Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në Konferencën e Kryetarëve projektbuxhetin e shtetit për vitin 2026, hartimi i të cilit ka marrë në konsideratë të gjitha angazhimet e Qeverisë, objektivat e zhvillimit ekonomik e socialë të vendit, si dhe prioritetet që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Europin.
Në fillim të fjalës së tij, Ministri Malaj theksoi se projektbuxheti 2026 reflekton prioritetet e programit të Qeverisë 2025-2029 për financa publike më të shëndosha, për financimin e Planit të Rritjes, zhvillimin gjithëpërfshirës të ekonomisë, por mbi të gjitha angazhmin konstant të qeverisë për rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë.
Projektbuxheti 2026, tha z. Malaj, është kontrata e qeverisë me qytetarët, përmes së cilës synohet dhe do të garantohet rritja e mëtejshme e standardit të jetesës të qytetarëve shqiptarë.
“Me 886.7 miliardë lekë shpenzime publike të parashikuara, fokusi do të jetë te mirëqenia sociale, te nxitja e investimeve për një infrastrukturë më moderne, te përsosja e sistemeve digjitale, te zhvillimi i energjisë së gjelbër, si dhe te zhvillimi i kapitalit njerëzor”, u shpreh z. Malaj, ndërsa shtoi se projektbuxheti është një hap i fortë përpara në zbatimin e Programit të Qeverisë 2025-2029, i cili synon ta afrojë më shumë Shqipërinë me BE.


Ministri informonoi se katër shtyllat kryesore të projektbuxhetit 2026 janë: Rritja ekonomike e qëndrueshme; Konsolidimi fiskal; Mirëqenia sociale; dhe Përshpejtimi i integrimit europian, ndërsa reforma e pensioneve është një ndër objektivat kryesorë të tij, ku duke nisur nga 1 Janari 2026 do të zbatohet rritja mujore e pensioneve, përveç indeksimit vjetore që do të zbatohet rregullisht.

Fjala e Ministrit Malaj në Konferencën e Kryetarëve-Prezantimi i projektbuxhetit 2026:

Sot kam nderin të prezantoj përpara jush projektbuxhetin për vitin 2026, të cilin në vijmësi do të kemi mundësi ta diskutojmë bashkërisht, në parim, por edhe në mënyrë më të detajuar në Komisionet Parlametare.
Hartimi i projektbuxhetit vjen si rezultat i një pune të gjatë, ku janë marrë në konsideratë të gjitha angazhimet e qeverisë, objektivat e zhvillimit ekonomik e socialë të vendit, si dhe prioritetet që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europin.
Nën drejtimin e Ministrisë së Financave, duke vlerësuar kontributin e të gjitha institucioneve në bashkërendimin e politikave, është punuar me përkushtim dhe profesionalizëm, bazuar në analiza të detajuara makroekonomike, vlerësime fiskale, si dhe parashikime të balancuara të të ardhurave e shpenzimeve.
Projektbuxheti 2026, i miratuar tashmë nga Këshilli i Ministrave dhe që paraqesim sot në këtë Konferencë, reflekton qartë prioritetet e programit të Qeverisë 2025-2029 për financa publike më të shëndosha, për financimin e Planit të Rritjes ( Growth Plan), zhvillimin gjithëpërfshirës të ekonomisë, por mbi të gjitha kombinimin dhe angazhmin tonë konstant për rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë, që është edhe kryefjala e këtij dokumenti.
E them këtë dhe dua ta theksoj sepse ky projektbuxhet nuk është thjesht një dokument financiar, ku ne rendisim indikatorët financiarë, apo ku listojmë projektet e ku flasim thjesht për paranë dhe sesi shpenzohet ajo.
Projektbuxheti 2026 është kontrata e qeverisë me qytetarët, kontrata për  zhvillimin e qëndrueshëm, kontrata përmes së cilës do të mbajmë nën kontroll financat publike, por mbi të gjitha kontrata përmes së cilës synojmë dhe do të garantojmë rritjen e mëtejshme të standardit të jetesës të qytetarëve shqiptarë.
Ky projektbuxhet është një hap i fortë përpara në zbatimin e Programit të Qeverisë 2025-2029, për të cilin jemi zotuar përmes këtij mandati e që synon ta afrojë më shumë Shqipërinë me Bashkimin Europian.
Me 886.7 miliardë lekë shpenzime publike të parashikuara, fokusi do të jetë te mirëqenia sociale, te nxitja e investimeve për një infrastrukturë më moderne, te përsosja e sistemeve digjitale, te zhvillimi i energjisë së gjelbër, si dhe te zhvillimi i kapitalit njerëzor.
Katër janë shtyllat kryesore të projektbuxhetit 2026 :

  • Rritja ekonomike e qëndrueshme;
  • Konsolidimi fiskal;
  • Mirëqenia sociale,
  • Përshpejtimi i integrimit europian.

