Postuar më: 12/10/2019

Tetori gjerman-Ministrja Denaj: Mbështetja gjermane e rëndësishme në ekonomi dhe integrim

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Anila Denaj, mori pjesë në aktivitetet e zhvilluara me rastin e “Tetorit gjerman” nga Ambasada Gjermane në Tiranë. Ministrja ishte e pranishme në ceremoninë e çeljes së panairit të hapur për të prezantuar punën e GIZ në Shqipëri, tema e të cilit është “Talente dhe ide për të ardhmen e Shqipërisë”.

Në fjalën e saj të rastit, Ministrja Denaj vlerësoi bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen që qeveria Gjermane i ka dhënë dhe i jep vendit tonë. Ky bashkëpunim, tha znj. Denaj, është mbështetur në dy shtylla komplementare, bashkëpunimin financiar dhe bashkëpunimin teknik, ku mbështetja është dhënë në projekte të ndryshme në fushën e energjetikës, infrastrukturën sociale, por edhe në fusha të tjera të ekonomisë, si bujqësia apo turizmit.

“Janë më shumë se 1 miliardë euro dhe pothuajse më shumë se 200 milionë asistencë teknike, të cilat përfshijnë të gjithë këto fusha që përmenda më lart. Fokusi i bashkëpunimit teknik që prezantuar edhe sot në këtë panair është mbështetja e shoqërisë shqiptare në rrugën e integrimit evropian dhe kjo është një perspektivë e dëshiruar nga të gjitha palët. Sigurisht bëhet me mbështetjen e të gjithë aktorëve dhe ju falënderoj shumë për temën e zgjedhur për këtë panair, “Talente dhe ide për të ardhmen e Shqipërisë”, sepse në fakt ky panair i takon të rinjve dhe ata do ta çojnë përtej nesh të gjithë procesin e nisur”, u shpreh znj. Denaj.

Qeveria gjermane ka mbështetur me projekte të ndryshme zhvillimin e arsimit profesional në vendin tonë. Ministrja shprehu falënderimet e saj për këtë mbështetje dhe pohoi se në drejtim të arsimit profesional ka ende shumë për të bërë. Edhe pse sot ka 35 shkolla të arsimit profesional dhe një rritje të numrit të nxënësve që zgjedhin të arsimohen në këto shkolla, nga 14 mijë katër vite më parë në gati 20 mijë për këtë vit, Ministrja Denaj informoi se MFE është duke punuar mbi një strategji, e cila do të fokusohet në një përshtatje më të madhe të punësimit me arsimin profesinal, si dhe për një qasje tjetër në dëgjimin e zërit të biznesit lidhur me arsimin profesional.

“Investimi në shkollat profesionale është i larmishëm dhe ka nisur prej kohësh. Sot jemi të kënaqur që për katër vitet e fundit shohim një rritje të nxënësve në shkollat e arsimit profesional. Janë pothuajse 20 mijë që adresuan formimin e tyre në shkollat profesionale, nga 14 mijë që ishin katër vite më parë. Në këtë aspekt kemi punë për të bërë, si në aspekt të kurikulave, për të përmirësuar cilësinë e tyre dhe gjetjen e atyre cilësive profesionale që i vlejnë tregut të punës, por edhe infrastrukturës, në mënyrë që shkollat të jenë të përshtatshme dhe për arsimin dual, siç e përmendi z. Ambasador, pasi kuptohet që në arsimin profesional vetëm teoria nuk mjafton, por gërshetimi i teorisë me praktikën është shumë i rëndësishëm dhe i mësuar ai paralelisht, në stilin gjerman, është apo aq i vyer, sepse e kanë treguar me vepra që është i duhuri”, u shpreh Ministrja.