Ministria e Financave

Kuvendi i Shqipërisë miratoi Aktin Normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 87/2025 ‘Për Buxhetin e vitit 2026’”, i cili më herët u diskutua dhe miratuar edhe në komisionet parlamentare.
Hartimi i aktit erdhi si rrjedhojë e performancës pozitive të financave publike në 5 muajt e parë të vitit 2026, çka krijoi hapësira të nevojshme për financimin e disa politikave prioritare dhe zhvillimore të vendit, duke ruajtur njëkohësisht konsolidimin fiskal dhe stabilitetin makroekonomik.
Urgjenca e këtyre ndryshimeve në buxhetin e vitit 2026 përmes aktit normativ lidhet ngushtësisht me garantimin e zbatimit në kohë të politikave me ndikim të menjëhershëm ekonomik dhe social, të lidhura ngushtë me afate të përcaktuara ligjore dhe buxhetore.


Bazuar në ecurinë e deritanishme të zbatimit të buxhetit, të ardhurat e përgjithshme për vitin 2026 parashikohet të arrijnë në 843.1 miliardë lekë, ose 20.1 miliardë lekë më shumë se planifikimi fillestar. Ndërkohë, të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet pritet të arrijnë në 739.2 miliardë lekë, rreth 11 miliardë lekë më shumë se buxheti fillestar dhe 64.7 miliardë lekë më shumë se në vitin 2025.
Rritja e të ardhurave është rezultat i administrimit më efikas fiskal, formalizimit të ekonomisë dhe përmirësimit të mbledhjes së të ardhurave, pa rritur barrën fiskale për qytetarët dhe biznesin.
Përmes Aktit Normativ, hapësirat fiskale të krijuara do të orientohen drejt financimit të politikave me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe mbështetjes së sektorëve prioritarë. Ndër masat kryesore përfshihen përshpejtimi i indeksimit të pensioneve, dyfishimi i pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, mbulimi i kontributeve për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, financime shtesë për barnat onkologjike dhe shërbimet shëndetësore, si dhe mbështetje për arsimin, sipërmarrjen, bujqësinë, investimet infrastrukturore, mbrojtjen dhe procesin e integrimit evropian.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu financime shtesë për investimet publike dhe rritje të të ardhurave dhe transfertave për njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përputhje me performancën e tyre pozitive gjatë vitit.
Akti Normativ ruan të pandryshuar nivelin e deficitit buxhetor dhe vijimin e trajektores rënëse të borxhit publik, duke garantuar njëkohësisht vazhdimin e konsolidimit fiskal dhe stabilitetit makroekonomik.