Postuar më: 02/05/2016

Udhëzimi i ri për “Skemën e Kompensimit të Fermerëve”, Ministri Ahmetaj: “Lehtësitë, në vazhdën e paketës së vitit 2014 për mbështetjen e bujqësisë”

Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka dalë sot në një konferencë ku ka bërë më dije ndryshimet në paketën e bujqësisë, duke prezantuar një sërë masash lehtësuese për fermerët.

“Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme që qeveria Rama i ka dhënë sektorit të bujqësisë në vend dhe masave konkrete në ndihmë të fermerëve, duke nisur që nga hartimi i paketës mbështetëse për bujqësinë, miratimi i fondit të garancisë për fermerët në bashkëpunim me BERZH në vlerën 200 milionë euro, sot ndërmarrim edhe një tjetër hap në këtë drejtim, ndryshimin në Udhëzimin e Ministrit të Financave Nr. 19 datë 03.11.2014 “Për skemën e kompensimit të fermerëve” – tha Ministri.

Nismat lehtësuese të prezantuar sot nga Ministri Ahmetaj, përfshijnë lehtësi në vazhdën e paketës së bujqësisë e cila u hartua dhe miratua nga qeveria shqiptare në vjeshtën e vitit 2014.

Skema e kompensimit të fermerëve, e cila nga 6% që ishte më parë, u bë 20% në vitin 2014, duke mundësuar një stimul të drejtpërdrejtë për fermerët shqiptarë në funksion të zgjerimit të veprimtarisë së tyre prodhuese bujqësore dhe blegtorale.

“Kjo skemë është konceptuar e tillë që të mos ngarkojë fermerët me barrën administrative të lëshimit të faturave, të deklarimit, të mbajtjes dhe përdorimit të kasës fiskale, etj. Pra fermeri ka vetëm detyrimin të pajiset me Nipt dhe të shesë produktet e tij e të përfitojë 20% kompensim” – u shpreh Ministri.

Ndryshimet në Udhëzimin për kompensimin e fermerëve përfshin disa masa:

  1. Lejimin e kryerjes së shitjeve me para në dorë, deri në vlerën 30,000 lekë të reja, që një fermer kryen për blerës të ndryshëm, shoqëri të agrobiznesit ose të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, ose për eksportuesit e këtyre produkteve, apo çdo subjekti tjeter që blen produktet e fermerëve që janë të pajisur me NIPT.

 

  1. Me hyrjen në fuqi të këtij Udhëzimi, detyrohen të kryhen nëpërmjet bankës vetëm shitjet mbi 150.000 lekë.

 

  1. Pagesat për shitjet mbi 30.000 lekë deri në 150.000 lekë kryhen nëpërmjet filialeve të postës shqiptare.

Po kështu Ministri u shpreh se ka kërkuar nga Posta Shqiptare që të që të intensifikojë shërbimet e saj për kryerjen e pagesave për fermerët dhe mundësinë e shtrirjes së shërbimit pranë zonave rurale ose aty ku zhvillojnë veprimtarinë blerësit e produkteve të fermerëve.

  1. Rimbursimi automatik i TVSH – Eksportuesit e prodhimeve bujqësore klasifikohen si subjekte me risk zero dhe si të tillë, përfitojnë rimbursim automatikisht brenda 30 ditëve të TVSH.  Pra, shuma e paguar fermerit prej 20% për normën e kompensimit për blerjen e produkteve të tij, por edhe cdo TVSH e paguar për shpenzimet e përgjithshme që një eksportues kryen në kuadër të veprimtarisë së tij, i rimbursohet brenda 30 ditëve. Kështu ky biznes ka mundësi të investojë e të zgjerojë kapacitetet e veta përpunuese dhe eksportuese.

 

  1. Fatura kompjuterike – Për të lehtësuar procesin e faturimit të kompanive që blejnë produktet e fermerit, nga ajo e përdorimit të blloqeve të faturave tatimore dhe plotësimit të tyre me shkrim për cdo faturë, për këtë kategori shoqërish është parashikuar një procedure e vecantë, ajo e miratimit të përdorimit të faturës kompjuterike.

