Postuar më: 19/07/2019

Shqipëri-Kroaci, forcohet bashkëpunimi dhe marrëdhëniet në fushën ekonomike

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj.Anila Denaj, priti sot në një takim Ministrin e Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Zejtarisë të Kroacisë, z. Darko Horvat, i cili zhvilloi një vizitë dy ditore në Shqipëri, i shoqëruar nga delegacioni i tij dhe më shumë se 40 sipërmarrës kroatë.

Pas bisedimeve, Ministrja Denaj dhe Ministri Horvat ministrat nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi mes palëve.

Ministrja Denaj konfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Shqipërisë, ndërsa shprehu besimin se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve kanë potencial të madh për tu zhvilluar.

Ministrja shprehu mbështetjen e qeverisë shqiptare për projektet rajonale infrastrukturore tashmë të nisura në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si korridori blu Adriatik-Jon apo me gazsjellësin Adriatiko-Jonian, të cilët janë projekte që do të mundësojnë një infrastrukturë më dinamike mes dy vendeve, si dhe do të krijojnë lehtësi më të madhe për sipërmarrësit shqiptarë dhe kroatë për të bashkëpunuar.

Në deklaratën për mediat pas takimit të dy delegacioneve, Ministrja Denaj tha se Memorandumi i Bashkëpunimit përcakton bashkëpunimin mes palëve, me synim të ndihmojë biznesin për një ndërlidhje më të mirë. “Është një angazhim për të riparë shumë nga procedurat tona për të lehtësuar të bërit biznes. Ky është angazhimi ynë për të vazhduar bashkëpunimin, si në kontekst forumesh, në marrëdhënie dypalëshe ashtu edhe në vizita të ndërsjellëta”, u shpreh znj. Denaj.

Ministri Kroat i Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Zejtarisë, z. Darko Horvat, i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shprehu besimin se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve mund të dyfishohen në muajt e ardhshëm, ndërsa theksoi se investitorët kroatë pjesëmarrës në Forumin Ekonomik mes dy vendeve shprehën interes për të investuar në Shqipëri.

Gjithashtu, z. Horvat shprehu mbështetjen e Kroacisë në rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. “Dëshira ime për Republikën e Shqipërisë është që sa më shpejt të hapë kapitujt për bisedimet me Bashkimin Europian dhe që në një të ardhme sa më të afërt të jetë anëtare e barabartë me të gjithë shtetet e tjera, që janë momentalisht anëtare të Bashkimit Europian. Në këtë frymë bashkëpunimi, qeveria e Republikës së Kroacisë është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë administrative, teknike në përmbushjen e çdo kriteri, për arritjen e këtij qëllimi”, u shpreh z. Horvat.

Fjala e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj:

Jemi këtu së bashku me homologun kroat, z. Darko Horvat, Ministër i Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Zejtarisë, i cili na ka nderuar në këtë vizitë dy ditore në Shqipëri, së bashku me delegacionin e tij dhe më shumë se 40 sipërmarrës kroatë që kanë ardhur të shikojnë mundësinë e bashkëpunimit me sipërmarrës shqiptarë, dhe jo vetëm.

Në dy ditët e fundit kemi organizuar takime bilaterale mes disa ministrive, por edhe marrëdhënie bashkëpunimi të sipërmarrësve kroatë dhe atyre shqiptarë, në Forumin Ekonomik që u zhvillua ditën e djeshme.

Në radhë të parë ju falënderojmë për prezencën në Shqipëri.

Së dyti, ju falënderojmë për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Shqipërisë. Shprehemi besimplotë se këto marrëdhënie do të kalojnë në një nivel tjetër, në atë të një zhvillimi ekonomik potencialisht më të lartë sesa ai i sotëm dhe ky Forum Ekonomik dhe forume të tjera ekonomike në të ardhmen janë në mbështetje të këtyre objektivave.

Gjithashtu, qeveria shqiptare, me politikat mbështetëse ndaj biznesit, kërkon të ndihmojë dhe zhvillime të tjera infrastrukturore. Shprehemi në mbështetje të të gjitha projekteve të nisura tashmë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke filluar me Korridorin Blu Adriatik-Jon, me gazsjellësin Adriatiko-Jonian, të cilët janë projekte që do të mundësojnë një infrastrukturë më dinamike mes dy vendeve, si dhe do të krijojë lehtësi më të madhe për sipërmarrësit shqiptarë dhe kroatë për të bashkëpunuar.

Ne sot nënshkruam një Memorandum Bashkëpunimi mes dy palëve dhe ky është një angazhim më i madh mes të dy ministrive për të mbështetur sipërmarrësit, për të lehtësuar procedurat, si dhe për të krijuar një klimë më të mirë.

Edhe njëherë faleminderit që jeni në Shqipëri dhe shpresojmë në një bashkëpunim sa më të plotë në të ardhmen.

Fjala e Ministrit kroat të Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Zejtarisë i Kroacisë, z. Darko Horvat:

Në fillim të kësaj konference dëshiroj të falënderoja Ministren e Financave dhe Ekonomisë, ambasadorët për organizimin e Forumit që ishte shumë i frytshëm, si dhe ministrat e tjerë shqiptarë që ishin të gatshëm për bashkëpunim sa më të frytshme mes dy shteteve tona. E që të gjitha këto u reflektuan në përfundimet që u diskutuan sot me znj. Ministre, për hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë në të ardhmen.

