Postuar më: 14/07/2016

Treguesit fiskalë paraprakë të gjashtëmujorit

Ministria e Financave ka publikuar treguesit fiskalë paraprakë të gjashtëmujorit të parë 2016.

Të ardhurat totale, sikurse tregohet në tabelën e treguesve fiskalë paraprakë, janë realizuar në masën 198.1 miliardë lekë, me një tejkalim rreth 102 milionë në raport me planin e 6-mujorit të parë 2016.

Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT)  për 6 mujorin e vitit 2016 u realizuan në vlerën 170.4 miliard lekë, që do të thotë 17.7 miliard lekë më shumë se 6 mujori i vitit 2015 ose +11.6%  dhe  2.3 miliard lekë më shumë se plani, ose  +1.4%.

Të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 2.85 miliard lekë, 9.6% më shumë se 6 mujori i vitit 2015 dhe me një performancë +2.5% ose më shumë se plani.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 19.2 miliard lekë, 10.3% më shumë se 6 mujori i vitit 2015 dhe +4 % ose 0.7 miliard lekë më shumë se plani.

Ky realizim reflekton kryesisht rritjen e sasisë së cigares së importuar me 269 ton ose +24.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015 duke arkëtuar 1.5 miliard lekë më shumë se e 6 mujori i vitit 2015 për këte artikull.  Arsyet e performances pozitive përveç permirësimit te vazhdueshëm në administrim, lidhen me situatën e normalizuar të fluksit të importeve, të pandikuar nga ndryshimet e nivelit të taksimit për vitin 2016 për cigaret.

Tregues të tjerë shumë pozitiv janë shënuar edhe në të ardhurat e mallrave të tjerë të akcizës për shkak të rritjes së sasive krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015, si më poshtë:

Karburante Import + Prodhim Vendi + 7.6 %
Birre Import + Prodhim Vendi + 5.2 %
Verë Import + Prodhim Vendi + 9.1 %
Pije Alkolike Import + Prodhim Vendi + 30 %
Pije Energjike + 30.4 %

Të ardhurat nga renta minerale janë realizuar në vlerën 1.2 miliard lekë, -35.1% krahasuar me 6 mujorin e vitit 2015 dhe -39.7% krahasuar me planin. Arsyet lidhen me rënien drastike të çmimit të naftës bruto në tregun ndërkombëtar. Në kushtet që renta llogaritet si përqindje ndaj vlerës, rezultoi se megjithëse sasia e eksportit të naftës bruto u rrit me 73 mijë ton ose +17.9%, të ardhurat nga renta u ulën me 546 milion lekë krahasuar me vitin e kaluar.

Të ardhurat nga TVSH-ja në import janë realizuar në  vlerën 45.7  miliard lekë,  +5.06% më shumë se 6 mujori  i vitit 2015 dhe me një realizim të planit të periudhës në masën 99.2 %, ndikuar nga rënia e çmimit në bursat ndërkombëtare të karburanteve që megjithë rritje e kursit të këmbimit të dollarit që kuotohen këto produkte, ka rezultuar rënie e të ardhurës së TVSH për litër  nga 27.1  lek në 6 mujorin e parë 2015 në 22.1 lek në 6 mujorin e parë 2016.

Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 17 miliard lekë, 18% më shumë se 6 mujori i vitit 2015 dhe me një realizim të planit të periudhës në masën 97.3%, duke reflektuar rritjen e rimbursimeve me 21.3 % ose +0.7 miliard lekë si rezultat i masave përmirësuese për thjeshtësimin dhe reduktimin e procedurave të rimbursimit të TVSH-së.

Të ardhurat nga  tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 16.5 miliard lekë, 22% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 25.4 % më shumë se plani. Ndikimin kryesor në këtë rezultat e ka patur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve në import dhe zinxhirin e shitjeve. Faktorë të tjerë përmendim: fazën e dyte të planit të veprimit kundër informalitetit të orientuar drejt kontrolleve bazuar në analizën e riskut dhe në vazhdimësine e proçeseve. Thjeshtësimi i proçedurave të deklarimit dhe instalimi i një komunikimi permanent me operatorët e biznesit po gjeneron performancë më të lartë.

Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar 16 miliard lekë, që do të thotë se kontributi i këtij zëri në të ardhura është 16.94% më shumë se 6 mujori i vitit 2015 dhe 0.9% më shumë se plani.

Edhe zëri “Taksat Kombëtare” paraqitet me një performancë pozitive duke realizuar 15 miliard lekë, 14.5% më shumë se 6 mujori i vitit 2015, dhe  me  një realizim të planit në masën 92.6%, si rezultat i konjukturave të çmimit ndërkombëtar të mineraleve duke sjellë uljen e sasisë dhe vlerës për njësi.

Të ardhurat nga kontributet e DPT janë realizuar në vlerën 36.8 miliard lekë, 13.46% më shumë se 6 mujori i vitit 2015 dhe 2.3% më shumë se plani.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 6 mujorin e parë të vitit 2016, arritën në rreth 180.1 miliardë lekë me një realizim në masën 89%. Kjo tregon se në terma të planit 6 mujor niveli i realizimit të shpenzimeve të përgjithshme publike ka patur një rritje krahasuar me një muaj më parë, me një tendencë rritëse për gjysmën e dytë të vitit 2016.

Shpenzimet korrente paraqesin një realizim në raport me planin 6 mujor të këtij viti, prej 91 për qind, duke rezultuar 161.8 miliardë lekë. Krahasuar me një muaj më parë ka një përmirësim të konsiderueshëm të termave të realizimit për treguesit e shpenzimeve në tërësi.

Ky 6-mujor është shoqëruar me një kursim të shpenzimeve operative për mirëmbajtje për 2.8 miliardë lekë. Nga sa më sipër vërehet qartë që gjatë gjysmës së parë të vitit 2016, performanca fiskale dhe buxhetore ka qënë në nivele shumë të mira duke tejkaluar planin e të ardhurave dhe duke u treguar e kujdesshme me kryerjen e shpenzimeve.

Shpenzimet kapitale, në vijim të analizës së ecurisë së realizimit të investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj për 6 mujorin e parë të vitit 2016 është konstatuar realizim 70% i atyre të planifikuara për gjysmën e parë të vitit 2016, ndërkohë që realizimi i investimeve me financim të brendshëm paraqitet në nivele më të larta, përkatësisht 90% e planit.

Ky trend i performancës është një trend i zakonshëm në gjysmën e parë të vitit buxhetor si shkak paraqitjes me vonesë të situacioneve të punimeve për t’u paguar dhe vonesës në disbursim. Në këtë mënyrë pritet që disbursimet për realizimin e projekteve si me financim të huaj ashtu edhe me financim të brendshëm të rriten në muajt në vazhdim.

Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskalë të konsoliduar, të ardhurat totale janë realizuar 198.1 miliardë lekë ose me një tejkalim në raport me planin 6-mujorit të parë  të vitit 2016. Ndërkohë, realizimi i shpenzimeve të përgjithshme është 180.1 miliardë lekë. Kjo situatë është shoqëruar me një sufiçit buxhetor afërisht 18 miliardë lekë.

Nga grafiku i mësipërm vihen re qartë tendencat pozitive të sjelljes së buxhetit parë në këndvështrimin e një sufiçiti të konsiderueshëm të krijuar gjatë kësaj periudhe në raport me planin. Krahasuar me planin e parashikuar, niveli i të ardhurave ka një realizim të rëndësishëm në shifrat e parashikuara ose e thënë ndryshe pothuajse e plotë, por nga ana tjetër trendi i kujdesshëm i shpenzimeve të realizuara në raport me planin ka rezultuar me sufiçit prej 18 miliard lekë.

Të rejat e fundit