Ministria e Financave

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e sotme plenare ndryshimet në ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, të propozuara nga Ministria e Financave, të cilat përafrojnë legjislacionin shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e raportimit financiar, në kuadër të Kapitullit 6 “Legjislacioni tregtar”.
Këto ndryshime synojnë të rrisin cilësinë, krahasueshmërinë dhe transparencën e raportimit financiar, si dhe të përcaktojnë qartë subjektet që do t’u nënshtrohen kërkesave të reja, duke ruajtur një qasje proporcionale për mikronjësitë dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME-të).
Ndryshimet kryesore përfshijnë:

  • forcimin e rregullave për konsolidimin e pasqyrave financiare;
  • raportimin e qëndrueshmërisë, i cili do të zëvendësojë gradualisht raportimin jofinanciar dhe do të bazohet në parimin e materialitetit të dyfishtë, duke vlerësuar si ndikimin e kompanisë mbi mjedisin dhe shoqërinë, ashtu edhe ndikimin e çështjeve të qëndrueshmërisë mbi vetë kompaninë;
  • raportimin publik të tatimit mbi të ardhurat sipas juridiksioneve për grupet shumë të mëdha, me mbi 75 miliardë lekë të ardhura të konsoliduara për dy vite radhazi.

Këto ndryshime janë pjesë e angazhimit për të përgatitur më mirë sipërmarrjet shqiptare për procesin e integrimit evropian, duke rritur transparencën, besueshmërinë dhe përgjegjshmërinë financiare, si dhe duke krijuar më shumë mundësi për investime dhe zhvillim ekonomik.
Miratimi i tyre përbën një hap të rëndësishëm në harmonizimin e kuadrit ligjor shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian dhe në përgatitjen e sipërmarrjeve shqiptare për të operuar sipas standardeve të tregut të përbashkët evropian, duke kontribuar njëkohësisht në përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e investimeve.