Ministria e Financave

Shqipëria ka përmirësuar pozicionimin e saj në renditjen e Global Tax Expenditures Transparency Index – GTETI v.2.1, një indeks ndërkombëtar që synon të masë nivelin e transparencës dhe cilësinë e raportimit të shpenzimeve tatimore në vende të ndryshme.
Shqipëria është renditur në vendin e 48-të sipas këtij Indeksi, ndër 116 vende të përfshira në vlerësim, me 51.73 pikë (nga 100), nga vendi i 74 që renditej më parë, duke konfirmuar progresin e bërë në forcimin e transparencës fiskale dhe përmirësimin e qeverisjes së financave publike.
Ky vlerësim reflekton përparimin e Shqipërisë në:

  • Forcimin e kuadrit ligjor për raportimin e shpenzimeve tatimore;
  • Rritjen e transparencës dhe publikimit periodik të të dhënave mbi shpenzimet tatimore;
  • Përmirësimin e metodologjive të raportimit dhe monitorimit, në përputhje me standardet ndërkombëtare;
  • Rritjen e llogaridhënies fiskale, si pjesë e reformave për modernizimin e administrimit të financave publike.

Rezultati i arritur përfaqëson një tregues të rëndësishëm të përkushtimit për ndërtimin e politikave fiskale më transparente, më efikase dhe më të orientuara drejt standardeve europiane të qeverisjes ekonomike.
Ky vlerësim ndërkombëtar konfirmon progresin e Shqipërisë në avancimin e transparencës fiskale dhe mbështet objektivin strategjik të afrimit me praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Europian.
Ministria e Financave do të vijojë punën për të konsoliduar më tej analizën e shpenzimeve tatimore dhe vlerësimin e ndikimit të përjashtimeve fiskale, me synimin për të forcuar efikasitetin e politikave publike dhe përdorimin sa më të mirë të burimeve financiare në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

 *Rreth GTETI
Global Tax Expenditures Transparency Index (GTETI) është një indeks ndërkombëtar që mat transparencën dhe cilësinë e raportimit të shpenzimeve tatimore (tax expenditures), si lehtësitë, përjashtimet apo incentivat tatimore që ndikojnë në të ardhurat e buxhetit të shtetit.
Indeksi vlerëson praktikat e vendeve në pesë dimensione kryesore: disponueshmërinë publike të informacionit, kuadri institucional, metodologjinë e raportimit, cilësinë e të dhënave përshkruese dhe vlerësimin e ndikimit ekonomik e fiskal të lehtësive tatimore.
Versioni i përditësuar GTETI v2.1, në Maj 2026, ka sjellë disa risi në vlerësim, me qëllim forcimin e koherencës së brendshme dhe qëndrueshmërisë së vlerësimeve. Ky version solli kritere më të forta vlerësimi, me fokus te cilësia e raportimit; peshë më të madhe për analizën e ndikimit të përjashtimeve fiskale; standardizim më të lartë të metodologjisë, për krahasim më të drejtë mes vendeve; si dhe theks më të madh te transparenca publike dhe aksesueshmëria e informacionit.  Këto ndryshime e bëjnë vlerësimin më rigoroz dhe rezultatin e Shqipërisë më domethënës në krahasim ndërkombëtar.