Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë në mbledhjen e Komitetit të Përbashkët Ekzekutiv për kuadrin e bashkëpunimit mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara, ku u vlerësua përmbushja e kornizës së bashkëpunimit 2022–2026 dhe rezultatet e arritura deri më tani.
Ndërsa viti 2026 shënon përmbylljen e programit aktual dhe fillimin e përgatitjes për kornizën e re 2027–2031, në këtë mbledhje, të drejtuar nga Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, u shpreh angazhimi për të çuar përpara një bashkëpunim që fuqizon kapitalin njerëzor, nxit rritjen e qëndrueshme dhe konsolidon institucionet demokratike.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Petrit Malaj vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë në fusha strategjike si zhvillimi ekonomik, turizmi, mjedisi, shëndetësia, siguria dhe mbrojtja sociale, ndërsa theksoi se Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, në përputhje me Axhendën 2030.
Ministri nënvizoi se reformat në politikat fiskale, menaxhimin e financave publike dhe konsolidimin fiskal kanë ndihmuar në krijimin e hapësirës së nevojshme buxhetore për investime në mbrojtje sociale, infrastrukturë, komunitete dhe reziliencë klimatike, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik.
Zhvillimi i mëtejshëm i vendit, tha z. Malaj, kërkon reforma më të thella, investime më të zgjuara dhe koordinim më të fortë, veçanërisht në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.