Postuar më: 13/05/2022

Zvicra-105 milionë franga mbështetje për politikat e qeverisë, klimën e biznesit dhe shtetit ligjor

Zvicra do të mbështesë qeverinë shqiptare për zbatimin e reformave, të cilat do të përmirësojnë demokracinë dhe shtetin ligjor, klimën e biznesit dhe kushtet e jetesës së qytetarëve shqiptarë.

Kjo mbështetje do të mundësohet përmes Programit të Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri për periudhën 2022-2025.

Programi u bë publik në një aktivitet, ku merrnin pjesë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj; Ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Adrian Maitre; Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Zvicerane, Patricia Danzi; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministra të qeverisë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe falënderoi qeverinë zvicerane për mbështetjen që ka dhënë në vite dhe vazhdon të japë për Shqipërinë.

“Mbështetja e partnerëve ndërkombëtare është e rëndësishme për të konsoliduar një kuadër të besueshëm makroekonomik, një mjedis të përmirësuar biznesi, miqësor me inovacionin, konkurrues e produktiv, si dhe që inkurajon punësimin e të rinjve. Të gjithë këto elementë do të shërbejnë që ekonomia në vijim të rritet në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, falë edhe bashkëpunimit publik – privat”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se Programi i Bashkëpunimit 2022-2025 nuk është vetëm një Strategji, por një dokument për të dy palët, për të çuar përpara projekte konkrete të cilat mbështesin reformat kryesore të qeverisë.

Ministrja shprehu besimin se prioritetet e këtij Programi kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, zbatimin e reformave në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe sektorit privat, si dhe për progresin e Shqipërisë në arritjen dhe përmbushjen e standardeve dhe vlerave evropiane.

“Angazhimi financiar i parashikuar për periudhën 2022-2025 është 105 milionë franga zvicerane në formë grantesh. Kjo është një shifër jashtëzakonisht kuptimplotë e cila do të na shtyjë për të bashkëpunuar më mirë, për të bashkërenduar dhe koordinuar punën më mirë, ndërmjet qeverisë dhe të gjithë partnerëve tanë të zhvillimit, në mënyrë që burimet njerëzore dhe financiare të shkojnë aty ku duhet dhe të mos shpenzohen kot”, tha Ibrahimaj.

Gjatë periudhës 2022-2025, Shqipëria dhe Zvicra do të punojnë për orientimin e reformave dhe arritjen e rezultateve në katër fusha: qeverisje demokratike; zhvillim ekonomik i qëndrueshëm dhe punësim; shërbime infrastrukturore dhe ndryshimet klimaterike; dhe shëndetësi.

 

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

 

E nderuar znj. Danzi,

I nderuar z. Ambasador Maitre,

Të nderuar pjesëmarrës,

Në fakt pjesëmarrja në këtë aktivitet tregon qartë për bashkëpunim, për gjithëpërfshirje dhe për të gjitha ato vlera që bashkëpunimi i qeverisë shqiptare me qeverinë zvicerane ka pasur që nga viti 1992.

Jam e lumtur që sot përfaqësoj qeverinë shqiptare në këtë event të veçantë ku së bashku me një nga partnerët tanë kryesorë, Qeverinë Zvicerane, nisim një fazë të re të programit të bashkëpunimit, si shenjë e rëndësishme e partneritetit të ngushtë mes dy vendeve tona.

Zvicra e ka mbështetur qeverinë shqiptare në tranzicionin e saj politik, social dhe ekonomik që prej vitit 1992.

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës që prej atëherë janë përqendruar në fusha të ndryshme si:  tregtia, bashkëpunim ekonomik, mbrojtja e investimeve, siguria sociale, pra në të gjitha aspektet më të rëndësishme.

Jam e kënaqur që edhe Shqipëria do të jetë e aftë të shkëmbejë përvojat e saj të mira në kuadër të pjesëmarrjes së ardhshme të Zvicrës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ne do të kemi mundësinë të japim kontributin tonë, në një hap tjetër të zhvillimit të qeverisë zvicerane.

Të dy vendet ndajnë interesin e tyre të përbashkët në zhvillimin dhe stabilizimin e rajonit të Ballkanit dhe qeveria zvicerane na ka mbështetur gjithmonë në rolin tonë si lider proaktiv në bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perëndimor. Ndër të tjera, Zvicra është ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe për këtë dëshirojmë ta falënderojmë.

Bashkëpunimi që prezantohet sot nuk është vetëm një strategji e radhës, por është një dokument pune për të dy palët, për të çuar përpara projekte konkrete të cilat mbështesin dhe janë të bazuara në reformat kryesore të qeverisë.

Ky dokument vjen në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, rajonin dhe për botën kur Shqipëria, ku të gjithë po përjetojmë një sfidë të madhe, të paqes dhe të ekonomisë.

Sfida e paqes na vë të gjithëve përpara një emergjence të madhe për të rritur sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.

Ne besojmë se zhvillimet dhe prioritetet e shprehura në Programin e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri 2022-2025 kanë rëndësi të veçantë:

për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë,

për zbatimin e reformave në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe sektorit privat,

si dhe në progresin e Shqipërisë në arritjen dhe përmbushjen e standardeve dhe vlerave evropiane.

