Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë dy projektligje që synojnë modernizimin e sistemit financiar dhe shërbimet bankare në vendin tonë, si dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.
Gjatë fjalës së tij, Ministri theksoi se ndryshimet në ligjin “Për sistemin e pagesave” dhe në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” synojnë vendosjen e rregullave më të qarta për ofruesit e shërbimeve financiare, rritjen e sigurisë së transaksioneve dhe krijimin e kushteve më të barabarta të konkurrencës.
Ndryshimet do të kontribuojnë gjithashtu në zhvillimin e pagesave elektronike, zgjerimin e alternativave të shërbimeve financiare dhe uljen e kostove për qytetarët dhe bizneset, duke krijuar një treg financiar më modern, konkurrues dhe të sigurt.
Projektligjet mbështesin gjithashtu angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 4 të negociatave me Bashkimin Evropian, “Lëvizja e Lirë e Kapitalit”.
Pas prezantimit dhe diskutimeve në seancë plenare, Kuvendi i Shqipërisë miratoi të dy projektligjet.

Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:

Sot përpara jush sjellim për diskutim dhe miratim disa ndryshime të rëndësishme ligjore që prekin ligjin “Për sistemin e pagesave” dhe ligjin ‘Për bankat në Republikën e Shqipërisë’.
Këto ndryshime lidhen drejtpërdrejt me pëarfrimin e direktivave të BE-së, por edhe modernizimin e sistemit financiar dhe shërbimet bankare. Të vlefshme këto, në një kohë kur përdorimi i instrumenteve elektronike dhe i pagesave digjitale, po bëhet gjithnjë e më i madh.
Ndaj është e nevojshme që edhe kuadri ligjor t’i përgjigjet këtyre zhvillimeve të tregut dhe teknologjisë.
Ndryshimet që propozojmë synojnë pikërisht :

  • Vendosjen e rregullave më të qarta për ofruesit e shërbimeve;
  • Të rrisin sigurinë e transaksioneve;
  • Të krijojnë kushte më të barabarta konkurrence;

Dhe mbi të gjitha të kontribuojnë në uljen e kostove dhe përmirësimin e shërbimeve financiare për qytetarët dhe bizneset.
Në mënyrë më konkrete, projektligji “Për sistemin e pagesave” harmonizon kuadrin tonë ligjor me Direktivën Evropiane “Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm” ose të njohur ndryshe si PSD2 (The Revised Payment Services Directive ).
Nga ana tjetër përbëjnë edhe një angazhim të rëndësishëm në kuadër të Kapitullit 4, “Lëvizja e Lirë e Kapitalit”.
Ndryshimet ligjore krijojnë kushte të barabarta për të gjithë ofruesit e shërbimeve të pagesave, në mënyrë që të kenë akses në sistemet kombëtare të pagesave, gjë e cila i shërben konkurrencës dhe zhvillimit të këtij tregu.
Për qytetarët dhe bizneset, kjo do të thotë më shumë alternativa për shërbime, cilësi më e lartë dhe përdorim më i gjerë i pagesave digjitale.
Projektligji krijon gjithashtu bazat për zhvillimin e mëtejshëm të pagesave elektronike, nxitjes së përdorimit të instrumenteve më moderne, si dhe hyrjes në treg së aktorëve të rinj, për ofrimin e këtyre shërbimeve.
Në këtë mënyrë, do të avancohet më tej për të krijuar një treg financiar më gjithëpërfshirës dhe me standarde.
Të nderuar deputetë,
Angazhimit në procesin e integrimit i shërbejnë edhe ndryshimet në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”. Një tjetër projektligj që po sjellim përpara jush për shqyrtim dhe miratim.
Kjo është një ndërhyrje e nevojshme për të garantuar një kuadër ligjor më të qartë, më koherent dhe të harmonizuar me atë të Bashkimit Europian, por edhe në përmbushje të angazhimeve në kuadër të Kapitullit 4, “Lëvizja e Lirë e Kapitalit”.
Ndaj, përmes këtij projektligji, synojmë :

  • Të modernizojmë më tej kuadrin rregullator të sistemit financiar;
  • Të forcojmë efektivitetin e mbikëqyrjes;
  • Të krijojmë më shumë siguri juridike;

Një nga nevojat kryesore që adreson ky projektligj është qartësimi i raportit ndërmjet veprimtarisë bankare dhe veprimtarisë së institucioneve të parasë elektronike. (institucioneve financiare jo bankare).
Me zhvillimin e shërbimeve të reja financiare dhe hyrjen e aktorëve të rinj në treg, bëhet e rëndësishme që kompetencat, aktivitetet dhe rregullat që zbatohen për secilën kategori institucionesh të jenë të përcaktuara qartë.
Në këtë mënyrë synohet shmangia e mbivendosjeve ndërmjet veprimtarisë bankare dhe veprimtarisë së institucioneve të parasë elektronike, duke krijuar më shumë siguri juridike dhe duke e bërë më efektive mbikëqyrjen e tregut financiar.
Kjo ndërhyrje është e rëndësishme edhe nga këndvështrimi i konsumatorit dhe investitorit.
Një kuadër rregullator më i qartë krijon kushte për një sistem financiar më të parashikueshëm dhe më të besueshëm, ndërsa ndarja më e qartë e veprimtarive ndihmon në forcimin e efektivitetit të mbikëqyrjes.
Të nderuar deputetë,
Në përfundim, të fjalës sime më lejoni të ritheksoj se këto projektligje kanë për qëllim krijimin e një një tregu financiar më modern, më konkurrues dhe më të sigurt.
Për qytetarët, kjo do të thotë më shumë siguri në pagesat e tyre, kosto më të ulët, mbrojtje më të mirë si konsumatorë dhe më shumë alternativa për përdorimin e shërbimeve financiare.
Për bizneset, do të thotë një treg më konkurrues, më shumë mundësi për përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave dhe një kuadër më të qartë për zhvillimin e aktivitetit të tyre.
Në të njëjtën kohë, këto ndryshime janë një hap i mëtejshëm në përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, duke e bërë sistemin tonë financiar më të sigurt, më transparent dhe më të përgatitur për ekonominë digjitale.
Për të gjitha sa më sipër, ju ftoj t’i miratojmë këto dy projektligje.