Shqipëria dhe Kosova nënshkruan marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati. Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes u zhvillua pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në qytetin e Elbasanit.
Ministrja Ibrahimaj shprehu kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes me Kosovën në fushën e sigurimeve shoqërore dhe vlerësoi rëndësinë e saj jo vetëm për të tashmen, por edhe për brezat e ardhshëm në të dy vendet.
Në bazë të marrëveshjes, qytetarët e të dy vendeve do të mund të përfitojnë nga përfitimet për barrë lindje; nga përfitimet që merren në raste të aksidenteve në punë për ata që janë të punësuar, si dhe nga pensionet e pleqërisë, të invaliditetit apo pensionet familjare në të dyja vendet.
“Vitet e fundit numri i të punësuarve është rritur, si nga ana e shtetasve shqiptarë që punojnë në Kosovë, ashtu edhe nga ana e shtetasve të Kosovës që vijnë e punojnë në Shqipëri. Kjo marrëveshje që nënshkruajmë sot pikërisht lehtëson akoma më tej procedurat, njeh periudhat e sigurimit të tyre, me qëllim që qytetarët nga të dy vendet të mund të përfitojnë”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë të vendosur mes dy vendeve në dy muajt e fundit, jo vetëm për arritjen e marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, por edhe për rezultatet e arritur në fushën e tregtisë mes dy vendeve, të cilat do të lehtësojnë bizneset që operojnë në të dy vendet.
“Kemi marrë hapa shumë të mirë për uljen e numrit të skanimeve, që ishte një përgjegjësi që morëm gjatë takimit të fundit, dhe jam e bindur se takimi i sotëm që do të kemi në vijim me bizneset do të vlerësojë tre Akte që u firmosën nga drejtorët e doganave dhe të gjithë lehtësimet që kemi ndërmarrë në dy muajt e fundit”, tha Ministrja.
Sipas Ministres, edhe marrëveshjet e firmosura për lehtësimin dhe njehsimin e procedurave të lejeve të qëndrimit me lejet e punës dhe shkurtimin e procedurave për njohjen e diplomave mes dy vendeve janë parakushte që krijojnë lehtësira për të punësuarit në të dy vendet.
Nga ana e tij, Ministri i Financave, Punës dhe Transefereve i Kosovës, Hekuran Murati, tha se nënshkrimi i marrëveshjes me Ministren Ibrahimaj nxit më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Dua të përgëzoj vullnetin politik për t’i çuar përpara këto marrëveshje. Marrëveshja për sigurimet shoqërore është me rëndësi, pasi nuk mund të kishte një treg të përbashkët pune, për të punuar në të dy anët e kufirit, pa pasur një marrëveshje për sigurimet që e kompleton këtë proces dhe përfitues të drejtpërdrejtë janë qytetarët e të dy vendeve nga sigurimet shoqërore”, tha Murati.
Marrëveshja mundëson që të ketë eksportim të pensioneve dhe bashkim të periudhave, në mënyrë që të sigurohet një pension sa më dinjitoz për të gjithë personat që kanë pasur mundësinë të punojnë në të dy anët e kufirit.
Negociatat mes Shqipërisë dhe Kosovës për nisën në vitin 2020 dhe kaluan në dy raunde. Ato përmbyllën procesin e hartimit dhe miratimit të marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore në datat 18-19 Nëntor, në Prishtinë. Marrëveshja do të hyjë në fuqi në muajin e tretë pasi palët të bëjnë njoftimin reciprok të ratifikimit të saj.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2023 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.