Postuar më: 14/06/2016

Treguesit fiskalë të pesëmujorit, të ardhurat u rritën 8.1%

Pesëmujori i parë i vitit 2016 ka shënuar një performancë tejet të mirë të të ardhurave të cilat në total, kanë rezultuar 163.8 miliardë lekë, me një realizim 100% të planit të periudhës.

Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT) për 5 mujorin e vitit 2016 u realizuan në vlerën 141.5 miliard lekë, duke u rritur me 15.8 miliard lekë krahasuar me 5 mujorin e vitit të kaluar ose 12.6% dhe 2.8 miliard lekë më shumë se plani ose + 2%.

Të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 2.3 miliard lekë, 5% më shumë se 5 mujori i vitit 2015 dhe 2.7% mbi planin e periudhës.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 15.3 miliard lekë, 10.65% më shumë se një vit më parë dhe 7.1 % më shumë se plani, si rezultat i rritjes së sasisë së cigares së importuar me 236 ton ose +28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015.

Tregues shumë pozitivë janë shënuar edhe në të ardhurat e mallrave të tjerë të akcizës:

Produkti Rritja
Karburante (Import dhe prodhim vendi) + 5.6 %
Kafe + 7.3 %
Birrë (Import dhe prodhim vendi) + 14.1 %
Verë (Import dhe prodhim vendi) + 7.3 %
Pije alkoolike (Import dhe prodhim vendi) + 63 %
Pije Energjike + 35 %

Të ardhurat nga renta minerare janë realizuar në vlerën 902 milion lekë ose -36.48 % krahasuar me 5 mujorin e vitit 2015 duke reflektuar dejtpëdrejt rënien drastike të çmimit të naftës bruto në tregun ndërkombëtar. Megjithëse sasia e eksportit të naftës bruto u rrit me 72 mijë ton ose +23.4%, të ardhurat nga renta u ulën me 403 milion lekë. Në 5 mujorin e vitit 2015 arkëtohej 3.51 lekë/kg, ndërsa në 5 mujorin e vitit 2016 arkëtohet 1.79 lekë/kg.

Të ardhurat nga TVSH-ja në import janë realizuar në vlerën 37.1 miliard lekë. Kontributi në të ardhura nga ky zë është 5.07% më shumë se 5 mujori i vitit 2015 dhe një realizim i planit në masën 99.4 %.

Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 14.2 miliard lekë ose 20% më shumë se 5 mujori i vitit 2015, me një realizim të planit të periudhës në masën 98.1 %. Ky rezultat i TVSH-së neto vjen pas zbritjes së rimbursimit të kryer në këtë periudhë me rreth 3 miliard lekë.

Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 14.5 miliard lekë ose 23.84% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 25.99% më shumë se plani. Ndikimin kryesor në këtë rezultat e ka patur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve në import dhe zinxhirin e shitjeve. Faza e dytë kundër informalitetit, të orientuar nga instrumentet inteligjentë të platformës së riskut dhe komunikimi intensive me sipërmarrjen nga ana e administratës tatimore. Gjithashtu, thjeshtimi procedurave të deklarimit kanë ndikuar në rritjen e performancës së biznesit.

Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar 13.3 miliard lekë. Kontributi i këtij zëri në të ardhura është 17.58% më shumë se 5 mujori i vitit 2015 dhe 1.07% më shumë se plani i periudhës.

Edhe zëri “Taksat Kombëtare” paraqitet me një performancë pozitive duke realizuar 12.4 miliard lekë, 18.63% më shumë se 5 mujori i vitit 2015, dhe një realizim i planit në masën 93%.

Të ardhurat nga kontributet e DPT janë realizuar në vlerën 31.1 miliard lekë, 13.76% më shumë se 5 mujori i vitit 2015 dhe 2.63% më shumë se plani i periudhës.

Shpenizmet e përgjithshme të buxhetit

Shpenzimet e përgjithshme publike për 5 mujorin e vitit buxhetor 2016, arritën në 145.6 ose 88% e planit. Krahasuar me një muaj më parë ka një përmirësim të konsiderueshëm të termave të realizimit për treguesit e shpenzimeve në tërësi. Të dhënat paraqesin një kujdes të veçantë për të realizuar shpenzimet kapitale krahasuar me një muaj më parë.

Shpenzimet korrente rezultojnë 131.6 miliardë lekë, duke paraqitur një realizim 91% në raport me planin 5 mujor. Ndër zërat kryesorë që kanë ndikuar në performancën e shpenzimeve korrente krahasuar me zërat e tjerë janë shpenzimet operative mirmbajtje, subvencionet, shpenzimet për pushtetin vendor dhe shpenzimet të tjera sociale përkatësisht me një nivel realizimi prej 80%, 66%, 74% dhe 87% të planit 5 mujor të parashikuar për realizim.

Niveli i shpenzimeve publike dhe realizimi i të ardhurave të planifikuara është shoqëruar me një nivel sufiçit prej 18.2 miliardë lekë, e për rrjedhojë, një pozitë më të favorshme buxhetore. Ky 5 mujor është shoqëruar me një kursim të shpenzimeve operative për mirëmbajtje përkatësisht 3 miliardë lekë. Si rrjedhim impakti i reflektuar në sufiçitin e krijuar vjen si pasojë e politikës së kujdesshme në shpenzime të parashikuara për t’u ndërmarrë nga qeveria për vitin 2016.

Nga sa më sipër vërehet qartë se gjatë 5 mujorit të vitit 2016, performanca fiskale dhe buxhetore ka qënë në nivele shumë të mira duke e realizuar pothujse plotësisht planin e të ardhurave me 163.8 miliard lekë dhe duke u treguar e kujdesshme me realizimin e shpenzimeve ku për 5-mujorin rezultojnët 145.6 miliardë lekë.

Shpenzimet kapitale, me financim të brendshëm dhe të huaj për 5 mujorin e vitit 2016 janë realizuar në nivelin prej 78%. Investimet me financim të huaj janë realizuar në masën 75% e parashikimit të 5-mujorit të vitit 2016, ndërsa ato me financim të brendshëm kanë një realizim prej 84%. Siç shihet investimet me financim të brendshëm kanë një nivel realizimi më të lartë se ato me financim të huaj, kryesisht për arsye që lidhen me shtyrjen e afatit të realizimit nga procesi i prokurimit, apo edhe vonesat në paraqitjen e dokumentacionit teknik e financiar për lëvrimin e fondeve.

Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskalë të konsoliduar, të ardhurat totale janë realizuar në masën 163.8 miliardë lekë ose pothuajse plotësisht në raport me planin 5 mujor të vitit 2016. Ndërkohë, realizimi i shpenzimeve të përgjithshme në masën 145.6 miliardë lekë, është shoqëruar me një deficit buxhetor pozitiv prej afërisht 18.2 miliardë lekë. Këto përfundime statistikore tregojnë qartë reagimin pozitiv të ekonomisë dhe reformave që kanë ndikuar drejtpërdrejt rritjen e parametrave të treguesve fiskale të buxhetit të konsoliduar duke dhënë efektet e pritshme të reformave në ekonomi. Gjithashtu është projektuar që ky trend gjatë projektbuxheteve afatmesme në vazhdim të ruhet madje të thellohet konsolidimi i treguesve të saj.

Të rejat e fundit