Ministria e Financave

Zëvendësministri i Financave, z. Endrit Yzeiraj, mori pjesë në Takimin Vjetor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), i cili u zhvillua në Riga të Letonisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të vendeve aksionare, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe sektorit privat.

Zëvendësministri vlerësoi partneritetin e qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe BERZH-it, duke theksuar rolin e rëndësishëm që banka ka luajtur në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Që prej fillimit të operacioneve në Shqipëri në vitin 1991, BERZH ka investuar afro 2.5 miliardë euro në projekte strategjike, duke u renditur ndër partnerët kryesorë financiarë të vendit.

BERZH ka kontribuar në financimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukturës publike dhe është aktualisht një nga partnerët kryesorë në procesin e modernizimit dhe rizhvillimit të hekurudhave shqiptare. Po ashtu, me 57% të portofolit të saj të dedikuar sektorit privat, BERZH po luan një rol kyç në forcimin e sipërmarrjes shqiptare, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përgatitjen e bizneseve për integrimin në tregun e Bashkimit Evropian.

Z. Yzeiraj ftoi përfaqësuesit e vendeve aksionare dhe pjesëmarrësit e tjerë të vizitojnë Tiranën në vitin 2028, kur Shqipëria do të mirëpresë Takimin Vjetor të BERZH-it, një ngjarje me rëndësi të veçantë që do të sjellë në vendin tonë drejtues të lartë politikë, financiarë dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar të biznesit.