Postuar më: 08/04/2019

Zv. Ministrja Ikonomi: Politika incentivuese për mbështetjen e investimeve të huaja

Zv.Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Belinda Ikonomi, zhvilloi një vizitë në kompaninë “PSZ Albania”, e cila është një kompani me kapital gjerman në sektorin e manifakturës, nën sektori Elektronikë & Elektromekanikë, që ushtron aktivitetin ekonomik që prej vitit 2013 në vendin tonë.

“PSZ Albania” operon në fushën e montimit të kabllove, elementëve drejtues, si dhe komponentëve elektronikë dhe elektromekanikë, për sistemet e ngrohjes, sisteme inxhinjerike mjekësore. Kompania është pjesë e grupit të suksesshëm Gjerman “PSZ Electronic GMBH”.

Kompania e ka nisur aktivitetin e saj në Shqipëri me 9 punonjës dhe aktualisht numëron rreth 290 të punësuar, ndërkohë që planifikon të hapë një filial të dytë në vitet në vijim dhe të zgjerojë numrin e të punësuarve brenda dy viteve me 200 persona. Vlera e investimit të kompanisë kap shifrën e 1.5 milionë euro dhe brenda vitit 2019 do të investohet rreth 800 mijë euro.

Aktualisht eksporton për disa kompani gjermane dy herë në javë dhe synon që brenda vitit 2019 eksporti të shkojë deri në katër herë në javë.

Administratori shqiptar i “PSZ Albania”, Leonard Cëraku vlerësoi bashkëpunimin me zyrat e Punës për rekrutimin e punonjësve dhe theksoi nevojën për punonjës të kualifikuar për sektorin e manifakturës, të cilët mund të trajnohen përmes qendrave të trajnimit profesional nga zyrat e Punës.

“Kemi filluar aktivitetin në vitin 2013 me rreth 9 persona. Gjatë këtyre viteve kemi arritur që të kemi një rritje të suksesshme. Sot jemi me 290 veta dhe synimi është për në vazhdimësi që të kemi rreth 500 punonjës brenda kësaj zone, dhe synimi tjetër 5 vjeçar është që të hapim një kompani të dytë, diku në rrethina të tjera të Shqipërisë”, u shpreh z. Cëraku.

Zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Belinda Ikonomi vlerësoi ecurinë e kompanisë vetëm në kaq pak vite dhe theksoi se synimi kryesor i politikave të qeverisë ka qenë pikërisht krijimi i një kuadri të liberalizuar të tregtisë dhe incentivimi i biznesit.

“Nxitja e investimeve të huaja dhe padyshim mbikqyrja e tyre, dhënia e asistencës përgjatë çfo faze investimi është mjaft e rëndësishme pasi padyshim kjo lidhet me zhvillimin ekonomik të vendit dhe me nxitjen e punësimit”, u shpreh znj. Ikonomi.

Madje, Zv.Ministrja vuri në dukje faktin se për nxitjen e biznesit në sektorin ku operon kompania në fjalë do ndërmerren në vijim politika të reja.

“Ministria e Financave është duke punuar për reduktimin e barrierave jo tarifore, pra pikërisht për tarifat e shërbimeve për proceset e import- eksportit, dhe vërtet shpresojmë që shumë shpejt ta ndiejnë edhe vetë bizneset që lehtësimi i këtyre tarifave mund të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të tyre”, sqaroi znj. Ikonomi.

Sipas Zv.Ministres së Financave dhe Ekonomisë, një rol në rëndësishëm ka dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, e cila është gjithmonë në mbështetje të vazhdueshme të bizneseve, duke qenë në konakt me bizneset dhe duke referuar problematikat në institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e tyre, në mënyrë që të krijohet sa më shumë hapësirë për zhvillimin e tyre.