Ministria e Financave

Projektbuxheti 2026 materializon objektivat kryesorë të politikës fiskale, si ruajtja e një balance primare pozitive dhe reduktimi i borxhit publik në raport ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kështu u shpreh Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, gjatë fjalës së tij në komisionin parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ku u diskutua mbi deficitin dhe borxhin, në kuadër të diskutimit në parim të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2026.
Ministri informoi se projektbuxheti 2026 targeton një suficit primar pozitiv prej rreth 500 milionë lekë, ndërsa pritet që borxhi publik të zbresë në 53.6% të PBB-së, nga 54.1% që pritet deri në fund të vitit 2025, në përputhje të plotë me rregullin kryesor fiskal të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit.  Sipas skenarit bazë, tha z. Malaj, borxhi publik bruto do të vazhdojë trajektoren zbritëse, duke arritur në 52.2% në vitin 2027 dhe në rreth 46.4% në vitin 2031.
“Kjo tregon qartazi se konsolidimi fiskal nuk është i përkohshëm por një proces i qëndrueshëm që tregon stabilitet dhe ul gradualisht ekspozimin e financave publike ndaj rreziqeve të borxhit”, u shpreh Ministri.

Nga ana tjetër, Ministri Malaj theksoi faktin se projektbuxheti 2026 respekton plotësisht “rregullin e artë” fiskal, që përcakton se masa e deficitit buxhetor nuk mund të tejkalojë masën e shpenzimeve kapitale, të parashikuara çdo vit në ligjin e buxhetit.
Deficiti buxhetor në projektbuxhetin 2026 parashikohet në rreth 2.3% të PBB-së, ose rreth 63.7 miliardë Lek, ndërsa shpenzimet kapitale totale të qeverisë qëndrore arrijnë në rreth 6.5% të PBB-së, ose rreth 179.6 miliardë lekë. “Thënë më thjeshtë, buxheti ruan një ruan një balancë fiskale korente pozitive, prej rreth 4.2% të PBB-së, që përkthehet në 115 miliardë lekë më shumë investime publike sesa deficiti i përgjithshëm. Pra, çdo lekë i marrë hua përdoret për investime produktive, që nxisin rritjen ekonomike, krijojnë vende pune dhe përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve”, tha Ministri.

Projektbuxheti 2026 – Deficiti dhe Borxhi, Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj, në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat:
Projektbuxheti për vitin 2026, sikurse kemi theksuar edhe në prezantimet e mëparshme, është ndërtuar mbi themelet e një vizioni të qartë politik dhe ekonomik, i cili garanton një rritje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, duke ruajtur njëkohësisht disiplinën fiskale dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.
Ky buxhet është një dëshmi e përgjegjshmërisë së Qeverisë për të vijuar me konsolidimin e financave publike, pa e ngadalësuar ritmin e zhvillimit ekonomik e social.
Gjatë viteve të fundit kemi arritur një progres të ndjeshëm dhe të qëndrueshëm. Në vitin 2024, Shqipëria regjistroi një balancë primare pozitive prej 1.4% të PBB-së, ndërkohë që raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul me 3.4 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë, 2023, duke zbritur në nivelin 54.2%, që është dhe niveli më i ulët i borxhit që prej vitit 2008.
Ky rezultat flet qartë për politikat tona fiskale dhe po ndjekim trajektoren e duhur, ekonomia shqiptare vijon të jetë e fortë dhe më e qëndrueshme.
Ky trend pozitiv është reflektuar edhe në besimin që partnerët ndërkombëtarë dhe tregjet financiare kanë ndaj vendit tonë. Në vijim të përmirësimeve të arritura në vitin 2024, ose me saktë ë fund të vitit 2024, agjencitë më prestigjioze të vlerësimit, Standard & Poor’s dhe Moody’s, kanë rikonfirmuar me nota pozitive kreditin e Shqipërisë — “BB” dhe “Ba3”, të dyja me perspektivë të qëndrueshme.
Këto vlerësime janë një dëshmi e qartë se reformat tona po japin rezultate, se ekonomia shqiptare po fiton besim në tregjet ndërkombëtare dhe se drejtimi që kemi zgjedhur është i qëndrueshëm, i matur dhe politikisht i përgjegjshëm për të ardhmen e vendit.
Projektbuxheti për vitin 2026 vjen në këtë kontekst të qëndrueshmërisë makroekonomike dhe materializon plotësisht objektivat kryesore të politikës fiskale.
