Postuar më: 05/12/2013

Zv/ministri i Financave, Ervin Mete mbledh Këshillin Tatimor

Nën drejtimin e zv/ministrit të Financave, Ervin Mete, u zhvillua sot pasdite, mbledhja e Këshillit Tatimor, e cila përbëhet nga 18 anëtarë, ku 12 vende përfaqësohen nga grupet e interesit privat dhe ekspertëve më të mirë të fushës fiskale.

Mandati i anëtarëve të deritanishëm kishte mbaruar prej më shumë se një viti dhe në këtë kuadër ishte e detyrueshme përzgjedhja e Këshillit të ri Tatimor, ku ndër të tjerë, bën pjesë Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj dhe Avokati i Tatimpaguesve, Artur Papajani.

 

Pas prezantimit, zv/ministri i Financave, Ervin Mete theksoi që në fillim se “me Këshillin e ri Tatimor do të vendosen të tjera linja komunikimi, më të forta, të sigurta dhe transparente, në mënyrë që procesi i informimit dhe i mirëfunksionimit të procedurave tatimore dhe i ligjeve fiskale të jetë më korrekt”.

 

“Para se të nisim me rendin e ditës, kërkoj të sqaroj, në respekt dhe në detyrim ndaj biznesit, ecurinë e deritanishme të hartimit të paketës fiskale. Aktualisht paketa po diskutohet me ekspertët e misionit të FMN dhe besoj që në fillim të javës tjetër do t’ju prezantohet më konkretisht”, u shpreh zv/ministri Mete.

 

Në bazë të procesit të votimit, anëtarët e Këshillit Tatimor zgjodhën bashkëkrytare të Këshillit, Laureta Këllicin, e cila përfaqëson Dhomën Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë.

 

 

Këshilli Tatimor, është organ këshillimor pranë Ministrit të Financave. Ai është një forum teknik këshillimi dhe bashkëpunimi për dhe ndërmjet Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe tatimpaguesve.

Ky Këshill ka për qëllim diskutimin e problematikave dhe propozimin e masave, që do të bënin të mundur zbatimin e legjislacionit tatimor me një kosto më të ulët administrative për administratën tatimore dhe me një kosto më të ulët financiare për tatimpaguesit.

 

Këshilli Tatimor përbëhet nga 18 anëtarë, prej të cilëve 12 janë përfaqësues të tatimpaguesve dhe 6 janë përfaqësues të institucioneve publike.

 

Përfaqësuesit e tatimpaguesve përbëhen nga përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe industrisë, të shoqatave të tjera të biznesit, të shoqatave profesionale të ekspertëve kontabël, të shoqatave të tjera të organizuara mbi bazë profesioni, të rregulluara me ligj të veçantë, si dhe të organizatave të tjera jofitimprurëse, që përfaqësojnë grupe të mëdha tatimpaguesish.

 

Përfaqësuesit e institucioneve publike përbëhen nga përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

 

Këshilli Tatimor kryesohet nga dy bashkëkryetarë, përkatësisht zëvendësministri i Financave, që mbulon çështjet e tatimeve, dhe një anëtar, përfaqësues i tatimpaguesve në këtë Këshill.

 

Sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi, Këshilli Tatimor duhet  të mblidhet, të paktën çdo tre muaj dhe jo më pak se katër herë në vit. Këshilli Tatimor është mbledhur për herë të fundit në tetor 2012, kohë në të cilën ka mbaruar edhe mandati i anëtarëve të tij.

Të rejat e fundit