Pra, këto subjekte kanë mundësi të zgjedhin të thjeshtojnë procedurën e faturimit:

  • nga ajo e tërheqjes së blloqeve të faturave pranë Drejtorive Rajonale Tatimore
  • plotësimit të tyre për cdo rast me shkrim;
  • regjistrimit të këtyre faturave të plotësuara më pas në librat e shitjes dhe blerjes;

 

Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, cdo biznes që blen produktet e fermerëve ka mundësi të përdorë faturën kompjuterike. Për këtë mjafton të:

  • vetë-modelojnë një faturë tatimore kompjuterike me të dhënat e kërkuara,
  • ta paraqesë atë në Drejtorinë Rajonale Tatimore, e cila e pajis me numër serial;

Po kështu Ministri sqaroi se janë marrë masa që në pikat doganore të ofrohet dhe të mos mungojë shërbimi doganor për eksportin e prodhimit bujqësor.

Për eksportuesit e produkteve bujqësore,  është përgatitur urdhri nr.8874, date 04.04.2016 për të gjithë degët doganore si dhe janë njoftuar të gjitha angjesitë doganore, për të ofruar shërbim 24 orë në dispozicion të eksportuesve të produkteve bujqësore, si dhe e bën të pa-efektshëm marrjen e autorizimit të zhdoganimit lokal apo kryerjes së procedurave doganore pranë ambjenteve për këto subjekte.

Gjithashtu është përfshirë përjashtimi i skanimit për produktet bujqësore ose minimizimi në raste të vecantë, apo sic quhet ndryshe kanali jeshil për këto produkte. Nga të dhënat e eksportit për periudhën 2015-2016, rezulton që ne këta 3 kapituj te vendosur ne kanal jeshil, eksportohen në 90% të deklaratave në këtë procedurë.

Ahmetaj theksoi se këto ndryshime janë në vazhdën e paketës lehtësuese që qeveria ka prezantuar në vitin 2014.

“Për hir të transparencës ndaj publikut në grupin parlamentar socialist kryetari Komisionit të Ekonomisë, zoti Braçe ka të paktën 3 muaj që e ngre këtë problem në vazhdimësi dhe shqetësimi i parë ka ardhur nga grumbulluesit dhe fermerët e zonës së Divjakës, Lushnjës, Fierit dhe Beratit. Patjetër që ne jemi në harmoni të plotë edhe me aleatët në këtë logjikë. Kryetari i grupit të LSI-së ka këmbyer një letër me kryeministrin dhe mua përpara 2 javësh, e cila sigurisht ka qënë në vazhdën e shqetësimeve që ka ngritur kryetari i Komisionit të Ekonomisë zoti Braçe gjatë gjithë këtyre muajve. Pra po t’i kthehemi kronologjisë së çështjeve, jemi ne harmoni të plotë me logjikën brenda aleancën, jemi në harmoni të plotë me logjikën për të mbështetur sektorin bujqësor” – tha Ministri I cili bëri të ditur se pas rreth dy javësh qeveria do të prezantojë paketën e re mbështetëse për sektorin minerar.

“Besoj brenda 2 javësh afrojmë dhe paketën për industrinë minerale, e cila, për shkak të faktorëve të jashtëm të çmimit në bursë ka nevojë për mbështetje të drejtpërdrejtë. Ne atë po e përgatisim në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë dhe do ta prezantojmë, besoj do ta prezantojë kryeministri shumë shpejt” – deklaroi Ministri.

***

 

Fjala e plotë e Ministrit

Përshëndetje!

Edhe sot një lajm tjetër të mirë për ekonominë, por në rastin konkret për sektorin e bujqësisë.