Qeveria e Kroacisë dhe qeveria e  Shqipërisë nuk kanë çështje të hapura dhe ky është një tregues i mirë i partneritetit tonë afatgjatë. Meqenëse bashkëpunimi ynë ekonomik tashmë ka filluar, do të donim ta vazhdonim edhe në të ardhme, për ta çuar në sa më të lartë. Unë besoj se shifrat e shkëmbimeve tregtare që janë shënuar në 4-mujorin e parë të vitit 2019 të mund të dyfishohen, e të veprojmë së bashku në aspektin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe.

Në bisedimet me ministrat në këto dy ditë kemi arritur në përfundimin se të dy ekonomitë tona kanë praktikisht të njëjtat problematika. Kroacia ka një përparësi konkurruese. Kroacia përdor fondet europiane si një shtysë në zhvillimin e vendit. Dëshira ime për Republikën e Shqipërisë është që sa më shpejt të hapë kapitujt për bisedimet me Bashkimin Europian dhe që në një të ardhme sa më të afërt të jetë anëtare e barabartë me të gjithë shtetet e tjera, që janë momentalisht anëtare të Bashkimit Europian. Në këtë frymë bashkëpunimi, qeveria e Republikës së Kroacisë është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë administrative, teknike në përmbushjen e çdo kriteri, për arritjen e këtij qëllimi.

Besueshmëria mes dy qeverive tona, mes dy shteteve, mes dy popujve, ndër vite është në nivelin e duhur, por atë ne duhet ta rrisim edhe në aspektin e ekonomik. Në dy ditët e Forumit Ekonomik mes dy vendeve morën pjesë më shumë se 40 sipërmarrës, të cilët shprehën interes për të investuar së afërmi në Republikën e Shqipërisë.

Përfundimi i këtij Forumi dhe i dy ministrive tona është që këtë bashkëpunim ekonomik ta zhvillojmë më tej dhe si kurorëzim është memorandumi që u nënshkrua.

Besojmë që shkëmbimi ekonomik që kemi pasur në katër mujorin e 2019-ës duhet të dyfishohet deri në fund të këtij viti  dhe jam i bindur që kjo do të ndodhë, ndoshta edhe më shumë. Gjithashtu, shpreh gatishmërinë e qeverisë së Republikës së Kroacisë për të ofruar ndihmë administrative, teknike, në çdo lloj aspekti, për t’u siguruar edhe sipërmarrësve që të bëjnë punën e duhur, që të lidhin të dyja tregjet tona që në të ardhmen të kemi marrëdhënie sa më të mirë edhe në aspektin ekonomik.

Kemi marrë për detyrë që në të ardhmen të organizojmë edhe Forumin e Biznesit në Zagreb, në Koracisë, prandaj ju ftoj edhe një herë znj.Ministre që të merrni pjesë dhe të zhvillojmë marrëdhëniet tona ekonomike më tej.

Pyetjet e gazetarëve gjatë deklaratës për median:

Zonja Ministre a mund të na jepni më shumë detaje se cili është qëllimi i këtij Memorandumi dhe për cilët sektorë është shprehur interes respektivisht nga investitorët e të dyja palëve?

Ministrja Denaj: Në fakt marrëveshja sot është një marrëveshje kuadër, e cila përcakton bashkëpunimin mes ministrive për të ndihmuar biznesin, për t’u ndërlidhur më mirë me njëri-tjetrin. Është një angazhim gjithashtu edhe për të riparë shumë nga procedurat tona për të lehtësuar të bërit biznes, është angazhimi ynë për të vazhduar bashkëpunimin si në kontekst forumesh, ashtu edhe në marrëdhënie bilaterale, në vizita të ndërsjellëta.

Ne besojmë që kemi shumë për të mësuar nga përvoja e Kroacisë, për proceset para integruese, në mënyrë që të përmirësojmë hapat tona dhe për ta avancuar këtë integrim sa më herët.

Fushat kryesore ku synohet bashkëpunimi janë kryesisht: energjia, transporti, turizmi dhe farmaceutika, por kjo nuk do të kufizohet vetëm këtu, do të varet nga interesat e bizneseve të dy vendeve tona. Ne duam ta bëjmë më dinamik komunikimin mes palëve dhe të ndihmojmë bizneset. Dëshiroj të falënderoj dhe Dhomat e Tregtisë të vendeve respektive, të cilat mundësuan këtë Forum Ekonomik dhe shpresojmë që mbështetja e tyre në të ardhmen të jetë e vazhdueshme.

Z.Horvat, nga kontaktet që ju keni me sipërmarrjen tuaj, a ka interes investimi në Shqipëri dhe cilat janë avantazhet?

Ministri Horvat: Në dy ditët e fundit kemi pasur takime në katër ministri të ndryshme dhe mund të themi që realisht kemi konkretizuar bashkëpunime të ardhshme në 3-4 segmente të ndryshme në tregun shqiptar. Dëshirojmë që të rrisim akoma më shumë shkëmbimet tregtare mes dy vendeve tona. Ne jemi të gatshëm të punojmë që në të ardhmen të balancojmë akvitetet tona në aspektin ekonomik.

Ne jemi të gatshëm që jo vetëm të rrisim shkëmbimet tregtare, por dhe t’i bëjmë sa më të qëndrueshme sipërmarrjet që do të duan të investojnë në Shqipëri, kjo do të ndihmonte që të kemi marrëdhënie sa më të mira ekonomike dypalëshe.