Postuar më: 14/06/2016

Takimi i Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar

Në datën 14 qershor 2016, u zhvillua mbledhja e radhës e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në këtë mbledhje morën pjesë Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.

Sipas programit, në fillim të mbledhjes përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë paraqitën një vlerësim mbi ecurinë financiare dhe rreziqet për veprimtarinë e sektorit bankar mbështetur në të dhënat e muajit mars të këtij viti. Të pranishmit vlerësuan se situata financiare e sektorit bankar është e qëndrueshme ndërkohë që kreditimi në monedhën kombëtare dhe ecuria në tërësi e depozitave është në nivele të mira. Të pranishmit analizuan gjithashtu treguesit përkatës të rreziqeve për veprimtarinë bankare. Nga analiza rezultoi që nivelet e mira të kapitalizimit dhe të likuiditetit të sektorit bankar ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme ndaj rreziqeve të veprimtarisë bankare.

Në vijim, të pranishmit diskutuan mbi nevojën për të forcuar prirjen rritëse të përdorimit të monedhës vendase në ekonominë shqiptare dhe në sistemin financiar, si një instrument që përmirëson efektivitetin e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare dhe ul rreziqet për stabilitetin e sistemit financiar. Mbështetur edhe në rekomandimet e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe të atyre evropiane, GKSF sugjeroi shqyrtimin e përvojës së vendeve të tjera në këtë drejtim dhe vlerësimin mbi veprimet që mund të ndërmerren në afat të mesëm, në kushtet e ekonomisë shqiptare.

Duke iu referuar diskutimeve dhe konkluzioneve të mbledhjes së muajit janar të këtij viti, të pranishmit rikonfirmuan rëndësinë e monitorimit të platformave të tregtimit on-line dhe të bashkëpunimit ndërinstitucional, në mënyrë që publiku të njohë rreziqet e investimit në këto platforma dhe të orientohet vetëm drejt subjekteve të licencuara dhe të mbikëqyrura.  Më tej, të pranishmit bënë një vlerësim mbi disa aspekte konkrete të infrastrukturës financiare që mbështet bashkëveprimin midis bankave dhe institucioneve financiare jobankare sipas përcaktimeve ligjore.

Me mbylljen e diskutimeve në mbledhje sipas programit, drejtuesit e institucioneve pjesëmarrëse miratuan këtë njoftim për shtyp dhe autorizuan publikimin e tij.

Të rejat e fundit