Në vazhdën e paketës të vitit 2014 për bujqësinë, të iniciuar nga kryeministri Rama, ku arritëm të krijonim mbështetjen e drejtpërdrejtë për fermerët, duke e bërë TVSH-në e rimbursueshme për fermerët nga 6%, në 20%, atë mbështetje ku shumë produkte bazë bujqësore dhe blegtorale u liruan nga të gjitha taksat doganore dhe nga TVSH-ja, sot, pas një konsulte të gjatë brenda qeverisë, brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste, në konsultë dhe me aleatët tanë në qeveri, unë, si ministër Financash, kam bërë ndryshimet në Udhëzimin e Ministrit të Financave “Për skemën e kompensimit të fermerëve”, për të vazhduar lehtësimin dhe mbështetjen e punës së fermerëve, të prodhuese, të grumbulluesve në sektorin e bujqësisë.

Dua ta ritheksoj dhe është e rëndësishme se skema e kompensimit të fermerëve, e cila nga 6% që ishte më parë, nuk funksionoi asnjëherë, u bë 20% në vitin 2014, duke mundësuar një stimul të drejtpërdrejtë për fermerët shqiptarë në funksion të zgjerimit të veprimtarisë së tyre prodhuese, bujqësore dhe blegtorale.

Kjo skemë është konceptuar e tillë që të mos ngarkojë fermerët me barrën administrative të lëshimit të faturave, të deklarimit, të mbajtjes dhe përdorimit të kasës fiskale. Pra, fermeri ka vetëm detyrimin të pajiset me NIPT dhe të shesë produktet e tij e të përfitojë 20% kompensim TVSH-në mbrapsht.

Cilat janë ndryshimet e parashikuara në kuadër të lehtësimit të procedurave për fermerët dhe shoqëritë blerëse të produkteve të tyre. Ato ndryshime që, siç e theksova pak më parë, janë konsultuar brenda qeverisë. Kryeministri javën e kaluar ka pasur një takim me grumbullues, prodhues dhe përpunues në sektorin bujqësor dhe blegtoral dhe pas asaj konsulte ne kemi arritur në konkluzion për të marrë masat si më poshtë:

1. Lejohen të kryhen shitje me para në dorë deri në vlerën 30.000 lekë të reja që një fermer kryen për blerës të ndryshëm, shoqëri të agrobiznesit ose të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, ose për eksportuesit e këtyre produkteve, apo çdo subjekti tjetër që blen produktet e fermerëve që janë të pajisur me NIPT. Pra, në masën 30 mijë lekë të reja, transaksioni kryhet me para në dorë dhe bëhet vetëm për një NIPT, pra që fermeri të ketë një NIPT dhe ky është transaksion ditor. Pra një fermer mund të kryejë transaksione ditore me cash deri në 30 mijë lekë të reja. Ka qenë një kërkesë e sektorit, e përpunuesve e fermerëve e vazhdueshme e cila u materializua në atë konsultë me kryeministrin dhe sot materializohet nëpërmjet firmosjes së udhëzimit të “Skemës së kompensimit të fermerëve”.

2. Me hyrjen në fuqi të këtij Udhëzimi, detyrohen të kryhen nëpërmjet bankës vetëm shitjet mbi 150.000 lekë.

3. Pagesat për shitjet mbi 30.000 lekë deri në 150.000 lekë kryhen nëpërmjet filialeve të Postës Shqiptare dhe për ata që duan edhe nëpërmjet bankës. Theksoj se i kemi kërkuar Postës Shqiptare dhe do vazhdoj t’i kërkoj të intensifikojë shërbimet e saj për kryerjen e pagesave për fermerët dhe mundësinë e shtrirjes së shërbimit pranë zonave rurale, ose aty ku zhvillojnë veprimtarinë blerësit e produkteve të fermerëve, pra drejtpërdrejtë nëse është e mundur në pikat e grumbullimit.