Së pari, zbatohet plotësisht objektivi kryesor operacional i politikës fiskale për një balancë primare pozitive, në përputhje me rregullin fiskal të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit. Konkretisht, ky projektbuxhet targeton një suficit primar lehtësisht pozitiv, prej rreth 500 milionë lekësh.
Së dyti, vijohet objektivi thelbësor i politikës fiskale, ai i reduktimit të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Në vitin 2026, borxhi publik pritet të ulet në 53.6% të PBB-së, nga 54.1% që prersim të jetë deri në fund të vitit 2025.
Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto do të vazhdojë trajektoren zbritëse, duke arritur në 52.2% në vitin 2027 dhe në rreth 46.4% në vitin 2031.
Kjo tregon qartazi se konsolidimi fiskal nuk është i përkohshëm por një proces i qëndrueshëm që tregon stabilitet dhe ul gradualisht ekspozimin e financave publike ndaj rreziqeve të borxhit.
Së treti, projektbuxheti për vitin 2026 respekton plotësisht “rregullin e artë” fiskal, që përcakton se masa e deficitit buxhetor nuk mund të tejkalojë masën e shpenzimeve kapitale, të parashikuara çdo vit në ligjin e buxhetit.
Në këtë buxhet, deficiti buxhetor parashikohet në rreth 2.3% të PBB-së, ose rreth 63.7 miliardë Lekë, ndërsa shpenzimet kapitale totale – pra investimet publike të qeverisë qëndrore arrijnë në rrreth 6.5% të PBB-së, ose rreth 179.6 miliardë lekë.
Thënë më thjeshtë, buxheti ruan një ruan një balancë fiskale korente pozitive, prej 4.2% të PBB-së, që përkthehet në 115 miliardë lekë më shumë investime publike sesa deficiti i përgjithshëm. Pra, çdo lekë i marrë hua përdoret për investime produktive, që nxisin rritjen ekonomike, krijojnë vende pune dhe përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve.
Borxhi publik gjatë vitit 2025 është karakterizuar nga një ecuri pozitive, duke qenë në përputhje me objektivat makro-fiskalë, buxhetin e planifikuar për vitin 2025 dhe objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit. Në fund të muajit Shtator 2025, borxhi publik u vlerësua në nivelin 14.5 miliardë Euro ose 53.45% e PBB-së. Niveli i borxhit ndaj PBB-së ka shënuar një rënie me mbi 20 pikë përqindje krahasuar me vitin 2021 kur shënoi dhe nivelin më të lartë prej 74.1%.
Huamarrja për vitin 2025 pritet të realizohet në vlerën prej 62.9 miliardë lekë. Huamarrja e brendshme neto pritet të realizohet në vlerën prej në 50 miliardë lekë, ndërsa huamarrja neto e huaj pritet të jetë në nivelin 12.9 miliardë lekë.
Sa i takon huamarrjes së huaj, gjatë vitit 2025, përveç disbursimit të kredive për financimin e projekteve të investimit, janë realizuar dhe pritet të realizohen disbursimi i një numër mbështetjesh buxhetore të planifikuara për këtë vit, ku ndër më të rëndësishmin do të theksoja disbursimin e mbështetjes buxhetore nga Bashkimi Evropian prej 76 milionë Euro, në kuadër të facilitetit për Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor.
Në këndvështrimin e kostos së borxhit do të doja të theksoja disa tregues: Kosto mesatare e borxhit aktualisht vlerësohet në nivelin prej 4%. Kosto mesatare e borxhit të brendshëm, rezultoi 4.3% në fund muajit Shtator 2025, me një ulje me rreth 0.3 % krahasur me koston e borxhit në fund të vitit 2024 që ishte 4.6%.
Në portofolin e borxhit të huaj, kosto mesatare për vitin 2025 parashikohet të rezultojë në vlerën 3.6% nga niveli 3.7% që ishte në fundin e vitit 2024.
Në buxhetin e vitit 2026 janë parashikuar rreth 57.9 miliardë lekë për shpenzime për interesa, nga të cilat 35.2 miliardë për interesa të borxhit të brendshëm dhe 22.7 miliardë lekë interesa për borxhin e jashtëm.
Gjithashtu, në këtë projektbuxhet është parashikuar dhe fondi kontigjencë prej 6.3 miliardë Lekë. Që nga viti 2017, në zbatim të detyrimit ligjor të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit, në buxhetin e shtetit janë programuar kontigjenca të veçanta për të përballuar rritjen e shërbimit të borxhit që mund të burojë nga rritja e normave të interesit apo edhe prej luhatjes së kursit të këmbimit përtej pritshmërive.
