Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë aktin normativ nr.3, datë 29.04.2025, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025”. Përmes këtij akti normativ është bërë i mundur financimi i pjesëmarrjes së qeverisë shqiptare në startup-in “Thinking Machines Lab”, me një fond prej 1 miliard lekësh. Ndryshimet e miratuara në buxhetin e shtetit konsistojnë në:
Rritjen me 1 miliard lekë të të Ardhurave Jotatimore, si rezultat i derdhjes në buxhetin e shtetit nga ana e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara/ AAPSK ;
Rritjen me 1 miliard lekë të shpenzimeve kapitale në zërin “Financim i brendshëm” të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me qëllim transfertën kapitale tek Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) sh.a, për financimin e pjesëmarrjes së Qeverisë shqiptare në projektin e investimit startup “Thinking Machines Lab”;
Ruajtjen e pa prekur të Deficitit Buxhetor, i cili pas ndryshimeve të mësipërme në të ardhura dhe shpenzime, vazhdon të qëndrojë në nivelin rreth 68 miliardë lekë, sikundër është miratuar edhe në buxhetin fillestar 2025.
Gjatë fjalës së tij, Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, theksoi se një investim i tillë nuk duhet parë vetëm si një angazhim financiar, por si një mundësi strategjike për të ndërtuar të ardhmen teknologjike të Shqipërisë, për të pozicionuar vendin tonë si një pikë referimi për inovacionin në rajon dhe më gjerë, si dhe për të krijuar një ekonomi më të avancuar, të lidhur me tregjet globale të teknologjisë dhe kapitalit.

Po gjatë seancës së sotme plenare, Ministri Petrit Malaj prezantoi edhe tre nisma të tjera ligjore të propozuara nga Ministria e Financave:
1.Projektligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Bashkimit “Doganat””. Ky program është një nismë thelbësore e BE që synon të forcojë bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet autoriteteve doganore të shteteve anëtare dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse, siç është rasti i Shqipërisë.
2.Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi, për financimin e “Mbështetjes për Buxhetin e Përgjithshëm për Përpjekjet për Zhvillim”, nëpërmjet akordimit të një huaje në shumën 20 milionë dollarë.
3.Projektligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE GROUP) dhe BERZH për projektin e qëndrueshmërisë së OSHEE-së”.
Qëllimi i projektligjit është të sigurojë për OSHEE-në garancinë që do t’i ofrojë mundësinë për të përfituar një financim nga BERZH në vlerën prej rreth 45.7 milionë euro, të cilat do të përdoren për rifinancimin e detyrimeve të OSHEE.