Ministria e Financave

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave (huamarrësi), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin “Infrastruktura bashkiake V – faza II””.  Përmes kësaj marrëveshjeje mundësohet një financim prej 47 milionë euro për programin e mësipërm, i cili ka një rëndësi strategjike për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.
Programi synon përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm, modernizimin e sistemeve të kanalizimeve dhe mbrojtjen e mjedisit, duke kontribuar gjithashtu në zhvillimin ekonomik rajonal dhe mbështetjen e sektorit të turizmit. Investimet do të fokusohen në disa qytete të vendit, duke garantuar shërbime më të qëndrueshme dhe standarde më të larta infrastrukturore për komunitetet përfituese.
Gjatë fjalës së tij, ministri Malaj paraqiti gjithashtu disa të dhëna mbi ecurinë e borxhit publik, duke theksuar se gjatë vitit 2025 ai ka vijuar tendencën rënëse. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto u ul në rreth 53% në fund të vitit 2025, nga 54.2% që ishte në fund të vitit 2024, duke shënuar një rënie me rreth 1.2 pikë përqindje. Pas prezantimit të Ministrit dhe diskutimeve, projektligji u miratua.
Fjala e Ministrit Petrit Malaj në Kuvend:
Vijmë sot para jush për ratifikimin e marrëveshjes së huas midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW).
Kjo marrëveshje ka të bëjë me zbatimin e një prej programeve më të rëndësishëm për investimet në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në nivel kombëtar: Programi “Infrastruktura Bashkiake V”.
Bashkëpunimi midis qeverisë shqiptare dhe KfW është i kahershëm dhe me rëndësi të veçantë, nisur edhe nga madhësia e portofolit të financimeve që kemi me këtë institucion financiar ndërkombëtar.
Deri tani, portofoli i investimeve nëpërmjet kredive llogaritet rreth 1.1 miliardë euro, ku rreth 35% e investimeve i përkasin sektorit të energjisë, rreth 38 % furnizimit me ujë të pijshëm dhe rreth 15% mbështetjes buxhetore.
Sipas të dhënave tona, deri në fund të janarit 2026, vlera e kredive për projektet aktive të disbursuara nga kjo bankë, llogaritet në rreth 432 milionë euro.
Përpara sesa të vijoj me detajimin e marrëveshjes dhe benefitet e lidhura me të, më lejoni të paraqes disa shifra të rëndësishme sa i takon ecurisë së Borxhit Publik në vitin 2025.
Të dhënat më të fundit të publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se Borxhi Publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ka vijuar tendencën rënëse gjatë vitit 2025 duke u ulur në 53%, nga 54.2 % që ishte në fund të vitit 2024, pra kemi një rënie të borxhit publik me rreth 1.2 pikë përqindje.
Gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria ka ulur ndjeshëm borxhin publik me rreth 21 pikë përqindje, një shifër kjo ndjeshëm më e lartë në krahasim me Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën.
Në fund të dhjetorit 2025, borxhi i brendshëm përfaqëson rreth 60 % të stokut total të borxhit të Qeverisë, ndërsa borxhi i jashtëm përbën rreth 40 % të tij.
Sa i takon kostos mesatare të borxhit, gjatë periudhës janar – dhjetor 2025, kemi një ulje të kësaj kostoje, nga 4.2 % që ishte në vitin 2024, në 3.95 % në 2025.
Padyshim këta tregues janë të rëndësishëm dhe tregojnë ndër të tjera edhe momentet e mira që po kalon ekonomia shqiptare, por edhe qëndrueshmërinë e saj në periudha afatmesme.
Të nderuar deputë,
Marrëveshja e huas prej 47 milionë euro ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe KfW për programin “Infrastruktura Bashkiake V – faza II”, ka një rëndësi strategjike për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.
Programi është gjithashtu pjesë e projekteve për arritjen e objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Ndaj, ky nuk është thjesht një projekt infrastrukturor, por një investim me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, në zhvillimin ekonomik të rajoneve dhe në mbrojtjen e mjedisit.
Programi “Infrastruktura Bashkiake V” është konceptuar në dy faza.
Faza e parë e projektit aktualisht është në zbatim dhe ka një vlerë totale prej 148.5 milionë eurosh, ku 80 milionë janë kredi dhe pjesa tjetër grant nga Bashkimi Europian, si dhe donatorë të tjerë.
Investimet po realizohen në gjashtë qytete kryesore, si : Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier, Berat dhe Vlorë.
Ndërsa, për Fazën e dytë, e cila sot, kërkon miratimin tuaj, financimi i siguruar prej 50 milion euro, përfshin:
-47 milionë euro kredi nga KfW;
-3 milionë euro grant i miratuar.
Sa i takon kushteve të kredisë, ajo ka maturim 15 vite, ku 5 vite janë pa pagesë të principalit, ndërsa norma e interesit është fikse në 3.9%.
Zbatimi i kësaj faze do të mbulojë qytetet: Shkodër, Lezhë dhe Sarandë.
Është shumë e rëndësishme të theksohet gjithashtu, se BE nëpërmjet instrumentit të WBIF, do të akordojë për këtë program një grant shtesë për investime në vlerën prej 37 milionë euro, të dedikuar për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në Lezhë dhe Sarandë, duke mbuluar 70% të vlerës së investimeve përkatëse.
Pra, kemi të bëjmë me një strukturë financiare, ku komponenti grant është i konsiderueshëm dhe ul ndjeshëm barrën financiare për buxhetin e shtetit.
Të dashur qytetarë,
Projekti që po zbatohet, do të sjellë një sërë përfitimesh konkrete për të gjitha rajonet ku do të shtrihet, duke siguruar:
Së pari, furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm.
Mbi gjysma e popullsisë urbane do të ketë akses në furnizim më të sigurt dhe më të qëndrueshëm me ujë. Kjo do të thotë më pak ndërprerje, më pak humbje në rrjet dhe cilësi më e lartë shërbimi.
Së dyti, përmirësim të ndjeshëm të kushteve sanitare.
Në Lezhë dhe zonat përrreth, investimet në kanalizime dhe drenazh do të reduktojnë përmbytjet urbane dhe do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës për qytetarët dhe bizneset.
Së treti, mbrojtje e mjedisit dhe e turizmit.
Në zonat bregdetare, veçanërisht në Sarandë, rehabilitimi dhe ndërtimi i impianteve moderne të trajtimit të ujërave të ndotura do të reduktojë ndotjen dhe do të mbrojë pasuritë tona natyrore.
Së katërti, mbështetje për zhvillimin rajonal.
Infrastruktura e qëndrueshme e ujit mbetet një kusht themelor për investimet private, zhvillimin e turizmit, për zgjerimin e aktiviteteve prodhuese, si dhe për rritjen e punësimit në nivel vendor.
Ndaj, në përfundim të fjalës sime më lejoni të nënvizoj edhe një herë rëndësinë e këtij programi, me ndikim të drejtpërdrejtë social dhe ekonomik për komunitetet e këtyre rajoneve.
Për sa më sipër ju ftoj ta miratojmë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
Ju faleminderit!