Do të doja të ndalesha tani në një shpjegim të përgjithshëm mbi borxhin dhe elementët e tij, pasi për ne është shumë i rëndësishëm jo vetëm niveli i përgjithshëm i borxhit, por edhe ulja e vijueshme e tij dhe kompozimi i borxhit, në mënyrë që të reduktojmë risqet që ka ky portofol.
Menaxhimi i borxhit, pavarësisht paqëndrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare të reflektuara edhe në tregun e brendshëm, ka rezultuar i suksesshëm si në rinovimin me sukses të borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm, ashtu edhe duke siguruar financimin e nevojave buxhetore.
Kjo është mundësuar falë edhe përpjekjeve të përmirësimit të strukturës së borxhit në vite, si dhe forcimit të kapaciteteve të menaxhimit, duke përfshirë këtu edhe daljet e rregullta në tregjet ndërkombëtare për Eurobonde.
Përpjekjet për përmirësimin e strukturës së borxhit kanë vazhduar pavarësisht rrethanave sfiduese të viteve më të fundit.
Borxhi aktualisht përbëhet nga:
Borxhi i brendshëm, i cili zë rreth 57.7 % të totalit të borxhit, dhe
Borxhi i jashtëm, i cili zë 42.3% të tij.
Viti 2025 ka shënuar përmirësim të mëtejshëm përsa i përket menaxhimit të borxhit publik dhe realizimit të huamarrjes.
Treguesi i peshës së borxhit të jashtëm ka pësuar një ulje nga viti në vit. Ne synojmë uljen e mëtejshme të tij në periudhën afatmesme, në linjë edhe me strategjinë afatmesme të menaxhimit të borxhit e cila synon një kujdes të shtuar sa i takon ekspozimit të borxhit ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit dhe mbajtjen e borxhit të huaj nën nën nivelin 50% të totalit të borxhit.
Nga këndvështrimi i jetëgjatësisë së borxhit, kemi:
Borxh me afat maturimi mbi një vit në nivelin rreth 87% të totalit,
Borxh afatshkurtër (me afat maturimi deri në një vit) që përbën rreth 13% të totalit.
Kujdes të shtuar i është kushtuar jetëgjatësisë së borxhit të brendshëm, i cili paraqet një risk rifinancimi më të lartë. Ndaj, dhe fokusi i menaxhimit të borxhit ka qenë dhe mbetet në drejtim të rritjes së jetëgjatësisë së borxhit të brendshëm, vit pas viti.
Në fund të 9-mujorit 2025, jetëgjatësia e tij është në nivelin e 1,028 ditëve apo 2.9 vite, që shënon një përmirësim krahasuar me nivelin e jetëgjatësisë në fundit të vitit 2024 që ishte në 923 ditë apo 2.6 vite.
Në harkun kohor të 5 viteve, ky tregues është rritur me mbi 200 ditë.
Për sa i përket kompozimit të portofolit të borxhit sipas instrumenteve, mbi 70% të tij e mbajnë instrumentët e tregtueshëm, si bono thesari, obligacione apo  eurobond.
Pesha e instrumenteve të tregtueshme vlerësohet të jetë në rritje nga viti në vit kryesisht për shkak të emetimeve më të shpeshta në tregjet ndërkombëtare, por edhe për shkak të orientimit të huamarrjes kryesisht në tregun e brendshëm.
Sa i takon financimit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, në muajin shkurt 2025, Shqipëria emetoi Eurobondin e saj të shtatë, në vlerën 650 milionë euro, me maturim 10 vite, me kupon 4.75%, yield 5.0% dhe me një kërkesë përfundimtare nga investitorët në mbi 2.5 miliardë euro. Pra, interesi i investitorëve të huaj ishte pothuaj katër herë më i lartë se nevoja e qeverisë shqiptare për huamarrje në këto tregje.
Gjatë viteve të fundit, ekspozimi ndaj riskut të normave të interesit është menaxhuar nëpërmjet zgjerimit të portofolit të borxhit me instrumenta afatgjatë dhe me norma interesi fikse.
Sa i takon kompozimit sipas llojit të interesit, në stokun e borxhit të brendshëm, instrumentet me norma të ndryshueshme përbëjnë më pak se 1% të totalit të portofolit.
