Ministria e Financave

Ministri i Financave z.Petrit Malaj, nënshkroi sot në Paris me Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) znj. Fabrizia Lapecorella,  “Konventën Shumëpalëshe për Lehtësimin e Zbatimit të Shtyllës së Dytë Subjekt i Rregullit Tatimor” (STTR MLI).
Nënshkrimi i kësaj Konvente është pjesë e masave, në kuadër të projektit ndërkombëtar BEPS, pjesë e të cilës Shqipëria është që prej vitit 2019.
STTR është një pjesë integrale e konsensusit të arritur nga Kuadri Gjithëpërfshirës i Projektit Ndërkombëtar BEPS, për Shtyllën e Dytë të zgjidhjeve (Pillar 2) mbi rregullat globale kundër erozionit të bazës tatimore, që synojnë të adresojnë sfidat tatimore që rrjedhin nga digjitalizimi i ekonomisë.

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Financave u shpreh se Shqipëria do të mund të përmbushë me efikasitet më të lartë angazhimet e saj, duke qenë se qëllimi kryesor i Konventës është të ndihmojë në rritjen e transparencës dhe integritetit të sistemit ndërkombëtar të tatimeve.
Ministria e Financave do të vijojë të jetë e angazhuar për të nxitur drejtësinë tatimore, rritjen e të ardhurave, për të parandaluar zhvendosjen e fitimeve, si dhe për garantimin qëndrueshmërisë fiskale, në dobi të një klime më të mirë të të bërit biznes.

***
Rreth STTR-s:
Rregulli i Tatimit Minimal të Shtyllës Dy (The Pillar Two Subject to Tax Rule/STTR) është një dispozitë e bazuar në traktat, që zbatohet mbi një grup të përcaktuar pagesash brenda grupit ndërkufitar. Kur këto pagesa tatohen me një normë të tatimit mbi fitimin më të ulët se 9% në vendin e rezidencës së përfituesit, atëherë vendi i burimit ka të drejtë të tatojë këto të ardhura deri në atë nivel minimal.