Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë sot në Samitin Shqipëri-Izrael mbi Sigurinë Kibernetike, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama dhe ministrave të tjerë të kabinetit qeveritar.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Izraelit, ndërsa diskutimi u fokusua mbi sfidat globale që lidhen me sigurinë financiare dhe kibernetike dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për përballimin e tyre.

Në fjalën e tij, Ministri Malaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe theksoi se siguria kombëtare, financiare dhe kibernetike është kthyer në një çështje themelore për stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të çdo vendi, ndërsa theksoi se garantimi i integritetit të sistemeve financiare publike është tashmë një prioritet strategjik kombëtar, i lidhur ngushtë me besimin e qytetarëve, transparencën dhe stabilitetin ekonomik.
Ministri Malaj u ndal te progresi i bërë nga Shqipëria në modernizimin e administrimit të financave publike, duke evidentuar digjitalizimin pothuajse të plotë të proceseve financiare, ndërveprimin e sistemeve elektronike dhe rritjen e efikasitetit, kontrollit dhe transparencës në administrimin e të ardhurave dhe shpenzimeve publike. Investimet në digjitalizim, vuri në dukje z. Malaj, kanë kontribuar në uljen e kostove, rritjen e formalizimit të ekonomisë dhe forcimin e shkëmbimit të informacionit.

Gjithashtu, Ministri nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për harmonizimin e standardeve shqiptare me praktikat më të avancuara ndërkombëtare, duke vlerësuar përvojën e Izraelit si një model me vlerë të veçantë në fushën e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave.
Në përfundim, Ministri Malaj ritheksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe për ndërtimin e sistemeve financiare më të sigurta, transparente dhe rezistente përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.