Por, me shumë krenari mund të themi se një nga gurët e themelit të këtij buxheti është Reforma e Pensioneve.
Me fillimin e vitit 2026, ne do të nisim të vëmë në jetë atë çka kjo qeveri ka pemtuar, garantimin e një pensioni të drejtë për të gjithë atë shtresë të nderuar të qytetarëve që ka dhënë kontribut të çmuar për këtë vend.
Ndaj, duke filluar nga 1 janari 2026, përtej indeksimit vjetor që do të zbatohet rregullisht, do të zbatohet edhe rritja mujore e pensioneve e për të arritur deri në fund të mandatit që:

  • Pensioni urban me vite të plota pune të shkojë në 40 mijë lekë nga 27,350 lekë që është sot.
  • Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë nga 15,850 lekë që është sot.
  • Pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë nga 11,500 që është sot.
  • Pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë nga 11,400 lekë që është.
  • Pensioni i invaliditetit të shkojë 30 mijë lekë nga 20 mijë lekë që është aktualisht.

Kjo rritje e pensioneve, e buxhetuar për tre vite, nuk është thjesht një politikë sociale, por një politikë e domosdoshme që vjen në kushtet e konsolidimit ekonomik, si një mënyrë për t’u dhënë brezave që ndërtuan këtë vend, më shumë respekt dhe më shumë dinjitet.
Gjithashtu, një vëmendje të shtuar i është kushtuar edhe politikës së rritjes së pagave.
Nga 1 janari 2026, paga minimale do të rritet me 10,000 lekë, duke e çuar në 50,000 lekë.
Për të vazhduar më pas rritjen në 60,000 lekë në vitin 2028 dhe në 70,000 lekë në fund të mandatit, si një masë konkrete për garantimin e dinjitetin në punë, por edhe për t’u përafruar me vendet e tjera, në rajon e më gjerë.
Për herë të parë ne do të nisim për administratën publike, zbatimin e indeksimit të pagave një herë në dy vjet. Gjithashtu do të ketë rritje page më të lartë kryesisht për punonjësit e sektorëve mbështetës, por edhe për kategori të tjera. Kostoja totale e rritjes së pagës minimale, së bashku me indeksimin, parashikohet rreth 10 miliardë lekë dhe prek mbi 144 mijë punonjës të nivelit qendror dhe vendor.
Më duhet t’i komunikoja këto lajme të mira që në fillim të fjalës sime sepse për këtë qeveri, ashtu sikundër e ka dëshmuar edhe në momente të vështira, vëmendja kryesore janë qytetarët.
Nuk do të mund t’i përkthenim në politika konkrete këto nisma, nëse nuk do të kishim një ekonomi të fortë, të qëndrueshme dhe nëse nuk do të arrinim të ruanim stabilitetin makroekonomik e fiskal.
Të nderuar Kryetarë,
Për vitin 2025, rritja ekonomike do të jetë 3.9% në terma vjetorë, duke pasqyruar rritje pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë. Rritja përgjatë kësaj periudhe është gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, nga konsumi privat, nga investimet, si dhe nga ecuria e mirë e eksporteve të shërbimeve, në veçanti turizmi, i cili vijon të jetë një nga motorët e rëndësishëm të ekonomisë sonë.
Shkalla e papunësisë, nga ana tjetër, ka rënë në nivelin më të ulët historik prej 8.5% në tremujorin e dytë të vitit. Pjesëmarrja në forcat e punës është rritur më tej, duke arritur në 75.7% dhe norma e punësimit në nivelet e 68.5%. Këta tregues dëshmojnë se ekonomia po krijon më shumë mundësi punësimi dhe po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për fuqinë punëtore.
Inflacioni ka ndjekur një trajektore rënëse dhe të qëndrueshme. Pas kulmit që arriti në vitin 2022, inflacioni mesatar ra në 2.2% gjatë vitit 2024 dhe ka qëndruar në të njëjtin nivel edhe gjatë 9-mujorit të vitit 2025. Ky stabilitet reflekton normalizimin e çmimeve të mallrave, forcimin e monedhës vendase dhe efektet e politikave të kujdesshme monetare e fiskale.
