Ministry of Finance

Në kuadër të përgatitjeve për procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, gjatë vitit 2026, Ministria e Financave ka organizuar dhe vijon të organizojë një sërë tryezash diskutimi në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE), të fokusuara në Kapitullin 16 “Tatimet”, Kapitullin 29 “Bashkimi Doganor”, Kapitullin 32 “Kontrolli Financiar” dhe Kapitullin 33 “Dispozitat Financiare dhe Buxhetore”.

Këto aktivitete përbëjnë një instrument të rëndësishëm për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, komunitetit akademik, biznesit, partnerëve socialë dhe pushtetit vendor, duke promovuar transparencën, gjithëpërfshirjen dhe pjesëmarrjen aktive në procesin e integrimit evropian.

Tryezat e diskutimit në kuadër të PPIE synojnë:

  • rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi procesin e integrimit evropian;
  • informimin e aktorëve të interesuar mbi zhvillimet dhe hapat konkretë të negociatave të anëtarësimit;
  • nxitjen e pjesëmarrjes aktive të aktorëve joqeveritarë në diskutimin e politikave dhe reformave që lidhen me procesin e anëtarësimit në BE;
  • mbledhjen e kontributeve dhe rekomandimeve nga grupet e interesit për çështje që lidhen me kapitujt e negociatave.

Në kalendarin e aktiviteteve të PPIE-së sipas kapitujve nën drejtimin e Ministrisë së Financave, do të gjeni temat konkrete që do të trajtohen gjatë vitit 2026. Ndër çështjet kryesore për diskutime do të përfshihen:

  • roli dhe rëndësia e PPIE-së në garantimin e angazhimit publik dhe përfshirjes së shoqërisë civile në procesin e integrimit evropian;
  • përgatitja e kuadrit legjislativ dhe institucional në përputhje me acquis të Bashkimit Evropian sipas kapitujve;
  • piketat mbyllëse (closing benchmarks) të përcaktuara në Qëndrimet e Përbashkëta të Bashkimit Evropian;
  • zhvillimet dhe rezultatet e mbledhjeve të Nënkomiteteve BE–Shqipëri në fushat dhe kapitujt e mbuluara nga Ministria e Financave.

Mbi takimet e Platformës për Kapitullin 16 “Tatimet”

Kapitulli 16 i acquis të Bashkimit Evropian, “Tatimet”, synon harmonizimin e sistemit tatimor të vendeve kandidate me legjislacionin dhe standardet e Bashkimit Evropian. Ky kapitull fokusohet kryesisht në tatimet indirekte, veçanërisht në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe akcizat, duke synuar përafrimin dhe zbatimin e tyre në përputhje me rregullat e tregut të brendshëm të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, kapitulli përfshin çështje që lidhen me tatimet direkte, bashkëpunimin administrativ ndërmjet autoriteteve tatimore, shkëmbimin e informacionit për qëllime fiskale, si dhe masat për parandalimin dhe luftimin e evazionit fiskal, mashtrimit dhe shmangies së detyrimeve tatimore.

Në këtë kuadër, ju paraqesim më poshtë draftin paraprak të temave të propozuara për t’u trajtuar gjatë vitit 2026, periudha qershor-dhjetor, në kuadër të Tryezës së Kapitullit 16 “Tatimet”:

  • Diskutim mbi projektligjet dhe aktet nënligjore që lidhen me procesin e përafrimit të legjislacionit kombëtar me acquis-in e Bashkimit Evropian;
  • Informim mbi kontributin e dytë për Raportin e Progresit 2026 për Shqipërinë në kuadër të Kapitullit 16 “Tatimet”;
  • Informim mbi ecurinë vjetore në Kapitull dhe raportimin në Nënkomitetin Shqipëri–BE për “Tregtinë, Industrinë, Tatimet dhe Doganat”;
  • Informim mbi zhvillimet e sistemeve digjitale në fushën e tatimeve;
  • Informim mbi publikimin dhe gjetjet kryesore të Raportit të Progresit 2026 për Shqipërinë për Kapitullin 16 “Tatimet”;
  • Informim mbi ecurinë e përmbushjes dhe adresimit të piketave mbyllëse për Kapitullin 16 “Tatimet”;
  • Diskutim mbi planifikimin e objektivave dhe prioriteteve për vitin 2027.

