Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, iu përgjigj sot një interpelance në Kuvend lidhur me kontratat koncesionare dhe Partneritetet Publik-Private (PPP), duke paraqitur të dhëna mbi situatën aktuale të këtyre kontratave dhe mekanizmat që garantojnë menaxhimin e tyre në përputhje me stabilitetin e financave publike.
Ministri Malaj sqaroi se roli i Ministrisë së Financave është monitorimi i kontratave nga këndvështrimi i qëndrueshmërisë fiskale, respektimit të rregullave buxhetore dhe menaxhimit të rreziqeve për financat publike, duke garantuar njëkohësisht transparencë të plotë për publikun përmes publikimit periodik të të dhënave në faqen zyrtare të institucionit.
Gjatë fjalës së tij, ministri bëri të ditur se Shqipëria numëron aktualisht 233 kontrata koncesionare, nga të cilat vetëm 11 kanë mbështetje nga buxheti i shtetit, ndërsa brenda vitit 2026 ky numër do të reduktohet në 8 kontrata. Sipas tij, ky zhvillim dëshmon se ekspozimi i buxhetit të shtetit ndaj këtyre angazhimeve po zvogëlohet progresivisht, në përputhje me objektivin e konsolidimit fiskal.
Ministri Malaj theksoi gjithashtu se pagesat për kontratat me mbështetje buxhetore kanë mbetur ndjeshëm nën kufirin ligjor të përcaktuar nga ligji organik i buxhetit. Për vitin 2025, këto pagesa përfaqësuan 2.03% të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës, krahasuar me kufirin maksimal prej 5%, ndërsa për vitet në vijim parashikohet një ulje e mëtejshme e kësaj peshe.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare, ministri nënvizoi se pesha totale e kontratave me mbështetje buxhetore përbën rreth 5.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke hedhur poshtë pretendimet për nivele shumë më të larta ekspozimi fiskal.
Në përfundim, Ministri i Financave ritheksoi angazhimin e qeverisë për menaxhim të kujdesshëm të kontratave koncesionare, kontroll të rreziqeve fiskale dhe forcim të transparencës në administrimin e financave publike.
Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:
Unë do doja ta shfrytëzoja këtë interpelancë si një mundësi për të qartësuar edhe njëherë rolin dhe përgjegjësinë e Ministrisë së Financave për sa i përket kontratave koncesesionare apo PPP-ve, veçanërisht për ato kontrata të cilat mbështeten me fondet e buxhetit të shtetit dhe që ndikojnë drejtpërdrejt në financat publike dhe taksapaguesit shqiptarë.
Detyra e Ministrisë së Financave është që të monitorojë këto kontrata në disa aspekte, në këndvështrimin e qëndrueshmërisë fiskale, në respektimin e rregullave buxhetore dhe menaxhimin e risqeve të financave publike.
Po kaq e rëndësishme për ne është edhe transparenca ndaj publikut. Ministria e Financave, në faqen e saj zyrtare, publikon në mënyrë periodike të gjitha të dhënat në lidhje me këto kontrata dhe mund të aksesohet lehtësisht nga secili prej jush, përfshirë këtu edhe publiku.
Të nderuar deputetë,
Në funksion edhe të transparencës, më lejoni të paraqes disa të dhëna kyçe sa i takon situatës aktuale të kontratave koncesionare dhe PPP-ve, por dhe mekanizmave që garantojnë menaxhimin e tyre në përputhje me interesin publik dhe stabilitetin e financave publike.
Aktualisht kemi 233 kontrata koncesesionare të lidhura ndër vite. Nga këto, vetëm 11 kontrata janë me mbështetje nga buxheti i shtetit, ndërsa 222 kontrata të tjera nuk janë me mbështetje buxhetore. Pra nga 233 kontrata, vetëm 11 kontrata kemi me mbështetje buxhetore.
Nga 233 kontratat koncesionare dhe që monitorohen, kemi 186 kontrata ose rreth 80% e këtyre kontratave të cilat i përkasin sektorit të energjisë, duke reflektuar kështu dhe natyrën e investimeve afatgjata. Sektori i transportit ka 27 kontrata ose 11.6%  të totalit të tyre, mjedisi ka gjashtë kontrata, shëndetësia ka katër kontrata apo 1.7% të totalit të kontratave, ndërkohë që të gjithë sektorët e tjerë kanë së bashku vetëm 10 kontrata.
Këto të dhëna tregojnë se në fakt portofoli i kontratave koncesionare në Shqipëri ka të bëjë kryesisht me sektorët strategjikë të vendit, siç janë energjia dhe infrastruktura.