Pozicioni i jashtëm i vendit është përmirësuar ndjeshëm, duke reflektuar forcimin e bazave makroekonomike dhe rritjen e qëndrueshmërisë së ekonomisë. Pas disa viteve me disbalanca në llogarinë korrente, ekonomia shqiptare po ruan ekuilibra më të qëndrueshëm në marrëdhëniet me jashtë. Deficiti i llogarisë korrente mbetet dukshëm më i ulët se në të kaluarën, duke dëshmuar për përmirësimin e strukturës ekonomike dhe konkurrueshmërisë së sektorëve të eksportit. Ky zhvillim lidhet ngushtë me reduktimin e deficitit fiskal dhe menaxhimin e kujdesshëm të financave publike.
Investimet e Huaja Direkte vijojnë rritje të qëndrueshme, të orientuara gjithnjë e më shumë drejt sektorëve me vlerë të shtuar, duke nxitur rritje ekonomike, punësimin dhe transformim të proceseve prodhuese.
Në tërësi, këto rezultate dëshmojnë se Shqipëria po ecën me ritme të qëndrueshme drejt forcimit të stabilitetit ekonomik dhe fiskal, duke siguruar një klimë më të favorshme për investime, si dhe duke afruar ekonominë me standardet e Bashkimit Evropian.
Financat publike mbeten shtylla kryesore e këtij stabiliteti, përmes menaxhimit të disiplinuar dhe borxhit publik gjithnjë e në ulje. Në vitin 2024, u arrit një balancë primare pozitive prej 1.4% të PBB-së, ndërsa Borxhi Publik zbriti në 54.2% të PBB-së, niveli më i ulët që prej vitit 2008.
Ky progres është reflektuar gjithashtu edhe në rritjen e besimit ndërkombëtar ndaj ekonomiasë shqiptare. Agjencitë më të njohura ndërkombëtare të vlerësimit, si Standard & Poor’s dhe Moody’s, rikonfirmuan vlerësimin “të qëndrueshëm” për Shqipërinë, një dëshmi e qartë e qëndrueshmërisë së politikave tona financiare.
Edhe në vitin 2026, ne do të vijojmë rrugën e konsolidimit fiskal, me një deficit buxhetor prej vetëm 2.3% të PBB-së, duke ruajtur balancë primare pozitive dhe duke zbritur borxhin publik në 53.6% të PBB-së, në fund të vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se Shqipëria po financon zhvillimin pa rrezikuar stabilitetin dhe ky është një dallim i qartë mes të qenit i përgjegjshëm më shumë sesa populist.
Të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen në masën 823.1 miliardë lekë ose sa 29.6% e PBB-së. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2025, të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen me rreth 52.9 miliardë lekë më shumë ose 530 milionë euro më shumë.
Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë projektuar bazuar në analizën e trendit historik shumëvjeçar të tyre, realizimit të pritshëm në vitin 2025 dhe faktorizimit të të gjithë elementëve që janë:

  • Rritja ekonomike;
  • Indeksi i çmimeve;
  • Politikat e reja dhe ato në zbatim tatimore dhe buxhetore;
  • si dhe të ardhurat shtesë nga miradministrimi, si rrjedhojë e zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.

Projeksionet e të ardhurave tatimore dhe kontributeve në buxhetin e vitit 2026, parashikojnë që impakti i rritjes nominale të ekonomisë së vendit në të hyrat buxhetore, krahasuar me buxhetin e vitit 2025, do të jetë rreth 51,7 miliardë lekë të ardhura shtesë.
Burimet kryesore të rritjes janë rreth 13.6 miliardë lekë nga efektet e politikave të reja tatimore dhe buxhetore propozuar për vitin 2026, rreth 20.9 miliardë lekë të ardhurat shtesë nga rritja ekonomike dhe rreth 12.3  miliardë lekë të ardhura shtesë nga zbatimi i masave të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.
Ministria e Financave, paralelisht me Buxhetin 2026, ka hartuar edhe Paketën Fiskale 2026, përmes së cilës parashikojmë disa ndryshime ligjore.
Dhe, JO nuk do të kemi rritje taksash dhe nuk do të kemi taksa të reja.
Përmes ndryshimeve, ne nuk synojmë vetëm rritjen e të ardhurave për arkën e shtetit, por edhe t’i vijmë në ndihmë Biznesit, Fermerit dhe natyrisht edhe Qytetarit.
Mund të përmend këtu disa nga politikat më të rëndësishme që janë të ërfshira në Paketën Fiskale:

  • Skemën e fermerëve, përmes kompensimit të TVSH-së në normën 10%, duke iu lënë në duar fermerëve rreth 1.5 miliardë lekë në vit ose 15 milionë euro në vit;
  • Rivlerësimin e pasurive të paluajtshme; Norma e rivlerësimit është 5 % dhe do zbatohet përgjatë gjithë vitit 2026.
  • Zbatimin e Paqes Fiskale, si një reformë që synon të ndërtojë një marrëdhënie të re besimi mes biznesit dhe shtetit.

Të nderuar Kryetarë,
Më lejoni tani që të kaloj tek një parashikim i thjeshtuar sa i takon investimeve publike dhe prioriteteve sociale, ose e thënë më thjeshtë se ku do të shkojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë:
Shpenzimet e planifikuara për vitin 2026 do të arrijnë në 886,7 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme që reflekton jo vetëm investimet në sektorët prioritarë, por edhe përgjegjësinë tonë buxhetore.
Investimet publike do të përfaqësojnë rreth 6.5% të PBB-së. Një fokus të veçantë do të ketë edhe te zbatimi i projekteve strategjike të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor ( Growth Plan) , që do të shndërrojnë Shqipërinë në një nyje të re zhvillimi rajonal.
Për sa i takon sektorëve prioritarë:
Arsimi, në vitin 2026 do përfitojë rreth 89.8 miliardë lekë ose 3.2% të PBB, me nje rritje nominale prej 4.3 miliardë lekë më shumë se sa viti 2025.
Ndër politikat kryesore mund të përmendim:

  • Tekste shkollore falas nga klasa e parë deri në klasën e nëntë për rreth 220 mijë nxënës;
  • Tekste shkollore falas për rreth 15 mijë nxënës nga shtesa sociale në nevojë në arsimin e mesëm të lartë;
  • Bursa financiare/kuotë ushqimore për 4000 nxënës me nevoja të veçanta;
  • Sigurim shërbim transporti falas për 35,000 nxënës dhe 13,500 mësues;

Për Shëndetësinë parashikohet të shpenzohen rreth 81.2 miliardë lekë ose 812 milionë euro, ose 2.9% e PBB, duke e rritur financimin për këtë sektor me rreth 4.9 miliardë lekë ose rreth 50 milionë euro më shumë se në vitin 2025. Më konrektisht mund të përmendim:

  • Trajtimi me recetë rimbursimi të barnave për rreth 400 mijë pacientë;
  • Financimin me 1.5 miliardë lekë më shumë për rimbursimin e barnave onkologjike në shërbimin parësor dhe sigurimin e tyre në të gjithë sistemin spitalor;
  • Financimi i paketave të miratuara të shërbimit spitalor në spitalet publike e jopublike përfshirë këtu paketën e re për trajtimin e trombektomisë;
  • Financimi i plotë i njehsimit të vjetërsisë së punonjësve të sistemit shëndetësor me atë të punonjësve të sistemit arsimor dhe nëpunësve të administratës publike;
  • Rikonstruksion i një sërë spitaleve rajonale dhe qendrave shëndetësore;
  • 180,000 fëmijë dhe 280,000 qytetarë do të përfitojnë nga mbrojtja nëpërmjet programit kombëtar të vaksinimit.

Mbrojtja Sociale –  Do të financohet në masën rreth 257.3 miliardë lekë ose rreth 9.2% e PBB, me një rritje prej 11.6 miliardë lekë apo rreth 116 milionë euro krahasuar me buxhetin e vitit 2025.
Disa nga zërat kryesorë janë:

  • Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 1 miliardë lekë;
  • Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 23.9 miliardë lekë.
  • Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.5 miliardë lekë;
  • Dhe për Bonusin e Bebeve është parashikuar një fond prej 2.3 miliardë lekë.

