Postuar më: 24/05/2016

Shqipëria e ka lënë pas krizën! Oportunitete për investimet e huaja direkte!

U organizua sot Konferenca “Dialogu i Nivelit të Lartë për Klimën e Biznesit dhe Tërheqjen e Investimeve të Huaja në Shqipëri”

Takimi u moderua nga Ministri i Financave z. Arben Ahmetaj dhe u organizua në formën e një paneli diskutimi me të ftuar Kryeministrin z.Edi Rama, Ministren e Zhvillimit Ekonomik znj. Milva Ekonomi, përfaqësuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar z. Jens Reinke, Drjetoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë znj. Tahseen Sayed dhe dy përfqësues të investitorëve të huaj në vend, z. Andi Ballta nga  Banka Amerikane e Investimeve, e hapur vetëm përpara disa muajsh dhe z.Shkëqlim Bozgo, përfaqësues i TAP, një nga investimet më të rëndësishme në rajon dhe në Shqipëri, që në 3 muajt e fundit ka filluar operacionet intensive edhe në terren.

Në fjalën e hapjes Ministri Ahmetaj vecoi disa fakte mbi ekonominë shqiptare të lidhura me klimën e biznesit.

“Jemi në fazën e dytë të zhvillimit ekonomik brenda mandatit të parë të kësaj Qeverie dhe tani që gjërat janë normalizuar pas gjithë asaj beteje për të frenuar rënien ekonomike, pas gjithë asaj beteje për të frenuar atë shkatërrim që po sillte situata energjitike në vend, pas gjithë atyre reformave tejet të domosdoshme, sot mund të themi drejtëpërsëdrejti se kemi lënë mbrapa krizën ekonomike dhe kemi kaluar në fazën e dytë të zhvillimit ekonomik, e cila patjetër kërkon një fokus më të madh në përmirësimin e klimës së biznesit, betejë e cila është perpetum, pra e përhershme dhe është e domosdoshme që të krijojmë gjithashtu një mesazh të balancuar për imazhin e vendit dhe për ato që kemi bërë, ato që nuk i kemi bërë akoma dhe ato që do të duhet të bëjmë akoma” – tha Ministri Ahmetaj.

“Do të doja të ndaja me ju dy statistika, të cilat janë tejet interesante për zhvillimet e fundi të ekonomisë. Vetëm në katër mujorin e parë të vitit 2016, janë regjistruar në QKB 499 biznese të reja të huaja, që është një lajm shumë i mirë. Në vitin e kaluar ky numër ishte pak mbi 1000 , pra në katër muajt e para janë realizuar gati gjysma e numrit që kemi pasur vitin e kaluar. Me gjithë vështirësitë e veta, me gjithë atë mesazh të miksuar për klimën e biznesin, bizneset e huaja e kanë Shqipërinë në qendrën e vëmendjes dhe numrat e tyre tregojnë që patjetër që Shqipëria ofron fitimin, ofron oportunitetin, sigurisht që ofron dhe sfidën dhe statistika që dua të ndaj me ju që besoj është e re për ju dhe e them jo pa qëllim, që ky është tremujori i tretë ku konsumi në total, qoftë privat, por kryesisht privat, rritet. Dua të ndaj me ju këtë statistikë nga BSH për tremujorin e tretë të vitit 2015, për tremujorin e katërt të vitit 2015 dhe me të gjitha gjasat dhe tremujori i parë i vitit 2016, pra kemi tre tremujorë konsekutiv ku konsumi rritet në vazhdimësi” – tha Ahmetaj.

Ministri u nda gjithashtu tek investimet e huaja direkte, për të cilat u shpreh se viti 2015 ka qenë vit rekord i tërheqjes së investimeve.

“Ka pasur një debat midis vitit 2013 dhe vitit 2015 që gjej rastin ta sqaroj. Viti 2013 në shifrën e vet ka pasur të përfshirë edhe privatizimet, pra edhe shitjen e aseteve që me definicion të OECD nuk duhet të përfshihen në investimet e huaja direkte. Shifra pak më pak se 900 mln për vitin 2015 është e konsiderueshme, por është akoma larg potencialit që mund të tërheqë ekonomia. Ne me Bankën Botërore dhe FMN jemi në një Program tre-vjeçar, program i cili na ka mbështetur jo vetëm nga ana financiare, por na ka mbështetur në të gjitha reformat tona të vështira, por të domosdoshme.

Lidhur me modelin e ri ekonomik në vend. Ministri tha se ndërtimi ka përfunduar si gjenerator zhvillimi në industri dhe tashmë ekonomia ka kaluar nga aktivitetet me vlerë të shtuar të ulët, në aktivitete me vlerë më të lartë të shtuar.

“Gjatë periudhës 2 vite e gjysëm të qeverisë, janë krijuar 173 mijë vende të reja pune, e megjithëse papunësia e Shqipërisë është më e ulët se e Rajonit, prapë ajo është e lartë dhe sfida e papunësisë është e lidhur drejtpërsëdrejti me rritjen ekonomike.

Më vjen shumë mirë që ndajmë të njëjtin mendim me FMN dhe Bankën Botërore që e kemi lënë mbrapa krizën dhe ndërkohë dy statistika domethënëse, vlera e shtuar në ekonomi në tremujorin e parë është rritur 10.8% dhë më në fund kredia konsumatore ka gjetur rritje 2-shifrore, gati 12% dhe kredia korporative sapo ka filluar të dalë nga stanjacioni” – u shpreh Ministri.

Në vijim të diskutimeve për klimën e biznesit Ministri Ahmetaj u ndal tek nisma e Ministrisë së Financave për lehtësimin dhe thjeshtimin e procedurave tatimore në kuadër të hartimit të paketës fiskale.

“Patjetër që Qeveria, Kryeministri ka deklaruar se nuk ka rritje taksash, nuk ka ndryshim taksash. E vetmja paketë fiskale që ne kemi vendosur të inciojmë është thjeshtimi i procedurave tatimore dhe doganore dhe kemi ftuar sipërmarrjet zyrtarisht dhe publikisht që deri në 20 Qershor të na sugjerojnë,  komentojnë ndryshimet që do të duhet të bëjmë në paketën e re fiskale të procedurave. Mund t’ju përmend dy prej tyre, e para ka të bëjë me kontrollet tatimore, të cilat lajmërohen minimalisht 1 muaj përpara dhe e dyta është e drejta e sipërmarrjes për t’u vetëkorrigjuar pa asnjë penalitet. Besoj se ndoshta që këtë javë, Kryeministri do të shpallë edhe aplikacionin e ri të “Tatimpaguesit dixhital”, i cili do të vazhdojë komunikimet me Tatimet dhe Doganat dhe me Ministrinë e Financave. Ka katër kategori që ju mund t’i referoheni : Pyetje, Sugjerime, Denoncime dhe Informacion, pra kemi kaluar në fazën e dytë të informalitetit që përsa i përket shifrave dhe përsa i përket kulturës që jemi duke injektuar, ka përmirësim të menjëhershëm. Vetëm në dy javë Tatimet kanë komunikuar me 30 mijë mesazhe elektronike të fokusuara, të targetuara për të alertuar sipërmarrjet që të përmirësojnë përgjegjësinë e tyre tatimore dhe një lajm të mirë tjetër që dua ta ndaj me ju është që TIA mendohet që të shpërndajë përpara shitjes përfundimtare divident tek aksionerët e vet gati 15 mln euro nga operacionet në këtë vend, që rezulton shumë interesant megjithë problemet që ka”.

Të rejat e fundit