Pak më lart përmenda një shifër të cilës dëshiroj t’u rikthehem sepse është një shifër e rëndësishme dhe është po kaq e rëndësishme që të kuptohet qartë edhe nga publiku.
Kemi vetëm 11 kontrata të cilat mbështeten nga buxheti i shtetit. Brenda vitit 2026 numri i tyre do të zbres në tetë kontrata, sepse tre kontratave iu përfundon afati brenda këtij viti dhe këto janë kontrata që lidhen me sektorin e shëndetësisë.
Ulja e këtij numri tregon qartazi se ekspozimi i buxhetit të shtetit jo vetëm që nuk po rritet, por është duke u ulur vit pas viti.
Ky është një tregues i qartë i maturimit të politikës fiskale të vendit.
Sot angazhimi ynë është i orientuar drejt konsolidimit fiskal, drejt kontrollit të rreziqeve dhe uljes progresive të angazhimeve buxhetore afatgjata që mund të ndërmarrim në lidhje me këto kontrata.
Për ta bërë më të kuptueshme dua të ndalem dhe tek analiza e të ardhurave.
Për 223 kontrata që kanë detyrim pagese sipas kontratës për tarifën koncesionare në buxhetin e shtetit, gjatë vitit 2025 janë arkëtuar prej tyre 1.6 miliardë lekë ose rreth 17 milionë euro, ku pjesa më e madhe është arkëtuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Është e rëndësishme që të kuptohet se këto të ardhura nuk arkëtohen drejtpërdrejt nga Ministria e Financave, por arkëtohen nga autoritetet kontraktuese. Bazuar edhe në ligjin 125 për koncesesionet dhe partneritetin publik privat, të ardhurat arkëtohen nga autoritetet kontraktuese nëpërmjet tarifës koncesionare të rënë dakord gjatë studimit të fizibilitetit apo gjatë nënshkrimit të kontratës ndërmjet palëve.
Ministria e Financave ka vetëm rolin të ndërhyjë në rastet kur kemi mosarkëtim të këtij detyrimi nga ana e autoriteteve kontraktore. Deri tani nuk ka pasur asnjë ankesë për sa i përket arkëtimit nga ana e autoriteteve kontraktore dhe në këto kushte kontratat të cilat janë me pagesa nga buxheti i shtetit janë objekt i monitorimit nga ana e Ministrisë së Financave.
Për vitin 2025, fondi i planifikuar për pagesat e kontratave koncesionare ka qenë 13.68 miliardë lekë, pagesat faktike kanë qenë 13.36 miliardë lekë, pra kemi pasur një normë realizimi me 97.6%.
Pesha totale akumulative e këtyre 11 kontratave, të cilat deri në fund të vitit do të bëhen tetë, që kanë dhe mbështetje buxhetore, është rreth 5.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe jo 50% siç pretendohet.
Kjo do të thotë se pjesa e kontratave që krijon detyrime të drejtpërdrejta për buxhetin e shtetit është shumë më e ulët nga ajo çfarë mendohet apo perceptohet. Këto janë shifrat, këto janë faktet.
Për sa i përket mekanizmit kontrollues të kontratave që kanë mbështetje buxhetore, ne kemi ligjin organik të buxhetit, i cili përcakton se shuma e përgjithshme e pagesave vjetore që bëhet për këto kontrata, pra për kontratat që kanë mbështetje buxhetore, nuk duhet të tejkalojë kufirin e 5% të të ardhurave tatimore të realizuara në vitin paraardhës.
Për vitin 2025, vlera që ne kemi pasur si pagesa për këto kontrata koncesionare, siç e thashë edhe më herët, ka qenë 13.36 miliardë lekë ose 2.03% e totalit të ardhurave tatimore të vitit të mëparshëm, pra vitit 2024.
Pra, jo vetëm që kemi respektuar kufirin ligjor të ligjit organik të buxhetit, por kemi operuar me një nivel detyrimesh që përfaqëson më pak se sa gjysmën e kufirit të lejuar me ligj.
Kjo qasje natyrisht do të vazhdojë dhe për vitin 2026 ku, sipas parashikimeve buxhetore, pagesat e planifikuara për kontratat koncesionare me mbështetje buxhetore janë në masën 12.1 miliardë lekë ose 1.7% e totalit të ardhurave tatimore të vitit 2025.
E njëjta qasje do të jetë edhe për 2027 dhe për 2028 ku totali i pagesave do të jetë në nivelin e 1.3%, pra 1.3% nga 5% që është kufiri i lejuar ligjor.
Besoj që informacioni që përcolla është shterues për sa i përket pyetjeve që janë ngritur në lidhje me këtë interpelancë.