Postuar më: 18/01/2014

Tatimorët, rol të rëndësishëm në sfidat e Qeverisë

Ekonomia shqiptare është ngadalësuar ndjeshëm vitet e fundit. Rritja reale në vitin 2013 është parashikuar të jetë vetëm 1.3 për qind, kurse në 2014 presim një përmirësim modest, me 2 për qind. Kërkesa e brendshme mbetet e dobët si pasojë e ngadalësimit të kreditimit dhe faturave të papaguara. Rritja ekonomike në vitet e fundit është mbështetur kryesisht në kërkesën e jashtme, por kontributi i saj ka qenë i kufizuar si pasojë e zhvillimeve të pafavorshme në eurozonë, sidomos në Itali dhe Greqi. Ekonomia është duke operuar nën potencialin e saj ndaj lind nevoja e gjetjes së rrugëve për të mbështetur rritjen ekonomike.

 

 

Hapësira e politikës fiskale është ezauruar. Nxitja e ekonomisë nëpërmjet rritjes së borxhit publik do ta vinte ekonominë përballë një rreziku akoma më të madh. Borxhi publik ka arritur një nivel jo vetëm të rrezikshëm por edhe të kushtueshëm. Shpenzimet e larta të interesit (sa gjysma e investimeve publike apo më shumë) zvogëlojnë hapësirën për shpenzime të tjera më produktive. Ndaj lind nevoja e gjetjes së rrugëve më efektive për mbështetjen e rritjes ekonomike. Përmirësimi i klimës së biznesit përbën një faktor të rëndësishëm për rritjen e investimeve. Qeveria është e angazhuar të ndërmarre një sërë masash afatshkurtra dhe afatmesme në këtë drejtim.

 

 

Paketa e re synon zgjerimi i hapësirës fiskale për të mbështetur sektorët prioritare të ekonomisë. Shqipëria karakterizohet ndër qeveritë më të vogla. Me gjithë meritat që ka mbajtja e një qeverie të vogël nevojat për të mbështetur zhvillimin ekonomik janë më të mëdha. Kjo do arrihet nëpërmjet kombinimit të masave administrative dhe politike taksash. Përmirësimi i administratës tatimore është kritik për zgjerimin e bazës së të ardhurave dhe rritjen e konkurrencës së ndershme. Mbledhja e të ardhurave vazhdon të vuaj nga niveli i lartë i informalitetit në ekonomi, duke rezultuar në një nga treguesit më të ulët të efikasitetit të taksave në rajon.

 

 

Përsa i përket ndryshimeve në politikën e taksave një pjesë e mirë e realizuar në harmonizim me direktivat e EU dhe duke ruajtur krahasueshmërinë me vendet e rajonit. Debati nuk duhet trajtuar në izolim, sa fiton x dhe sa humbet y, por në lidhje me arritjen e nivelit të duhur dhe cilësor të shërbimeve publike sidomos në arsim, shëndetësi, rend dhe infrastrukturë.

 

 

Përmirësimi i efikasitetit të Tatimeve nga ana juaj është kritik, për të përballuar sfidën që ka qeveria, duke nisur nga ky vit. Dua t’ju dërgoj mesazhin se kemi një barrë shumë të fortë për arritjen e zgjerimit të bazës tatimore, të paktën me 3 pikë përqindje që nuk është pak.

 

Nuk është e thjeshtë t’i thuash bizneseve që unë dua më shumë lekë nga ju dhe nga ana tjetër një pjesë e subjekteve të mos paguajnë.

 

Dhe këtu del një element tjetër i rëndësishëm i asaj që pritet nga Tatimet. Është ajo që bizneset duhet ta ndjejnë rritjen dhe që përmirësimi i rritjes së bazës tatimore bëhet e i barabartë dhe jo në mënyrën që tjetri paguan kurse tjetri paguan akoma e më shumë.

 

 

Është e rëndësishme të vendosen në balancë të gjitha këto sfida që kemi përpara për caktimin e ekuilibrit të ri për të frenuar ndaljen e rritjes ekonomike.

Keni detyrën më të rëndësishme në aspektin e saj që ne duam t’i japim rritjes ekonomike.

Të rejat e fundit