Përmes trajtimit të temave të propozuara synohet mbështetja e procesit të përafrimit të legjislacionit me acquis të Bashkimit Evropian, si dhe forcimi i dialogut dhe bashkëpunimit me institucionet dhe grupet e interesit të përfshira në procesin e integrimit evropian.

Mbi takimet e Platformës për Kapitullin 29 “Bashkimi Doganor

Acquis e bashkimit doganor përbëhet nga legjislacioni i cili është drejtpërdrejt i detyrueshëm për Shtetet Anëtare. Ai përfshin Kodin Doganor të BE-së dhe dispozitat zbatuese të tij, nomenklaturën e kombinuar të mallrave, tarifën e përbashkët doganore, dispozitat për klasifikimin tarifor, lehtësimet doganore, pezullimet e detyrimeve, disa kuota tarifore, si dhe dispozita të tjera si ato që lidhen me kontrollin doganor të mallrave të falsifikuara dhe të piratuara, prekursorët  e drogave, eksportin e mallrave kulturore, si edhe ndihmën e ndërsjellë administrative në çështjet doganore dhe tranziti.

Në këtë kuadër, ju paraqesim më poshtë draftin paraprak të temave të propozuara për t’u trajtuar gjatë vitit 2026, periudha qershor–dhjetor, në kuadër të Tryezës së Kapitullit 29 “Bashkimi Doganor”:

  • Diskutim mbi projektaktet që lidhen me procesin e përafrimit të legjislacionit kombëtar me acquis-in e Bashkimit Evropian;
  • Informim mbi kontributin e dytë për Raportin e Progresit 2026 për Shqipërinë në kuadër të Kapitullit 29 “Bashkimi Doganor”;
  • Informim mbi ecurinë vjetore në Kapitullin 29 dhe raportimin në Nënkomitetin Shqipëri–BE për “Tregtinë, Industrinë, Tatimet dhe Doganat”;
  • Informim mbi zhvillimet e sistemeve digjitale në fushën doganore;
  • Informim mbi publikimin dhe gjetjet kryesore të Raportit të Progresit 2026 për Shqipërinë për Kapitullin 29 “Bashkimi Doganor”;
  • Informim mbi ecurinë e përmbushjes dhe adresimit të piketave mbyllëse për Kapitullin 29 “Bashkimi Doganor”;
  • Diskutim mbi planifikimin e objektivave dhe prioriteteve për vitin 2027.

Mbi takimet e Platformës për Kapitullin 33 “Dispozitat Financiare e Buxhetore

Kapitulli 33 i acquis-it të Bashkimit Evropian trajton dispozitat financiare dhe buxhetore, duke u fokusuar në sistemin e burimeve të veta që përbëjnë të ardhurat e buxhetit të BE-së. Në këtë kuadër, çdo shtet anëtar ka të drejtën të përfitojë nga fondet e BE-së, por njëkohësisht ka edhe detyrimin të kontribuojë në këtë buxhet sipas rregullave të përcaktuara. Buxheti i BE-së financohet nga këto katër kategori kryesore burimesh:

  • Të ardhurat tradicionale vetjake
  • Burimi i bazuar në TVSH
  • Burimi i bazuar në të Ardhurat
  • Burimi i bazuar në plastikën e pa ricikluar

Në këtë kuadër, ju paraqesim më poshtë draftin paraprak të temave të propozuara për t’u trajtuar gjatë vitit 2026, periudha qershor–dhjetor, në kuadër të Tryezës së Kapitullit 33 “Dispozitat Financiare e Buxhetore”:

