Postuar më: 01/02/2020

S&P konfirmon vlerësimin në “B+” dhe perspektivën “të qëndrueshme”

Në rishikimin më të fundit të saj, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+” si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”.

Ky vlerësim bazohet në pritshmëritë e S&P për një rritje të qëndrueshme ekonomike gjatë periudhës afat-mesme, vijimin e mbajtjes nën kontroll të deficitit buxhetor dhe uljes së borxhit publik. Agjensia vlerëson se në vitin 2019 deficiti buxhetor ishte në përputhje të plotë me targetin prej 1.9% të PBB, pamvarësisht se u godit nga një tërmet në tremujorin e fundit. Edhe zgjerimi i lehtë i deficitit në 2019 krahasuar me atë të vitit 2018 (1.6%), reflekton kryesisht rritjen e fortë të pagesave të rimbursimit të TVSH, e rrjedhimisht një performancë më të ulët se sa plani i të ardhurave neto nga taksat.

Agjensia pret një rritje të përkohshme të deficitit në vitin 2020 në nivelin 2.2% të PBB, duke qenë se qeveria do punojë intensivisht për ri-ndërtimin pas tërmetit, si dhe njëkohësisht do të vijojë me pastrimin e detyrimeve të prapambetura.

Në vitet  më tej, agjensia projekton që deficiti buxhetor do të vijojë të reduktohet gradualisht përgjatë horizontit kohor afatmesëm. Ajo projekton se borxhi publik neto do të bjerë poshtë nivelit prej 60% të PBB deri në vitin 2022, në ndjekje të rregullit fiskal  më afat-gjatë të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit për reduktimin e borxhit publik poshtë nivelit prej 45% të PBB.  Në këtë aspekt, ecuria mund të jetë edhe më e mirë në sajë të përpjekjeve të autoriteteve për të përmirësuar administrimin e mbledhjes së të ardhurave.

Agjensia vlerëson se autoritetet po vijojnë përpjekjet aktive për të përmirësuar profilin e borxhit publik, për të vijuar rritjen e maturitetit të tij, ulur risqet e rifinancimit dhe ato të kursit të këmbimit. Në këtë aspekt, edhe pse agjensia nuk sheh ndonjë pengesë për huamarrje të sektorit publik në tregun e brendshëm, vlerëson dhe pret që qeveria do vijojë të shohë për mundësi më të mira për të marrë hua në tregjet e huaja të cilat ofrojnë maturitete afat-gjatë.

Agjenda e reformave  të qeverisë do të vazhdojë  për të siguruar qëndrueshmëri ekonomike, përmirësim të  jetës së qytetarëve  dhe klimës së biznesit në vend.