Postuar më: 25/03/2016

Treguesit fiskalë paraprakë të buxhetit të konsoliduar për 2-mujorin

Ministria e Financave ka publikuar sot treguesit paraprakë fiskalë për dy-mujorin e parë të vitit 2016.

 

Të ardhurat totale janë realizuar në masën 60.2 miliardë lekë ose afërsisht 586 milion lekë më shumë se plani 2 mujor i vitit 2016. Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” perfshire kontributet nga Sigurimet Shoqërore janë realizuar në masën 103% krahasuar me planin ose 1.3 miliard  lekë më shumë.  Krahasuar me 2 mujorin 2015 jane arkëtuar 9.2 miliard lekë më shumë ose +21%

 

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 5.56 miliard lekë, 27.55% më shumë se një vit më parë dhe 12.05% më shumë se plani. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së sasisë së cigares se importuar me 171 ton ose +69% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015 kur ndikoi krijimi i stokut në avancë nga kompanitë importuese për  shkak të rritjes së akcizës.

 

Rritje me 28% kanë shënuar karburatet dhe shumica e mallrave të akcizës. Të ardhurat nga renta minerale janë realizuar në vlerën 327 milion lekë, -20.63% krahasuar me 2 mujorin parë të vitit 2015 dhe -42% krahasuar me planin, të ndikuara nga rënia drastike e çmimit të naftës bruto në tregun ndërkombëtar. Megjithëse sasia e eksportit të naftës bruto u rrit me 6 mijë ton ose 66%,  të ardhurat nga renta u ulën me 56 milionë lekë në kushtet kur në 2 mujorin 2015, arkëtohej 3 lekë për litër ndërsa në 2 mujorin 2016, me  1.5 lekë  për litër. Efekti negativ do të ishte edhe më i lartë nëse nuk do të ndikonte rritja e kursit të këmbimit të USD kundrejt Lekut nga 120.7 në 126.4 lek, monedhë me të cilën kuotohet ky produkt në bursë.

 

Të ardhurat neto nga TVSH-ja janë realizuar në masën 100% e planit pas rimbursimit në vlerën e 1.3 miliard lekëve.  Ky rezultat është arritur në kushtet kur efektet e cmimit të ulët të karburanteve, të ardhurat nga TVSH për litër u ulën nga mesatarisht  25 lekë për liter në 21 lekë për litër si rezultat i rënies së cmimeve  të karburantit.

 

Të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin dhe të Ardhurat Personale janë realizuar përkatsisht 125% dhe 103%.  Ndikim kryesor tek ky rezultat ka patur rritja e ndergjesimit te taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve në import dhe zinxhirin e shitjeve. Kontributet e sigurimeve shoqërore janë realizuar 103% ndaj planit, ose 16% më shumë se 2 mujori 2015.

 

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 2 mujorin e vitit buxhetor 2016, arritën në rreth 50.2 miliardë lekë, me një realizim në masën 86% e planit të muajit shkurt, si rezultat i nj sërë faktorësh të pavarur sic janë procedurat në tenderime dhe parqitja e dokumentacioneve për të proceduar normalisht me investimet. Të dhënat paraqesin një kujdes të veçantë për të realizuar shpenzimet kapitale në raport me planin 2 mujor dhe nga ana tjetër për të ulur nivelin e shpenzimeve korrente në raport me eficencën e shtuar të administratës shtetërore.

 

Shpenzimet korrente paraqesin një realizim në raport me planin 2 mujor, prej 92% ose 48.5 miliardë lekë. Rishikimi i strukturave administrative të institucioneve publike, si dhe menaxhimi efektiv i kostos së personelit ka sjellë një trajtim të kujdeshëm të shpenzimeve për paga dhe gjithashtu përdorimit të fondit te veçantë. Gjithashtu, niveli i shpenzimeve publike dhe tejkalimi me 586 milion lekë në të ardhurat e planifikuara, është shoqëruar me një nivel sufiçit prej 9.9 miliard lekë, e për rrjedhojë, një pozitë më shumë të favorshme buxhetore.

 

Ky 2 mujor është shoqëruar me një kursim të shpenzimeve operative për mirëmbajtje përkatësisht 745 milionë lekë. Si rrjedhim impakti i reflektuar në sufiçitin e krijuar vjen si pasojë e politikës së kujdesshme në shpenzime të parashikuara për t’u ndërmarrë nga qeveria për vitin 2016. Kjo vjen në kuadrin e reformimit të një administrate që performon në mënyrë efiçente edhe duke ulur kostot e tepërta që kanë shoqëruar porceset e punës ndër vite dhe rënduar barrën buxhetore. Kjo politikë sigurisht që edhe në muajit në vazhdim do të synojë një zbritje të shpenzimeve korrente dhe rritje të atyre kapitale në mënyrë që të influencohet drejtpërdrejt ne nxitjen ekonomike të vendit.

 

Shpenzimet kapitalenë vijim të analizës së ecurisë së realizimit të investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj për 2 mujorin e vitit 2016 është realizim në masën 55% i atyre të planifikuara për 2 mujorin e vitit 2016. Në përgjithësi trendi i realizimit të këtyre shpenzimeve, është pothuaj i njëjtë në këtë periudhë të vitit nga të gjitha ministritë e linjës, si një efekt i fillim vitit dhe procesit të shtrirjes së mëvonshme të likujdimit të shpenzimeve për investime dhe paraqitjes me vonesë të situacioneve të punimeve për tu paguar.

 

Në treguesit fiksalë është reflektuar politika makroekonomike e qeverisë që synon uljen e defiçitit buxhetor dhe si rrjedhim nevojës për borxhin që e financon. Këto përfundime statistikore tregojnë qartë reagimin pozitiv të ekonomisë dhe reformave që kanë ndikuar drejtpërsëdrejti rritjen e parametrave të treguesve fiskale të buxhetit të konsoliduar. Gjithashtu është projektuar që ky trend gjatë projektbuxheteve afatmesme në vazhdim të ruhet, madje të thellohet konsolidimi i treguesve të saj.

Burimi: Tabela e Treguesve fiskal mujor (DPB), MoF (2016);

 

Të rejat e fundit