Postuar më: 18/04/2016

Thjeshtimi i procedurave, Ministri Ahmetaj fton sipërmarrjen për sugjerime

Në kuadër të aksionit kundër informalitetit, Ministri i Financave z. Arben Ahmetaj i është drejtuar sot me një letër Dhomave të Tregtisë dhe përfaqësuesve të komunitetit të biznesit në vend, ku i fton të japin sugjerimet e tyre për thjeshtimin e procedurave tatimore dhe doganore.

 

Letra e plotë e Ministrit:

Të nderuar,

Ministria e Financave ka prezantuar fazën e dytë të aksionit kundër informalitetit në ekonomi. Sikurse jeni njohur tashmë edhe publikisht, qasja jonë kundër informalitetit bazohet në katër shtylla kryesore që përfshijnë strategjinë afatgjatë, planin operacional, thjeshtimin e procedurave dhe fushatën e edukimit dhe informimit të sipërmarrjes.

Përmes kësaj letre dëshiroj së pari të ripërsëris dhe njëherë angazhimin tonë për t’i dhënë përgjigje një prej shqetësimeve të sipërmarrjes për të mos aplikuar më ndryshime në nivelin e taksave. Së dyti, dëshiroj t’ju informoj se në Ministrinë e Financave është ngritur grupi teknik i punës me fokus të veçantë rishikimin dhe thjeshtimin e procedurave tatimore dhe doganore në kuadër të paketës së re fiskale.

Me bindjen që informaliteti është një sfidë e përbashkët e qeverisë dhe sipërmarrjes dhe me synimin për të rritur pajtueshmërinë e biznesit dhe forcimin e kulturës së pagimit të taksave përmes vetë-korrigjimit të përgjegjësisë tatimore, jeni të lutur të na ndihmoni me ide, sugjerime dhe rekomandime konkrete në kuadër të thjeshtimit të procedurave dhe lehtësimit të kushteve të të bërit biznes në vend.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me sipërmarrjen dhe në zbatim të angazhimit tonë për transparencë maksimale në komunikimin me ju, jeni të lutur të dërgoni propozimet tuaja brenda datës 20 qershor 2016, në adresën:  Joinformalitetit@financa.gov.al

Duke ju falenderuar paraprakisht për kontributin tuaj.

 

 

 

Të rejat e fundit