  • Diskutim mbi projektaktet që lidhen me procesin e përafrimit të legjislacionit kombëtar me acquis-in e Bashkimit Evropian;
  • Informim mbi kontributin e dytë për Raportin e Progresit 2026 për Shqipërinë në kuadër të Kapitullit 33 “Dispozitat Financiare e Buxhetore”:
  • Informim mbi ecurinë vjetore të Kapitullit 33 dhe raportimin në Nënkomitetin Shqipëri–BE për “Çështjet Ekonomike, Financiare dhe Statistikat”;
  • Informim mbi zhvillimet e sistemeve në fushën tatimore e doganore të lidhura me Kapitullin 33;
  • Informim mbi publikimin dhe gjetjet kryesore të Raportit të Progresit 2026 për Shqipërinë për Kapitullin 33 “Dispozitat Financiare e Buxhetore”;
  • Informim mbi ecurinë e përmbushjes dhe adresimit të piketës mbyllëse për Kapitullin 33 “Dispozitat Financiare e Buxhetore”;
  • Diskutim mbi planifikimin e objektivave dhe prioriteteve për vitin 2027.

Mbi takimet e Platformës për Kapitullin 32 “Kontrolli Financiar”

Kapitulli 32 “Kontrolli Financiar” fokusohet në ndërtimin e një sistemi të fortë dhe efikas për menaxhimin e fondeve publike në Shqipëri, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Ai përfshin mekanizmat për monitorimin, auditimin dhe kontrollin e shpenzimeve publike, si dhe parandalimin dhe luftimin e mashtrimeve financiare, duke mbrojtur interesat financiare të BE-së dhe të buxhetit të shtetit.

Ky kapitull siguron gjithashtu bashkëpunim të ngushtë me institucionet evropiane, si me OLAF-in, dhe vendos kërkesat për transparencë, integritet dhe efikasitet në administratën financiare, duke i mundësuar Shqipërisë të zbatojë legjislacionin dhe procedurat financiare të BE-së në mënyrë të qëndrueshme dhe të besueshme.

Kapitulli 32 “Kontrolli Financiar” përfshin katër nënkapituj kryesorë:

  • Kontrolli e Brendshëm Financiar Publik
  • Auditimi i Jashtëm
  • Mbrojtja e interesave financiare të BE-së
  • Mbrojtja e euros kundër falsifikimit.

Në këtë kuadër, ju paraqesim më poshtë draftin paraprak të temave të propozuara për t’u trajtuar gjatë vitit 2026, periudha qershor–dhjetor, në kuadër të Tryezës së Kapitullit 32 “Kontrolli Financiar”:

  • Diskutim mbi projektaktet që lidhen me procesin e përafrimit të legjislacionit kombëtar me acquis-in e Bashkimit Evropian;
  • Informim mbi kontributin e dytë për Raportin e Progresit 2026 për Shqipërinë në kuadër të Kapitullit 32 “Kontrolli Financiar”;
  • Informim mbi ecurinë vjetore të Kapitullit 32 dhe raportimin në Nënkomitetin Shqipëri–BE për Çështjet Ekonomike, Financiare dhe Statistikat;
  • Informim mbi publikimin dhe gjetjet kryesore të Raportit të Progresit 2026 për Shqipërinë për Kapitullin 32 “Kontrolli Financiar”;
  • Informim mbi ecurinë e përmbushjes dhe adresimit të piketave mbyllëse për Kapitullin 32 “Kontrolli Financiar”.

*Informojmë se të gjithë anëtarët e Tryezës së Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian në nivel kapitulli, do të njoftohen paraprakisht, përpara zhvillimit të çdo takimi, duke u përcjellë axhendën për diskutim.

Temat e diskutimit mund të jenë objekt ndryshimi, në varësi të çështjeve prioritare që do të kërkojnë trajtim gjatë periudhës përkatëse.