4. Eksportuesit e prodhimeve bujqësore klasifikohen me këtë Udhëzim si subjekte me risk zero dhe si të tillë, përfitojnë rimbursim automatik brenda 30 ditëve të TVSH-së. Është e domosdoshme që eksportuesit të mbajnë transparencën fiskale në nivelin 100% në mënyrë që të mos zbresin nga jeshilja në të kuqe, në konceptin e riskut, pra të kalojnë nga risk zero në risk të madh, sepse humbasin mundësinë e rimbursimit automatik të TVSH.

5. Për të lehtësuar procesin e faturimit të kompanive, një problem i përmendur shpesh nga fermerët ashtu si dhe në takimin e fundit që pati kryeministrit me grumbulluesit dhe prodhuesit e produkteve bujqësore dhe blegtorale, pra për të lehtësuar procesin e faturimit të kompanive që blejnë produktet e fermerit, nga ajo e përdorimit të blloqeve të faturave tatimore dhe plotësimit të tyre me shkrim për çdo faturë, për këtë kategori shoqërish është parashikuar një procedure e veçantë, ajo e miratimit të përdorimit të faturës kompjuterike.

Këto subjekte kanë mundësi të zgjedhin të thjeshtojnë procedurën e faturimit:

– nga ajo e tërheqjes së blloqeve të faturave pranë Drejtorive Rajonale Tatimore

– nga ajo e plotësimit të tyre për çdo rast me shkrim;

– nga ajo e regjistrimit të këtyre faturave të plotësuara më pas në librat e shitjes dhe blerjes;

Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, çdo biznes që blen produktet e fermerëve ka mundësi të përdorë faturën kompjuterike.

Për këtë mjafton vetëm të:

– vetë-modelojnë një faturë tatimore kompjuterike me të dhënat e kërkuara,

– ta paraqesë atë në Drejtorinë Rajonale Tatimore, e cila e pajis me numër serial;

Sot një grumbullues nuk duhet të ulet gjatë ditës së tij pafundësisht e të mbushë me dorë 500-700 fatura, tani ka mundësi me vetëmodelimin e tij, me një numër serial të marrë nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve të bëjë fatura kompjuterike, pra një lehtësim i madh procedural në punën e tyre.

6. Janë marrë masa që në pikat doganore të ofrohet dhe të mos mungojë shërbimi doganor për eksportin e prodhimit bujqësor. Në prill të këtij viti, si ministër Financash, unë kam urdhëruar me urdhër nr.8874 degët doganore si dhe kemi njoftuar të gjitha agjencitë doganore në rrugë elektronike, të ofrojnë shërbim 24 orë për eksportuesit e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Ky urdhër vendos doganat kufitare 24 orë në dispozicion të këtyre eksportuesve, si dhe e bën të paefektshëm marrjen e autorizimit të zhdoganimit lokal, apo kryerjes së procedurave doganore pranë ambienteve për këto subjekte.

Ndërkohë, për përjashtimin e skanimit për produktet bujqësore ose minimizimin në raste të veçanta, që është në proces, bazuar në urdhrin e mësipërm, si dhe në kuadër të zbatimit të planit të veprimit, me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë prodhuesve, eksportuesve vendas të produkteve bujqësore, blegtorale për eksport u propozua dhe implementua kanali jeshil në doganë. Kanali jeshil është kanali ku eksportuesit kalojnë drejtpërdrejtë në pikat doganore pa kontroll duke mos harxhuar fare kohë ne favor të biznesit dhe eksportit.

Dua të ndaj me ju një shifër mjaft interesante. Sot rezulton që kalojnë në kanalin jeshil 90% e deklaratave të eksportit për produktet bujqësore dhe blegtorale.

Pra siç e shihni qeveria ka marrë një hap tjetër për lehtësimin dhe mbështetjen e sektorit bujqësor dhe blegtoral. Është në vazhdimësi të logjikes së mbështetjes të sektorëve me paketa nga ana qeverisë. Dua t’u rikujtoj paketën e manifakturës, e cila ishte një paketë shumë e suksesshme në prill të 2014, rezultoi me rritje 24.6% të eksporteve. Po në të njëjtin vit paketa e bujqësisë e iniciuar nga kryeministri i Shqipërisë e cila soli rritjen e prodhimit bujqësore, të eksporteve dhe kjo paketë me lehtësim procedurash është në vazhdën e asaj logjike të vitit 2014.