Për Bujqësinë shpenzimet buxhetore llogariten në rreth 16,3 miliardë lekë, ku ndër politikat kryesore mund të përmendim, jo vetëm mbështetjen buxhetore, por edhe mbështetjen përmes Garancisë Sovrane që do të vijojë edhe në vitin 2026, në masën 30 milionë euro, kredive të buta dhe kompensimin e TVSH-së për fermerët, etj..
Më konkretisht parashikohet:

  • Masa mbështetëse për rreth 15.000 përfitues që operojnë në këtë sektor për periudhën 2026-2028;
  • 30.000 përfitues nga skema e subvencionimit të naftës për bujqësinë për vitin 2026;
  • 300 përfitues nga Skema e investimeve me grant në fermë;
  • 2,6 miliardë lekë për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, nga të cilat 1.1 miliardë lekë mbështetje direkte për bashkitë.

Përsa i përket Mbrojtes – Parashikohet të përfitojë 2.12% të PBB-së në vitin 2026, si rrjedhojë e angazhimit të vendit tonë me NATO-n për të arritur nivelin e 3.5% të PBB për shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2035. Për këtë sektor alokohen rreth 10.2 miliardë lekë më shumë se sa në vitin 2025.
Shpenzimet për Infrastrukturën dhe Energjinë do të zënë 2.8% të PBB-së, ku ndër zërat kryesorë  mund të përmendim:

  • 3,522 km rrugë të mirëmbajtura sipas standardeve në vitet 2026-2028 në të gjithë territorin;
  • Financimin e rrugës Elbasan – Lekaj;
  • Zgjerimi i Autostradës Tiranë-Durrës dhe Berat-Ballaban;
  • Zgjerimi i rrugës Tiranë – Ndroq – Plepa;
  • Zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë;
  • Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Terminali pasagjerëve – Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Rinas;
  • Rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit;
  • Zgjerimi i aksesit dhe cilësisë së shërbimit të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve;

Shpenzimet buxhetore për Drejtësinë dhe Rendin do të zënë 2.1% të PBB-së, ku përfshihen 26.2 miliardë lekë për të siguruar realizimin optimal të veprimtarisë funksionale të institucioneve të sistemit të drejtësisë, si dhe zbatimin e disa projekteve të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve të rehabilitimit dhe vuajtjes së dënimit.
Në të njëjtën frymë, buxheti vendor 2026 parashikon rreth 97.7 miliardë lekë, me një rritje prej 9% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo është dëshmi se decentralizimi është realitet dhe jo retorikë.
Për vitin 2026, transferta e pakushtëzuar për çdo bashki parashikohet të ketë një rritje mesatare prej rreth 6.5%, ndërsa për qarqet rritja mesatare pritet të jetë rreth 4.1%, krahasuar me vitin paraardhës. Krahasuar me vitin 2025, kjo transfertë është rritur me 1.6 miliardë lekë apo 16 milionë euro, ose 6% më shumë, ndërsa në raport me vitin 2015, është mbi 155 milionë euro më e lartë, duke u dyfishuar në vlerë.
Rritja e transfertës së pakushtëzuar dhe grantet e performancës për bashkitë janë mjete të drejtpërdrejta në dobi të mirëqeverisjes lokale, si dhe për të nxitur efikasitetin e zbatimit të projekteve.
Në përfundim të fjalës sime, më lejoni të ritheksoj se në këtë projektbuxhet, ai që na udhëheq është parimi tërësisht social dhe përmes tij garantojmë:

  • Rritje reale të pagave;
  • Rritje mujore dhe indeksim të pensioneve ;
  • Mbështetje për shtresat më në nevojë;
  • Më shumë investime në arsim, shëndetësi, bujqësi, mbrojtje, etj.

Ne gjithashtu do të rrisim besimin e biznesit, duke garantuar stabilitet fiskal, siguri juridike dhe reforma që e bëjnë klimën e investimeve më konkurruese dhe më të drejtë. Përmes Paqes Fiskale, digjitalizimit të administratës tatimore dhe uljes së informalitetit, po ndërtojmë një mjedis ku biznesi ndihet i mbështetur dhe i trajtuar në mënyrë të barabartë.
Çdo politikë fiskale që miratojmë është në funksion të përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke harmonizuar standardet, legjislacionin dhe kulturën e përgjegjësisë publike.
Ndaj të nderuar Kryetarë,
Projektbuxheti 2026 ruan ekuilibrat makroekonomikë, por mbi të gjitha, ekuilibrin social të shoqërisë sonë me synimin afatgjatë të stabilitetit dhe progresit.