Postuar më: 27/05/2019

Skema IDEA-Grant, mbështetje sipërmarrjeve të reja, rreth 25 milionë lekë për 43 përfitues

Është zhvilluar sot ceremonia e ndarjes së granteve të skemës IDEA-Grant, në kuadër të projektit ProSEED, i cili është një bashkëpunim mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe GIZ.

Projekti mundëson mbështetje financiare për fillimin e biznesit përkatësisht në vlerën 4.000 € për projekte individuale dhe 7.000 € për projekte në grup.

Për periudhën Shtator 2018-Prill 2019 janë përzgjedhur 43 përfitues të granteve në skemën IDEA-Grant, nga 137 aplikime që kanë qenë në total, nga të cilat 110 kanë kaluar në kontroll administrativ.

Shuma totale e granteve të akoroduar për 43 Përfitues të IDEA-Grant është rreth 25 milionë lekë, ndërkohë që idetë e biznesit i përkasin fushave të Turizmit, Digital Marketing/Shitje, Agro përpunim/shërbime ushqimore, ICT, Artizanat,  Bujqësi, Shërbime të tjera.

E pranishme në aktivitetin promovues të IDEA-Grant ishte dhe Zv.Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Belinda Ikonomi, e cila vlerësoi mbështetjen që ky projekt jep për nxitjen e krijimit të bizneseve të reja në vendin tonë.

Shtylla e dytë e projektit ProSEED ka në fokus rritjen e punësimit nëpërmjet zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla, të mesme, dhe sipërmarrjeve të reja në fusha të ndryshme të ekonomisë.

Dhënia e grantit të aspirantëve për sipërmarrës (Skema IDEA- Grant)

do të mbështesë sipërmarrësit aspirantë dhe ekzistues në Shqipëri, bazuar në një proces konkurrues. Shuma totale e buxhetuar për këtë shtyllë është e barabartë me 500.000 euro. Qëllimi i shtyllës së dytë të programit është që të ofrojë grante me objektivin, që të ofrohen deri në 110 grante për sipërmarrësit aspirues  dhe bizneset ekzistuese, duke përfshirë një përqindje prej 40% për gratë dhe të paktën 20% për emigrantët e kthyer, si dhe krijimin e vendeve të reja pune. Skema bazohet në një proces konkurrues, gjatë të cilit aspirantët sipërmarrës do të aplikojnë për dhënien e granteve.