 

 Pyetje:

A janë këto ndryshime një reflektim i shqetësimeve të ngritura nga aleati juaj, LSI? Pak kohë më parë nënkryetari Vasili ka shkruar një letër për sektorin e bujqësisë.

Ministri Ahmetaj: Siç e theksova lehtësimet e sotme janë vazhdë e paketës së iniciuar nga Kryeministri i Shqipërisë në 2014-ën, në mbështetje të bujqësisë. Për hir të transparencës ndaj publikut në grupin parlamentar socialist kryetari Komisionit të Ekonomisë, zoti Braçe ka të paktën 3 muaj që e ngre këtë problem në vazhdimësi dhe shqetësimi i parë ka ardhur nga grumbulluesit dhe fermerët e zonës së Divjakës, Lushnjës, Fierit dhe Beratit.

Patjetër që ne jemi në harmoni të plotë edhe me aleatët në këtë logjikë. Kryetari i grupit të LSI-së ka këmbyer një letër me kryeministrin dhe mua përpara 2 javësh, e cila sigurisht ka qënë në vazhdën e shqetësimeve që ka ngritur kryetari i Komisionit të Ekonomisë zoti Braçe gjatë gjithë këtyre muajve. Pra po t’i kthehemi kronologjisë së çështjeve, jemi ne harmoni të plotë me logjikën brenda aleancën, jemi në harmoni të plotë me logjikën për të mbështetur sektorin bujqësor.

 

 

Ndërkohë që ju prezantoni paketa në ndryshme lehtësuese, për industrinë fasone, minerare, apo bujqësinë, nga ana tjetër, PD ka dalë në terren me projekte ekonomike dhe premtime për ulje taksash. A janë këto hapat e para të fushatës elektorale?

Ministri Ahmetaj: Ne qeverisim, ne nuk jemi ne garë elektorale. Ne jemi në garë me veten, nuk jemi ne garë me askënd. Unë do të rezervohesha të bëja komente të gjata për të ashtuquajturën paketë të opozitës, do theksoj 2 gjëra. Kjo qeveri, me logjikën e paketave, ka stimuluar sektorë të cilët sot janë sektorë shumë të rëndësishëm dhe japin kontribut real në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Paketa për bujqësinë, paketa për manifakturën, paketa për turizmin. Besoj brenda 2 javësh afrojmë dhe paketën për industrinë minerale, e cila, për shkak të faktorëve të jashtëm të çmimit në bursë ka nevojë për mbështetje të drejtpërdrejtë. Ne atë po e përgatisim në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë dhe do ta prezantojmë, besoj do ta prezantojë kryeministri shumë shpejt. E theksoj, ne qeverisim, ne jemi në garë me të ardhmen, nuk jemi në garë me opozitën.

Dy fjalë për paketën sepse paketa do të meritojë konsideratë të veçantë në 2 javët që vijnë, besoj do ta shikoni se çfarë shkakton ajo paketë. Por do t’ju them tre gjëra parësore për paketën, pa e prishur lajmin e mirë për bujqësinë.

1. E rrit borxhin, e çon borxhin 80%.

2. I heq nga tryeza e bukës 617 mijë të punësuarve në Shqipëri 100 milionë dollarë.

3. Duke riparë paketën e pensioneve i heq mbi 18 mijë vetave sot e në vazhdim pensionin social. I lë pa bukë, i lë në pleqërinë e tyre pa asnjë kokërr leku. Pastaj ka dhe të tjera, ka pafundësisht, nga këto, por sot nuk jemi për paketën e opozitës.

Faleminderit!

Të rejat e fundit