Ministria e Financave

Komiteti Drejtues i projektit “Financat Lokale” zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, me qëllim diskutimin e arritjeve të përgjithshme të projektit gjatë këtij viti, me pjesëmarrjen e Zëvendësministrit të Financave, z. Endrit Yzeiraj dhe Zëvendësambasadorit të Konfederatës Zvicerane në Tiranë, z. Philipp Arnold.
Gjatë mbledhjes u diskutuan arritjet e projektit gjatë vitit 2026, si: progresi në procesin e PBA- së dhe Monitorimi i Performance së Buxhetit; Sistemi i Manaxhimit Buxhetit Vendor; Manaxhimi i të Ardhurave; Mbështetja për Reformën e Taksës së Pasurisë; Kontrolli i Brendshëm, Raportimi Financiar, Auditimi.

Në fjalën e tij, Zëvendësministri i Financave, z. Endrit Yzeiraj, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë Zvicerane për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe modernizimin e financave publike vendore. Ai theksoi se projekti ka kontribuar në përmirësimin e planifikimit dhe menaxhimit buxhetor, si dhe në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në nivel vendor.
Ndër rezultatet e rëndësishme të projektit është mbështetja për hartimin e Programeve Buxhetore Afatmesme, si dhe zhvillimi i platformës “Financat e Vetëqeverisjes Vendore”, e cila mundëson akses në të dhënat financiare dhe buxhetore, shkëmbimin e informacionit ndërmjet bashkive dhe Ministrisë së Financave, si dhe monitorimin e performancës financiare.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimit të Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Financave Publike Vendore (AFMIS Vendor), i cili synon të standardizojë proceset financiare, të integrojë të dhënat dhe të përmirësojë transparencën, efikasitetin dhe cilësinë e vendimmarrjes në nivel vendor.
Diskutimet u përqendruan gjithashtu te sfidat e menaxhimit financiar vendor, ndikimi i reformës administrativo-territoriale, përmirësimi i administrimit të taksave dhe tarifave vendore, si dhe forcimi i mekanizmave të monitorimit dhe disiplinës fiskale.
Vijimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe forcimi i kapaciteteve të njësive të vetëqeverisjes vendore mbeten të rëndësishme për avancimin e reformave, me synim një sistem financiar vendor më modern, transparent dhe efikas, në funksion të përdorimit më të mirë të burimeve publike dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore për qytetarët.