mbrojtjen e fondeve të klientëve dhe mbikëqyrjen, në përputhje me legjislacionin evropian.
Në fokus është edhe mbrojtja e qytetarëve dhe bizneseve, përmes forcimit të transparencës së tarifave dhe kushteve të shërbimit, zgjatjes nga 6 në 13 muaj të afatit për paraqitjen e pretendimeve për transaksione të paautorizuara ose të ekzekutuara gabim, si dhe përmirësimit të informimit të konsumatorëve. Projektligji krijon gjithashtu bazën ligjore për kufizimin e tarifave të shkëmbimit në pagesat me kartë dhe garantimin e informacionit të aksesueshëm për të gjithë.
Një tjetër element i rëndësishëm është forcimi i sigurisë së sistemit financiar, përmes kërkesave më të larta për administrimin e rreziqeve teknologjike dhe kibernetike, vazhdimësinë e veprimtarisë dhe raportimin e incidenteve madhore dhe të mashtrimeve.
Nëpërmjet këtyre ndryshimeve synohet nxitja e konkurrencës, zhvillimi i produkteve të reja financiare dhe ulja e kostove për përdoruesit. Së bashku me ligjin “Për sistemin e pagesave”, të miratuar më herët, ky projektligj krijon bazat për një sistem pagesash më modern, më të sigurt dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian.