Postuar më: 16/02/2015

Shqipëria dhe Kosova, kufi virtual për tranzitin e mallrave

Shqipëria dhe Kosova inagurojnë një korridor të përbashkët tranziti të mallrave. Dy administratat doganore, pas diskutimeve dhe testimeve përkatëse, kanë mundësuar përdorimin e ndërsjelltë të sistemeve informatike, në mënyrë që procedura e tranzitit të kryhet vetëm një herë.

Ditën e hënë, më 16 shkurt 2015, në Doganën e Morinës, me praninë e dy Kryeministrave, të Shqipërisë Z. Edi Rama dhe të Kosovës Z. Isa Mustafa, është inauguruar “Korridori i Tranzitit të Përbashkët Shqipëri-Kosovë”. Në këtë event, kanë qenë të pranishëm Ministri i Financave të Shqipërisë Z. Shkëlqim Cani, Ministri i Financave të Kosovës Z. Avdullah Hoti, Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Znj. Elisa Spiropali dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës Z. Lulzim Rafuna.

Tranzitimi i mallrave është një rregjim pezullues doganor që mundëson kalimin e mallrave nga një pikë doganore hyrëse në një zyrë doganore destinacioni, duke pezulluar detyrimet e importit nën mbikëqyrjen doganore. Me inaugurimin e “Korridorit të Tranzitit të Përbashkët” mes Shqipërisë dhe Kosovës, të gjitha tranzitet e çelura në territorin doganor shqiptar do të mbyllen në doganat e destinacionit kosovar, duke evituar kështu ndalesat në kufi për ribërje procedurash, dhe anasjelltas, ato tranzite që hapen në Territorin Doganor të Kosovës, do të mbyllen në doganat e destinacionit shqiptar, njësoj sikur të kishim vetëm një doganë dhe jo dy.

Kjo ka qënë një procedurë që normalisht zgjaste deri në dy ditë, ose dhe më shumë për shkak të garancive financiare, por nga sot në doganën e Morinës dhe Vërmicës do të zgjasë jo më shumë se 5 minuta.

Kjo risi në fushën e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovën shpejton lëvizjen e mallrave, shkurton kohën e qëndrimin të tyre në doganë, redukton kostot për biznesin dhe në pikëpamjen doganore e kthen kufirin Shqipëri-Kosovë në një kufi “virtual”.

Në këtë ceremoni e mori fjalën  në fillim Kryeministri i Kosovës Z. Isa Mustafa.  “Është një kënaqësi e veçantë për mua që të jem sot këtu, të inagurojmë një marrëveshje të përbashkët, e cila është arritur në takimin e përbashkët të dy qeverive në Prizren. Besoj se kjo marrëveshje do të vazhdojë edhe më tutje si rezultat i përpjekjeve dhe marrëdhënieve tona shumë të forta, të cilat i kemi ndërtuar dhe do t’i ndërtojmë edhe në të ardhmen. Bashkëpunimi ynë ekonomik i pasuar edhe në fushat e tjera do të jetë shprehje e lidhjes sonë, shprehjes e mosekzistimit të kufijve mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe shprehje e synimeve tona për tu integruar në Bashkimin Europian dhe familjes europiane”, tha Z. Mustafa.

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, z. Mustafa theksoi më tej se  nga kjo procedurë e thjeshtuar: “do të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, do të përfitojnë bizneset në radhë të parë, do të kemi efiçencë në fushën e tatimeve dhe doganave, sepse do të bëhet shumë më efiçente procedura e zhdoganimit”.

“Qëllimi i këtij projekti nuk është vetëm që të ulim kohën e zhdoganimit, por gjithashtu edhe të ulim kostot nga e cila do të përfitojnë bizneset në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe qytetarët, të cilët do të konsumojnë mallra me çmime më të ulëta”,- përfundoi fjalën e tij Kryeministri i Kosovës Z. Isa Mustafa.

Ndërkohë, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, e vlerësoi këtë projekt si një hap të rëndësishëm drejt bashkimit doganor.

“Sot është një ditë e shënuar sepse hedhim një hap të rëndësishëm përpara, drejt bashkimit të synuar doganor. Është një ditë e shënuar, sepse i japim fund një kapitulli vonesash, pengesash dhe ndonjëherë edhe zvarritjesh për sipërmarrjen që punon në të dyja anët e kufirit dhe që ka shumë nevojë për këtë pikë shërbimi, jo për t’u vonuar, por për ta pasur si pikë kalimi pa asnjë vonesë kohe dhe burokracie”, tha z. Rama.

“Nga sot nuk janë më dy ditë, dhe ndonjëherë dhe më shumë se dy ditë, vonesat për të kaluar mallin nga njëra anë në tjetrën, por mjaftojnë vetëm 5 minuta. Dhe që kufijtë janë pika bashkimi dhe jo vija ndarjeje, hapësira mundësish dhe jo mundësi për pengesa të shtuara, kjo ka qenë bindja jonë që kur u angazhuam në një bashkëudhëtim përtej kufijve për bashkimin kombëtar dhe europian me Kosovën”, theksoi Kryeministri i Shqipërisë.

“…tranziti i mallrave mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është më tranzit ndërkombëtar, siç konsiderohej deri dje, por është bashkim i zyrës doganore dhe faktikisht një zyrë e vetme doganore për dy vendet tona. Nuk është kosto e dyfishtë kohe dhe as kosto e dyfishtë parash, nuk është dy lloje garancish dhe disa lloje procedurash, por është një procedurë e vetme në një rrjet të dhënash dixhitale që përbashkon në një rrugë dy sistemet e të njëjtës gjuhë”,- theksoi z. Rama.

Kryeministri ka bërë të ditur gjithashtu se projektet e konkretizuara deri më tani vijnë si rezultat i marrëveshjeve nga mbledhja e parë e qeverisë e mbajtur në Prizren.

Të rejat e fundit