Pesha e instrumenteve me norma të ndryshueshme ka ardhur në ulje nga viti në vit, duke qenë se Ministria e Financave nuk ka emetuar më tituj me norma interesi të ndryshueshme duke filluar nga viti 2016, në përputhje me objektivat për reduktimin e riskut të normave të interesit. Ndërkohë, në portofolin e borxhit të jashtëm, mbi 60% të peshës e mban borxhi me normë interesi fikse.
Si pjesë e portofolit të borxhit, theksojmë edhe borxhin e garantuar, i cili në fund të muajit Shtator 2025, vlerësohet në 30.1 miliardë lekë apo 1.1% e PBB.
Garancitë janë ulur me 3.5 miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit 2024. Në tregun e brendshëm, garancitë zënë rreth 28.4% të stokut total të borxhit të garantuar ose rreth 8.5 miliardë lekë, ndërsa garancitë e dhëna në favor të kreditorëve të huaj përfaqësojnë 71.6% të stokut të borxhit të garantuar ose 21.5 miliardë lekë.
Sa i takon financimit të vitit 2026, në skenarin bazë, nevoja për financim neto nëpërmjet huamarrjes është rreth 55.3 miliardë lekë. Nga këto, rreth 45 miliardë janë planifikuar të mbulohen nga huamarrja e brendshme, ndërsa financimi nëpërmjet burimeve të jashtme për vitin 2026 planifikohet të jetë në vlerën 10.3 miliardë lekë.
Për optimizimin e kostos, huamarrja nga partnerët e zhvillimit për mbështetje buxhetore ose për financimin e projekteve do të jetë një burim i rëndësishëm financimi.
Republika e Shqipërisë vazhdon të ketë një bashkëpunim të gjerë në këtë drejtim me një numër të gjerë kreditorësh.
Ndër kryesorët do të përmendnim Bankën Botërore, BERZH, KfW, CEB, BEI, IDB, AFD etj.
Mbështetjet buxhetore të planifikuara për tu disbursuar gjatë vitit 2026 janë rreth 17.7 mld Lekë, të cilat konsistojnë kryesisht në:
Mbështetjen Buxhetore në shumën rreth 60 mln Euro nga Agjencia Franceze për Zhvillim, hua kjo në kuadër të politikës për të mbështetur aftësinë ripërtëritëse dhe zhvillimin e gjelbër të Shqipërisë;
Mbështetjen Buxhetore në shumën 100  milionë Euro nga KfW dhe AFD, në kuadër të reformës në sektorin e energjisë, e cila po mbështetet nga këta dy partnerë ndërkombëtarë.
Gjithashtu, në kuadër të Planit të Rritjes në vijimësi të zbatimit të masave të miratuara në Agjendën e Reformave Kombëtare do të mundësohen edhe disbursimet e fondeve në formën e mbështetjes buxhetore, si dhe në formën e financimit të projekteve të investimit përgjatë periudhës kohore dhe sipas mekanizmave të parashikuar në këtë plan.
Në drejtim të menaxhimit sa më efektiv të borxhit, do të doja të nënvizoja disa përparime të tjera që kemi bërë në këtë drejtim së fundmi.
Me qëllim rritjen e transparencës dhe parashikueshmërisë të procesit të huamarrjes gjatë një viti buxhetor, Ministria e Financave përgatit tashmë një plan huamarrje vjetore, në përputhje me praktikën më të mirë ndërkombëtare, e cila miratohet dhe publikohet para fillimit të një viti të ri kalendarik.
Gjithashtu, brenda muajit Dhjetor 2025, do të miratohet në Këshillin e Ministrave dhe Strategjia e Re Afatmesme e Menaxhimit të Borxhit, e cila do të përmbajë objektiva më sfidues në drejtim të zbutjes më tej të risqeve si dhe një zhvillim të ndjeshëm të tregut të brendshëm të titujve të qeverisë.
Për monitorimin kësaj strategjie ne do të hartojmë edhe një raport, si pjesë e proceseve të përhershme të punës, me qëllim rritjen e transparencës dhe zbatimin sa me efikas.
Të nderuar Anëtarë,
Në mbyllje të fjalës sime, dëshiroj të nënvizoj se këto rezultate nuk janë të rastësishme, por fryt i një qasjeje të përgjegjshme, të kujdesshme dhe afatgjatë që kemi ndjekur në menaxhimin e financave publike dhe të borxhit shtetëror.
Ky është një sinjal i qartë se ekonomia shqiptare po ecën në drejtimin e duhur, me politika të qëndrueshme, me besim të shtuar të tregjeve dhe me angazhimin e plotë të Qeverisë për të ruajtur stabilitetin fiskal e për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.