Postuar më: 15/01/2014

“Të hapur për rregullime të paketës fiskale”

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani takon Ambasadorin Kanadez, z.McGovern

 

Ministri i Financave, z.Shkëlqim Cani priti sot në zyrën e tij Ambasadorin e Kanadasë në Shqipëri (rezident në Romë), z.Peter McGovern. Ministri Cani falënderoi ambasadorin për mbështetjen e deritanishme të Kanadasë ndaj Shqipërisë dhe u ndal në fillim te programi i qeverisë shqiptare, duke theksuar faktin se, biznesi konsiderohet një partner i rëndësishëm strategjik. Ministri i Financave pranoi se me sipërmarrjen private duhet të ishin konsultuar më gjerësisht në lidhje me paketën fiskale, veçanërisht me investitorët strategjikë, por nga ana tjetër i shpjegoi ambasadorit kanadez situatën e vështirë në të cilën i gjeti financat e vendit dhe nevojën urgjente të një plani antikrizë: pagesa e borxheve të prapambetura.

Ministri i Financave u shpreh i gatshëm për të konsideruar çdo kërkesë të sipërmarrjes private, duke lënë të hapur mundësinë e rregullimeve të paketës fiskale, ndërsa theksoi se me rimbursimin e TVSH do të respektohet maksimalisht afati 60-ditor i pagesës nga Drejtoria e Thesarit.

Nga ana e tij, z.McGovern vuri në pah faktin që një nga kompanitë kanadeze është një ndër 43 tatimpaguesit më të mëdhenj në Shqipëri dhe afro 35% e eksporteve shqiptare vijnë nga investimet kryesore kanadeze. Ambasadori kanadez shprehu mirëkuptimin dhe mbështetjen për reformën fiskale të qeverisë së re, duke deklaruar se për çdo qeveri mbledhja e taksave është një detyrë e vështirë. Ambasadori shprehu gatishmërinë për të ndihmuar qeverinë në fushën e financave, e_governance.

Të rejat e fundit