Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në komisionin parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektbuxhetin e shtetit për vitin 2026.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj theksoi se shpenzimet buxhetore për sektorin e Drejtësisë kanë njohur rritje të konsiderueshme ndër vite, që prej nisjes së Reformës në Drejtësi në vitin 2016.
Ministri informoi se në projektbuxhetin e vitit 2026 parashikohen rreth 28.8 miliardë lekë për sektorin e drejtësisë, ose rreth 16 miliardë lekë më shumë se sa viti 2016.
“Krahasuar edhe me buxhetin fillestar të vitit 2025, buxheti i parashikuar për sektorin e Drejtësisë do të rritet me rreth 500 milionë lekë më shumë. Këto shifra reflektojnë qartë mbështetjen financiare për funksionimin e institucioneve të Drejtësisë”, u shpreh z. Malaj.
Projektbuxheti 2026 për sektorin e drejtësisë, tha më tej Ministri, parashikon rritje të shpenzimeve të personelit, rritje të shpenzimeve të mirëmbajtjes dhe operative si dhe të investimeve.
Shpenzimet për investime në vitin 2026 parashikohen rreth 2.6 miliardë lekë duke e çuar financimin në total nga viti 2016 në masën 20 miliardë lekë apo 200 milionë euro. Po ashtu, në nivele optimale janë buxhetuar edhe institucionet e tjera të pavarura kushtetuese, duke siguruar fillimisht financimin e plotë të indeksimit të pagave dhe nevojave të tjera shtesë, që janë prezantuar gjatë fazave të përgatitjes së Programit Buxhetor Afatmesëm 2026-2028.
Pas prezantimit nga Ministri i Financave dhe diskutimeve, Komisioni miratoi në parim projektbuxhetin e shtetit për vitin 2026.