Për hartimin e këtij dokumenti janë organizuar këshillime të ndryshme me institucionet publike, shoqërinë civile, sektorin privat, rininë dhe partnerët e tjerë.

Për këtë dua të falënderoj Ambasadën Zvicerane, Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Sekretariatin e Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO).

Nëpërmjet këtij programi, gjatë periudhës 2022-2025 , të dy vendet tona do të punojnë për orientimin e reformave dhe arritjen e rezultateve në katër fushat kryesore që u përmendën:

qeverisja demokratike,

zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm dhe punësimi,

shërbimet infrastrukturore dhe ndryshimet klimaterike,

dhe shëndetësia.

Ky është një dokument me objektiva konkretë, i cili parashikon të adresojë sfidat në  lidhje  me:  ndërtimin e shtetit demokratik, me zhvillimin e qëndrueshëm dhe zbatimin e reformave përkatëse, që qeveria shqiptare tashmë ka ndërmarrë.

Angazhimi financiar i parashikuar për periudhën 2022-2025 është 105 milionë franga zvicerane në formë grantesh.

Kjo është një shifër jashtëzakonisht kuptimplotë e cila do të na shtyjë për të bashkëpunuar më mirë, për të bashkërenduar dhe koordinuar punën më mirë, ndërmjet qeverisë dhe të gjithë partnerëve tanë të zhvillimit, në mënyrë që burimet njerëzore dhe financiare të shkojnë aty ku duhet dhe të mos shpenzohen kot.

Ky program është puna që do të bëjmë ne në 4 vitet e ardhshme. E megjithatë, është e rëndësishme që puna e kryer dhe kthimi i kokës prapa të ketë vazhdimësi, të ketë fleksibilitet dhe adaptim.

Por, duhet të na shërbejë si udhërrëfyes për të arritur reformat që duam. Duhet matur në kohë, duhet këmbëngulje, duhet vazhdimësi.

Gjatë periudhës 2018-2021, portofoli zviceran për zhvillimin ekonomik dhe punësimin pati në qendër:

qëndrueshmërinë makroekonomike;

zhvillimin e sektorit privat dhe punësimin e të rinjve;

dhe zhvillimin e aftësive profesionale.

 

Sot fal bashkëpunimit me qeverinë zvicerane rezultatet e arritura janë të shumta.

Sot, proceset buxhetore të orientuara drejt performancës, borxhi publik dhe rreziqet financiare menaxhohen më mirë.

Banka Qendrore ka forcuar kapacitetin e saj për hartimin e politikës monetare falë përmirësimit që ka pësuar nga mbështetja e SECO, për t’iu përgjigjur tronditjeve të jashtme.

Sektori financiar jo-bankar është më i zhvilluar dhe më i qëndrueshëm, falë përmirësimit të kuadrit rregullator.

Shqipëria ka përmirësuar tashmë regjimin mbi falimentin dhe sistemin e raportimit financiar të kompanive, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe standardet e BE-së.

Shoqëritë e përzgjedhura (në veçanti NVM dhe bizneset e reja) kanë forcuar konkurrueshmërinë e tyre në rang ndërkombëtar përmes një ekosistemi më të fortë sipërmarrës.

Janë hapur 3,600 vende pune të reja, janë punësuar 820 të rinj, 17,627 personave iu është ofruar formim profesional, e të tjera angazhime si këto që tregojnë se ne kemi arritur që të kemi një bashkëpunim më të mirë dhe një përfshirje më të mirë dhe të partnerëve tanë në bizneset private.

Të gjitha këto kanë pasur një fokus dhe një përqendrim në arritjet e indikatorëve edhe të barazisë gjinore.

Mbështetja e partnerëve ndërkombëtare është e rëndësishme për të konsoliduar një kuadër të besueshëm makroekonomik, një mjedis të përmirësuar biznesi, miqësor me inovacionin, konkurrues e produktiv, si dhe që inkurajon punësimin e të rinjve .

Të gjithë këto elementë do të shërbejnë që ekonomia në vijim të rritet në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, falë edhe bashkëpunimit publik – privat.

Me lejoni të theksoj edhe një herë se ky program është në përputhje me prioritetet që Qeveria Shqiptare ka vendosur dhe që janë pjesë e pazëvendësueshme e reformave të nevojshme për integrimin e vendit në BE, por edhe e Strategjisë së re Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZhI).

Reformat që do të ndërmerren përmes këtij programi do të përmirësojnë demokracinë, shtetin ligjor, klimën e biznesit dhe kushtet e jetesës së shqiptarëve.

Do të kontribuojnë në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ) dhe do të mbështesin Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian.

Cilësia do të jetë fjala kyçe për zbatimin e punës sonë të përbashkët në vitet në vijim.

Unë dua ta mbyll fjalën time me një falënderim të veçantë për qeverinë zvicerane dhe mbështetjen  e vazhdueshme të të gjithë partnerëve tanë, të cilët janë padyshim një ndihmesë e madhe që ne të arrijmë objektivat e synuar për zhvillimin e vendit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë.

 

Faleminderit.