Postuar më: 16/06/2016

Themelohet Confindustria Albania, Ministri Ahmetaj: “Shqipëria, treg interesant e në rritje. Përmirësimi i klimës së biznesit, betejë e rëndësishme që vazhdon”

U themelua sot Shoqata e industrialistëve italianë në Shqipëri “Confindustria Albania”, në një aktivitetet të organizuar nga Ambasada Italiane ku morën pjesë Kryeministri z. Edi Rama, Ambasadori Italian Alberto Cutillo, Ministri i Financave Arben Ahmetaj, Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi dhe zv. Presidenti i Confindustrias z. Edoardo Garrone.

Në fjalën e tij Ministri Ahmetaj u shpreh se ndonëse vonë, ky është sërish një moment shumë i mirë për të zgjedhur Shqipërinë, pasi ekonomia shqiptare ka hyrë në rrugën e pakthyeshme të rritjes së qëndrueshme ekonomike ndërsa tregu vendas është një treg interesant që ofron oportunitetet dhe u mundëson investitorëve kthimin e investimit.

Ministri u ndal tek fakti se që nga viti 2013 në Shqipëri jane regjistruar rreth 1300 sipërmarrje italianë, ndërsa vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2016, më shumë se gjysma e bizneve të reja të regjistruara në total, janë nga Italia.

Z. Ahmetaj bëri gjithashtu një prezantim të nismave që po ndërmerren në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit dhe të procedurave të thjeshtuara të përfshira në paketën e re të prezantuar vetëm disa ditë më parë.

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj

Së pari dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri, ju uroj suksese dhe jam i bindur që brenda një kohe të shkurtër do të gjeni veten si në shtëpinë tuaj.

Do t’i shfytëzoj pesë minutat e fjalës sime për të ndarë me ju disa momente të rëndësishme që lidhen me klimën e biznesit në Shqipëri dhe në përgjithësi me atë që po ndodh me konsolidimin e rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qendrueshëm.

Në të njëjtën kohë do të dëshiroja të ndaja gjithashtu me ju një statistikë shumë shpresëdhënëse, që flet për tregun shqiptar si pjesë e tregut të rajonit, por dhe një zgjatim i tregut Italian dhe patjetër frytdhënës për kompanitë italiane, vetëm në dy vitet e fundit janë  gati 1300 kompani italiane të regjistruara rishtaz dhe së fundmi Indeksi i punësimit, që është një kënaqësi e veçantë ta ndaj me ju, tregon që papunësia është në rënie megjithëse pjesëmarrja në  forcën e punës është rritur dhe rënie të ndjeshme ka dhe papunësia tek të rinjtë.

Të gjitha këto janë elementë që tregojnë për drejtimin e duhur të ekonomisë shqiptare dhe ndërkohë ne jemi shumë koshient, që çdo ditë do të duhet të punojmë nga pak, për të përmirësuar imazhin e vendit dhe klimën e biznesit. Kjo është një betejë që nuk mbaron kurrë, sepse dhe pritshmëria e sipërmarrjes për sa i përket përmirësimit të klimës është e pafundme.

Së fundmi, Qeveria shqiptare, pas 25 vitesh, paraqet një paketë procedurash fiskale, që për mendimin tim personal përbën një revolucion në marrëdhënien e administratës me sipërmarrjen. Dua t’ju përmend shumë shpejt disa nga elementët, është heqja e TVSh për makineritë dhe pajisjet; është rimbursimi automatik i TVSh-së për eksportuesit brenda 30 ditësh dhe e kemi ndryshuar logjikën e eksportuesit, jo më vetëm ata që e kanë 100% xhiron në eksport, por edhe ata që janë deri në 50%, rimbursim automatik që i shërben 60% të ndërmarrjeve të eksportit, pra një kërcim nga 12% në 60% e bizneseve që e përfitojnë; shërbim automatik për ndërmarrjet e eksportit dhe shkurtimi i kohës së regjistrimit dhe çregjistrimit, e cila ka qenë kuptohet, një problem i përmendur nga sipërmarrja.

Në të njëjtën kohë paketa proceduriale heq përfundimisht atë frikën e 25 viteve që ka sipërmarrja ndaj burokracisë abuzive, nëpërmjet mundësisë për vetëkorrigjim për 5 vite dhe njoftimit të kontorllit nga ana e fiskut 45 ditë në avancë dhe shumë elementë të tjerë, të cilët e bëjnë realisht tregun shqiptar një treg jashtëzakonisht shumë interesant, më interesantin patjetër në Ballkan dhe patjetër, tregun që ka mundësi t’i kthejë mbrapsht sipërmarrjes italiane por dhe gjithë sipërmarrjeve investimin e tyre, sepse më duhet t’ju përmend atë që thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar, risku i kësaj ekonomie në tre vitet e Qeverisë Rama ka rënë nga 83 % nën 70% në konceptin e Bordit, pra në dy vite, risku është ulur nga maja të frikshme në nivele normale dhe vazhdon të bjerë për shkak të reformave.

Unë me kaq po e mbyll, ju uroj mirëseardhjen dhe besoj se pas jush do të vijnë të regjistrohen shumë e shumë ndërmarrje italiane në vazhdim.

Faleminderit!

Të rejat e fundit