Postuar më: 27/08/2019

Sqarim i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë

Në disa platforma të mediave sociale prej disa ditësh është hedhur dhe përpunuar lajmi-opinion sipas të cilit Ministria e Financave dhe Ekonomisë i paska falur kompanisë “Bankers Petroleum” penalitetin e vendosur nga autoriteti doganor, Dega Doganore Fier, në shumën 104 milion euro.

Lidhur me këtë, e konsiderojmë të nevojshme të sqarojmë opinionin publik, por edhe autorët mediatikë të lajmit, se ky informacion është i gabuar dhe i pasaktë pasi:

  1. Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) deri më sot, lidhur me këtë çështje, nuk ka marrë asnjë vendim administrativ për të “falur” këtë penalitet apo ndonjë penalitet tjetër të kësaj natyre, por në përputhje me parashikimet ligjore, është investuar për ezaurimin administrativ të çështjes paraprake, zgjidhja e të cilës është parakusht për zgjidhjen e procedurës dhe që përbën një çështje ligjore të pavarur.

 

  1. Vendimi i marrë nga Dega e Doganës Fier, për pezullimin e procedurës administrative të nisur ndaj operatorit ekonomik Bankers Petroleum Albania sipas ligjit nr. 61/2012 “Për akzicat në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar dhe ligjit nr. 44/2015, datë 30. 4. 2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, është kërkuar nga MFE në kushtet kur pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë janë administruar shkresat e operatorit ekonomik Bankers Petrolium Albania :
  • 659/1 prot., datë 12.06.2019 “Kundërshtime/observacione kundër kërkesës për marrjen e vendimit me nr.13659 datë 03.06.2019 dhe procesverbaleve përkatëse të njoftuara me shkresën nr. 3005/1 prot”;
  • 664/1 prot., date 18.06.2019 “Anulimin e shqyrtimit/procedimit administrativ filluar nga Autoritetet Doganore në lidhje me detyrimin e pretenduar të akcizës mbi nënproduktin e naftës (solar) përdorur si hollues gjatë operacioneve hidrokarbure”;

Ku nga shqyrtimi i të cilave rezulton se kemi të bëjmë me:

  1. një problem shumë të rëndësishëm dhe të ndërlikuar qoftë nga shifrat e konstatuar, qoftë nga shtrirja kohore e tij, apo edhe zhvillimet e mëparshme administrative/gjyqësore ndërmjet Administratës Doganore nga njëra ana si dhe Bankers Petrolium Albania ltd nga ana tjetër;
  2. kompleksitet dhe një volum të gjerë të çështjeve të ngritura që lidhen me specifikat dhe ndërlikimet që ato paraqesin, si dhe koha e shkurtër në dispozicion (sipas neneve 97, 98, dhe 99 të ligjit 61/2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, për trajtimin e kësaj çështje);

Si dhe, kur për këtë çështje janë investuar edhe Avokatura e Shtetit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe pritet një interpretim/vendim përfundimtar lidhur me dispozitat e ligjit

61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar;

Duke qenë se ligji nr.44/2015, datë 30. 4. 2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, në rrethana të tilla administrative dhe ligjore parashikon instrumentat ligjorë për të garantuar një zgjidhje të çështjeve paraprake përpara marrjes së vendimit përfundimtar, konkretisht në pikën 1 të nenit 66 të këtij ligji parashikohet:

66.1 Nëse organi publik që zhvillon procedurën përballet me çështje, zgjidhja e së cilës është parakusht për zgjidhjen e procedurës dhe që përbën një çështje ligjore të pavarur, për zgjidhjen e së cilës është kompetent një gjykatë ose organ tjetër (çështjet paraprake”), organi publik që zhvillon procedurën administrative pezullon procedurën deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë për çështjen paraprake dhe njofton palën në lidhje me këtë”;

U veprua me pezullimin e marrjes së vendimit përfundimtar nga ana e Degës Doganore Fier, deri në disponimin e një vendimi të formës së prerë për çështjet paraprake të ngritura, për të cilat përveç MFE është investuar edhe Avokatura e Shtetit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Pra, MFE nuk ka marrë asnjë vendim për “falje” apo “fshirje” penaliteti për operatorin ekonomik “Bankers Petroleum”, por në ushtrim të autoritetit dhe kompetencave brenda fushës së përgjegjësive shtetërore, në pajtim të plotë me parashikimet ligjore, në bashkërendim procedurial me autoritetet doganore, ka kryer veprime juridike me efekte të përkohshme pezulluese administrative.

MFE në trajtimin e çështjes është udhëhequr nga parimet administrative të sanksionuara në Kodin e Procedurave Administrative për mbrojtjen e interesit publik dhe atij privat dhe në mënyrë të veçantë është kujdesur për moslejimin e cënimit të interesave ekonomike të shtetit, por edhe për zbatimin sa më rigoroz të parimit të ligjshmërisë, forcimit të klimës së besimit tek shteti ligjor dhe sigurisë juridike për investitorët.