Ministria e Financave

Zëvendësministri i Financave, z. Andi Memeti, mori pjesë në mbledhjen e dytë të Komitetit Monitorues të Facilitetit për Reforma dhe Rritje (Reform and Growth Facility – RGF), ku u shqyrtua progresi i Shqipërisë në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe angazhimet e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Në fjalën e tij, z. Memeti theksoi se Faciliteti për Reforma dhe Rritje përfaqëson një instrument kyç për përshpejtimin e reformave dhe afrimin e Shqipërisë me standardet e BE, duke nënvizuar se Ministria e Financave ka një rol qendror në garantimin e menaxhimit të shëndoshë financiar, transparencës dhe llogaridhënies në përdorimin e fondeve të BE.
Zëvendësministri evidentoi masat e ndërmarra nga Ministria e Financave për krijimin e strukturave të dedikuara për zbatimin e RFG, integrimin e mbështetjes financiare të RGF-së në kuadrin buxhetor kombëtar, forcimin e sistemeve të menaxhimit dhe kontrollit financiar, si dhe ngritjen e mekanizmave efektivë të raportimit dhe monitorimit.

Duke u ndalur te prioritetet për periudhën në vijim, z. Memeti theksoi nevojën për ruajtjen e një angazhimi të fortë politik dhe institucional ndaj agjendës së reformave, forcimin e koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse dhe partnerëve të zbatimit, si dhe vendosjen e rezultateve konkrete në qendër të procesit. Ai nënvizoi rëndësinë e monitorimit cilësor, raportimit të besueshëm dhe vlerësimit të bazuar në prova për të garantuar përmbushjen e objektivave të reformës. Gjithashtu, z. Memeti theksoi se transparenca, llogaridhënia dhe përfshirja aktive e shoqërisë civile dhe palëve të interesuara mbeten elemente kyçe për suksesin dhe qëndrueshmërinë e reformave të mbështetura nga Faciliteti për Reforma dhe Rritje.