Postuar më: 14/04/2014

Tatimet, takim rajonal për “Minimizimin e evazionit fiskal”

U zhvillua sot në Tiranë, më 14 prill, konferenca rajonale “Minimizimi i evazionit fiskal”, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me mbështetjen e Ministrisë së Financave. Lufta ndaj evazionit fiskal nuk mund të japë rezultatin e dëshiruar në rast mungon bashkëpunimi me vendet e tjera, sidomos me ato të rajonit, ku edhe Shqipëria ka marrëdhënie të ngushta tregtare.

Në konferencë merrnin pjesë zv/ministri i Financave, z.Ervin Mete, Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, zj.Brisida Shehaj, përfaqësues të fiskut nga vendet e rajonit, si dhe nga institucionet vartëse të Ministrisë së Financave, si Parandalimi i Pastrimit të Parave, Doganat, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, etj.

 

Zv.ministri i Financave, z.Mete e vlerësoi me rëndësi bashkëpunimin mes administratave tatimore të rajonit dhe kërkoi rritje të mëtejshme të shkëmbimit të informacionit. “Ky bashkëpunim nuk do të sjell vetëm rritje të luftës ndaj evazionit fiskal, por nga ana tjetër na jep mundësi të identifikojmë më tej lehtësitë fiskale të nevojshme për sipërmarrjen private”, deklaroi z.Mete.

 

Takimi i sotëm do të pasohet me të tjera forume në nivel teknikësh pasi janë të nevojshëm për transmetimin e të dhënave në kohë reale dhe minimizimin e evazionit fiskal.

 

Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, zj.Shehaj bëri një ekspoze të shkurtër të punës 6-mujore në drejtim të luftës ndaj informalitetit, evazionit dhe denoncimeve në organin e akuzës. “Takime si ky na ndihmojnë për ngritjen e urave të forta të bashkëpunimit”, shtoi më tej Shehaj, duke ia lënë fjalën nëndrejtorit të Tatimeve, z.Xhavit Curri, i cili prezantoi me pika planin e masave antievazion.

 

“Beteja ndaj evazionit fiskal konsiderohet A-ja në luftën ndaj parandalimit të pastrimit të parave. Në vitin 2013, ky fenomen ishte i përhapur”, u shpreh Gent Gazheli, drejtor i përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave.

 

Në fund, diskutimet u ndalën te njohja dhe shkëmbimi i eksperiencës mes sistemit shqiptar të tatimeve dhe vendeve të rajonit. Takimet rreth kësaj teme do të pasohen në muajt e ardhshëm në forume të nivelit ministror nga vendet e rajonit.

Të rejat e fundit