Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, ndodhet sot në Poloni, së bashku me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, në kuadrin e një vizite zyrtare.
Gjatë kësaj vizite, Ministri z. Petrit Malaj zhvilloi një takim me Ministrin e Financave dhe Ekonomisë të Polonisë, z. Andrzej Domański, me të cilin bisedoi mbi ecurinë e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Polonisë. Dy ministrat shprehën interesin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrdhënieve ekonomike mes dy vendeve, në kuadër edhe të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë takimit u vlerësua se Shqipëria dhe Polonia ndajnë sfida dhe objektiva të ngjashme në drejtim të konsolidimit të financave publike, rritjes së konkurrueshmërisë dhe përmirësimit të klimës së biznesit. Nga ana tjetër, takimi shërbeu si një mundësi për të shkëmbyer përvoja konkrete mbi reformat fiskale, mbështetjen e investimeve dhe forcimin e stabilitetit makroekonomik, si dhe për të thelluar partneritetin institucional mes dy ministrive të financave.

Ministri z. Petrit Malaj shprehu bindjen se forcimi i bashkëpunimit me Poloninë përbën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe ndërtimit të një partneriteti afatgjatë në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm të të dy vendeve.
Gjatë vizitës, Ministri z. Malaj zhvilloi një takim të frytshëm me anëtarët e Bordit Drejtues të Bank Gospodarstwa Krajowego (BGK), përvoja e së cilës përbën një model të rëndësishëm për vendet që synojnë të forcojnë instrumentet kombëtare të zhvillimit. Në këtë kuadër, Shqipëria ka hedhur një hap kyç me themelimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, si një instrument strategjik për të mbështetur sektorët prioritarë të ekonomisë, për të lehtësuar aksesin në financim dhe për të nxitur investimet me impakt afatgjatë.

Takimi u fokusua në ndarjen e përvojave, modeleve të qeverisjes, instrumenteve financiare dhe praktikave më të mira, si dhe në mundësitë konkrete për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Forcimi i partneritetit me institucione të suksesshme si BGK është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të Bankës Shqiptare të Zhvillimit dhe ndërtimit të një ekosistemi financiar më të fortë në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit.