Postuar më: 14/04/2016

Varfëria luftohet me reforma! Reforma në drejtësi, garanci për zhvillimin e qendrueshëm ekonomik!

Unë do të dua të bie 100% dakord me deputetin Blushi për pjesën e reformës në Drejtësi. Refoma në Drejtësi rrezikon të kthehet në një debat politik, si një e mirë publike përtej qytetarëve. Sigurisht që mazhoranca ka treguar qëndrimin këmbëngulës, vullnetin e plotë politik për të çuar përpara një Reformë në Drejtësi e cila sigurisht, e çon Shqipërinë në epokën tjetër.

Dua t’ju kujtoj me modesti, se nëse nuk e kalojmë Reformën në Drejtësi sot në një Reformë të vërtetë në Drejtësi, jo një reformë në letër, Shqipëria rrezikon hapjen e negociatave dhe për shkak të asaj që ndodh sot në BE,  hapja e negociatave, mund t’i rikthehet si mundësi Shqipërisë pas 4-5 vitesh. Kush është i interesuar të vonojë afrimin e  Shqipërisë me BE? A ka individë të interesuar ta bëjnë këtë? A ka forca politike të interesuara ta bëjnë këtë dhe a ka grupe që janë të interesuar përtej grupeve politike, që frenojnë Reformën në Drejtësi? Këto janë pyetje që i shqetësojnë qytetarët çdo ditë. Të gjithë qytetarët shqiptarë kanë kuptuar përtej këtij Parlamenti, që Reforma në Drejtësi nuk është më një reformë që i përket këtyre tryezave dhe karrigeve, por është një e mirë publike që duhet të kthehet në duart dhe në shtëpitë e qytetarëve shqiptarë.

Për sa i përket pjesës ekonomike, nuk mund të ketë një ekonomi në lulzim spektakolar nëse nuk ka një drejtësi të plotë. Por unë do ta kundërshtoja jo me fjalë, por me fakte, me shifra, deputetin Blushi për situatën ekonomike. Me një fjali, cila është situata ekonomike sot në Shqipëri? Situata ekonomike sot në Shqipëri sigurisht që nuk është ajo që do të donim të ishte, pra nuk është se po rritemi 6% dhe me  6% rritej shpejtësia e kapjes së konvergjencës – thënë thjesht për qytetarët shqiptarë, të barazonim sa më shpejt të ardhurat e tyre me të ardhurat mesatare të qytetarëve në Bashkimin Evropian. Se kjo është detyra e këtij grupi, qoftë e mazhorancës, qoftë e opozitës, qoftë dhe e domosdoshmërisë së rotacioneve politike.

Çfarë po ndodh me ekonominë sot?  I nderuar zoti Blushi, mos harroni se në 23 qershor 2013 kur shqiptarët votuan me 1 milion vota mazhorancën tonë, ekonomia ishte në rënie në pikiatë dhe nuk do pushoj duke ju bezdisur me këto fakte historike për të krijuar një zinxhir të asaj që kemi nisur dhe asaj që na pret, me të mirat dhe me risqet domosdoshmërisht.

Ka qenë gati statistikisht zero rritja nën 1 % dhe nën 1% alertimi i stanjacionit dhe i recensionit është eminent. Sa është sot? Sot është 2.6% ose është 0.5 % më shumë se mesatarja e rajonit. Këtë duhet ta dini! Këto janë shifra të raportit të fundit të Bankës Botërore, madje dhe raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, të cilat janë raporte përtej Qeverisë shqiptare.

Folëm për varfërinë.  Varfëria nuk luftohet duke emocionuar të varfrit apo njeriun në nevojë, sepse tendenca për të emocionuar të varfrin dhe për ta instrumentalizuar nesër, është një shembull shumë i keq në Greqi, u emocionua, u instrumentalizua dhe tani është sërish, fatkeqësisht, në buzë të greminës dhe nuk po del dot.

Do t’ju sjell një shifër që e kemi marrë nga ky raport i Bankës së Shqipërisë. Shifër modeste, por tendencë shumë e fortë. Në disa vende, por unë po i referohem Shqipërisë, varfëria ka rënë me 2% në dy vite. Dikush mund të thotë çfarë është 2% që ka rënë varfëria? Është shumë? 140 mijë familje në 3-4 vende të rajonit kanë dalë jashtë varfërisë. Shifër modeste, por tendenca është shumë serioze.

Nëse këtu thuhet nga ndonjë administrator që gjëja e vetme që ka është që nuk i zë fjala peshë, që varfëria është rritur, jo, varfëria është ulur. Mjaftueshmërisht? Jo mjaftueshmërisht, sepse kemi ardhur nga gropa dhe që të dalësh nga gropa, duhet një përpjekje. Dhe ne kemi dal nga gropa.

Ekonomia shqiptare e ka lënë mbrapa krizën dhe ka trajektore pozitive rritjeje ekonomike me një plan 3.4% këtë vit, që sërish do të jetë të paktën 0.7% mbi planifikimin rajonal, patjetër edhe atë global. Është e mjaftueshme? Jo, por nëse nuk bën reformat, dhe një nga ato është reforma në Drejtësi, asnjëherë nuk ka për të qenë e mjaftueshme.

Është rritur e ardhura e disponueshme e shqiptarëve. Çfarë do të thotë kjo për qytetarët shqiptarë? Është rritur paraja në dorë të shqiptarëve, që u mbetet në fund të muajit me 7.6% thotë Banka e Shqipërisë .

Eshtë rritur punësimi, thotë raporti i Bankës Botërore. Po patjetër që do të duhet të citohet, që është rritur pjesëmarrja e forcës në punës dhe kjo është domethënëse për zhvillimin ekonomik.

Është ulur papunësia modestisht. Po, është ulur, por ama kemi ndryshuar trendin. Të ndryshosh trendin është shumë më e vështirë, sesa pastaj të ndërtosh mbi të.

Flisni për konsumin? Ju kam sjellë Tregtinë me pakicë, e dija që do të bënit të njëjtën gjë që bëni për ekonominë shqiptare. Tregtia me pakicë është rritur 6.8% dhe nëse do të heqim hidrokarburet, është shumë interesantë kjo, është rritur mbi 13% edhe në vlerë, edhe në volum. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se shqiptarët vazhdojnë të konsumojnë normalisht me rritje, për shkak të rritjes së të ardhurave të disponueshme.

Por çfarë risqesh ka? Ka risqe ekonomia? Se ky është diskutimi këtu. Pastaj shifrat janë shifra kokëfortë. 2.6% është aty, nuk diskutohet. 2.1% është aty. Edhe 1.1% ishte aty para disa vitesh. Këto janë të pakundërshtueshme, pastaj këndvështrimet politike djathtas, majtas, sigurisht që kanë ngjyrime nga më të çuditshmet. Këtu, forcat politike diskutojnë risqet.

Në këndvështrimin tim ka shumë risqe, një prej tyre është besimi i konsumatorit. Më besoni, besimi i konsumatorit, ose pozitivisht ose negativisht, del nga kjo sallë. Nëse kjo sallë nuk arrin të bëjë atë për të cilën është votuar të bëjë, do të rrjedhin negativisht gjithë ndjesitë, nëse kjo sallë bën reforma, sigurisht që ndjesia do të jetë pozitive dhe të gjithë indikatorët do të jenë pozitivë .

Vijmë së fundmi tek debati për pronat, është sa drejtësi sociale, sa drejtësi financiare, sa dhe risk. Ka dy këndvështrime në respekt të atyre që kanë vuajtur në regjimin komunist, që meritojnë të dëmshpërblehen. Mos harroni se nëse ecim me logjikën populiste të atij ligji që gjetëm, nuk do të arrinim të bënim asgjë, madje rrezikonim me një disbalancim serioz që t’i shërbenim 1% të popullsisë në kurriz të 99% të popullsisë. Është kjo e drejtë? Do të luftojmë një padrejtësi me një padrejtësi tjetër? Jo, nuk e bëjmë dot. E dini që nëse do rrjedhë dëmshpërblimi ashtu siç është menduar dikur nga ai ligj, i gjithë buxheti i shtetit rrezikon të shkojë për dëmshpërblim të pronarëve? Kush e do këtë nga ju këtu? Edhe ata që kanë qenë ish-pronar apo të përndjekur nuk e duan këtë. Çfarë ka bërë ligji i ri? Po ne nuk negociojmë me Strasburgun, ne sigurisht që ulemi dhe flasim me Strasburgun. Kjo nuk është më çështje negociate, kjo është çështje e një drejtësie shoqërore, drejtësie sociale, e cila zgjidh një padrejtësi, por jo duke bërë një padrejtësi tjetër dhe në kurriz të brezit aktual dhe të brezave që vijnë. Doni që të jap 1 miliard dollarë nga buxheti sot dhe të rrisim borxhin dhe taksat? Jo, nuk e bën kjo qeveri.

Nuk bën as ndonjë nga ato budalliqet që dëgjojmë nga ndonjë administrator që do ulim TVSH 15%, por le ta bëjnë ekonomistët shumë të zotë madje të opozitës llogarinë, e dini sa do t’ua conte borxhin shqiptarëve? 83%. Po le të dalë dhe ta thotë, po, unë do e coj borxhin e shqiptarëve 83%, do ta shkatërroj. Dhe po e votuan shqiptarët, dakord, por diskutimi do të duhet të jetë në baza reale, se në baza populiste mund të dalë cdokush këtu dhe të bëjë thirrje ndaj emocionit më njerëzor, luftës kundër varfërisë.

Varfëria është fenomen, luftohet me reforma. Dhe nëse varfëria si fenomen, luftohet me reforma, përfiton i varfri, ai i varfër që numërohet tek ata 140 mijë individë që kanë dalë nga varfëria për shkak të reformave.

 

Replika me znj. Topalli

Besoj se të paktën bie dakord edhe me znj. Topalli, që do na duhet t’i referohemi raporteve përtej nesh. Shpesh ka ndodhur që të dyja palët të flasim me emocion personal apo politik, për arritjet apo mos-arritjet e qeverisë dhe arbitri është gjithmonë, siç e thatë dhe ju, raportet e ndërkombëtarëve, qoftë i Bankës Botërore, qoftë i FMN, qoftë i Departamentit të Shtetit, sepse janë partner ose ekonomikë e financiarë,  ose politikë, ekonomikë dhe financiarë. Në respekt të përgjigjes të asaj që ju thatë dhe unë nuk do ta quaja emocion politik, por gjithësesi nuk do t’i vija emër, unë kam sjellë këtë raport. Ky është raporti i fundit i Bankës Botërore. Besoj është publik dhe ju e keni marrë, dhe i referohet edhe Shqipërisë, në faqen 47 të këtij raporti. Për transparencë me publikun është raporti i pranverës 2016 dhe çfarë thotë për Shqipërinë?

Për Shqipërinë thotë se rritja ekonomike ka një trend të konsoliduar dhe në vitin 2015 mendohet të shkojë në 2.6%. Nuk do të debatoj nëse është mjaft apo është pak. Këtë nuk do ta debatoj, sepse asnjëherë nuk është mjaft, gjithmonë është pak; edhe 6 mund të jetë pak për ne.

E dyta, folëm për punësimin ose për varfërinë, por do të kap atë që thatë për varfërinë. Shifra është e drejtë, 45%. Ka zbritur nga 47% dhe kjo shifër është e drejtë. Nëse do të më gjykonit me shifra, do të duhet ta sillnit atë shifër të krahasuar dhe me të drejtë t’i thoshit shqiptarëve që kjo Qeveri gënjen. Por nëse në 2012, që po në bazë të raportit të Bankës Botërore ka qenë kulmi i varfërisë, ka qenë 47% dhe tani është ulur, atëherë t’u tregojmë shqiptarëve që po, ka një trajektore ulëse të varfërisë, e cila sërish është e pamjaftueshme, që kërkon kontributin tuaj dhe kontributin tonë për ta konsoliduar atë rënie të varfërisë.

Në faqen 48 ka një paragraf shumë interesant që ju kundështon ju si opozitë, nuk po ju referohem  personalisht, sepse secili ka qëndrimet e veta, por unë do të lexoj pjesë të raportit, i cili thotë:

“Është rritur punësimi në sektorin jo-bujqësor me 1.9%.”

Thatë ku janë vendet e punës ? 173 mijë vende të reja pune vetëm në sektorin jo-bujqësor me bordero. Mund të bëjmë debate emocionale, sepse është legjitime. Mund të shohim këndvështrime të ndryshme, edhe kjo është legjitime. Nganjëherë mund të shtrembërojmë edhe fakte , por kjo nuk është legjitime, sepse besoj fillojmë që të tentojmë të gënjejmë publikun përtej shifrave. Unë nuk e kam bërë në opozitë, aq më pak mund ta bëj qoftë si ministër i Ekonomisë, qoftë tani si Ministër i Financave.

Përtej kësaj, a mund të ndajë me ju dhe një fakt që është shumë interesant, që jam i bindurt që thellë- thellë ju sjell kënaqësi edhe juve në opozitë.

Ka rënë papunësia e të rinjve nga mosha 15-29 vjeç me 1.7% në vit. Kjo është domethënëse, sepse lidhet dhe me shifrën tjertër, që është shifër po kokëfortë , që është si gur, si shkëmb, që rri në mes të rrugës për këdo që nuk do ta shohë, që është rritur pjesëmarrja në forcën e punës dhe ju kam sjellë dhe një shifër që është po kaq interesante dhe me ngjyrime realiteti shumë të forta .

Raporti thotë se është ulur numri i të papunëve të demoralizuar. Çfarë janë të papunët e demoralizuar? Ata që heqin dorë nga ne. Na shohin ne si njerëz që nuk japin shpresë. Ka qenë 146 mijë ky numër dhe është ulur në 86 mijë.

Tjetra, po kaq e rëndësishme, është modeli i ri ekonomik. E keni marrë me cinizëm me të drejtën tuaj sigurisht se opozita i shikon ngjyrat e zhvillimit në mënyrën se si i shërben opozitës. Si I shërben qytetarit, ka vetëm një ngjyrë. Ngjyra e së vërtetës. Çfarë thotë raporti I Bankës së Shqipërisë? Pas gati 3 vitesh në pushtet, thotë se për herë të pare, struktura ekonomike njeh ndryshim nga ato sektorë me vlerë pak të shtuar, në sektorë me vlerë më të madhe të shtuar, që janë shërbimet dhe edukimi.

Thotë dhe më në fund thotë, ka një tendencë, që për herë të parë ka bërë një kthesë struktura ekonomike nga ndërtimi që ka qenë një nga gjeneratorët por që fatkeqësisht nuk është më i zhvillimit ekonomik, i rritjes ekonomike, tek industritë. Ndryshim fraxhil është, është ende fraxhil. Ka risqet e veta, por duhet mbështetur dhe kjo është arsyeja pse bëjmë reformat ekonomike.

Pra bie dakord me ju: Korrupsioni është e keqe e madhe e këtij vendi, patjetër.  Dhe dua t’ju kujtoj se beteja kundër korrupsionit, nuk është se do pushojë ndonjëherë, nuk ka pushuar dhe nuk do të pushojë. Një forcë politike e ka më prioritet se një forcë tjetër dhe për shkak se ne e kemi më prioritet se forca përpara, Transparancy International na ka përmirësuar në indeksin e vet dhe na ka përmirësuar seriozisht. Është zhdulkur korrupsioni? Jo, nuk është zhdukur. Ka nevojë që lufta të vazhdojë? Patjetër që po. E bëjmë dot atë luftë pa reformën në drejtësi? Patjetër, me ju jam, lufta kundër korrupsionit do intensifikim të përditshëm, të vazhdueshëm. Hajde bëjmë reformën në drejtësi! Nuk do ta zgjidhim për një ditë, por do të bëjë trendin e pakthyeshëm të një drejtësie reale.

Të rejat e fundit