Postuar më: 03/06/2016

Shqipëri – Kosovë, nënshkruhen marrëveshjet në fushën e Financave.

I nderuar Kryeministër Mustafa,

I nderuar Kryeministër Rama,

Të nderuar kolege dhe kolegë të dy qeverive

Memorandumi i Mirëkuptimit për Forcimin e Bashkëpunimit mes Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë, në këndvështrimin tim përbën një dokument të rëndësishëm mbi bazën e të cilit u hartua Plani I veprimit për zbatimin, i cili përfshin domosdoshmërisht fusha të rëndësishme si lufta kundër ekonomisë informale; Organizimi i njësive të përbashkëta hetimore dhe ngritja e Qendrës së përbashkët të trajnimeve.

Marrëveshja e Bashkëpunimit ndermjet autoriteteve tatimore dhe doganore të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në fushën e hetimeve administrative dhe hetimeve tatimore dhe doganore, rregullon bashkëpunimin në fushën e hetimeve penale dhe administrative mes institucioneve të fushës së tatimeve dhe doganave të autoriteteve  të të dy vendeve. Ajo harmonizon dhe çështjen e këmbimit të informacionit mes dy palëve, me qëllim pasurimin e proceseve hetimore, si dhe rrritjen e kapaciteteve të hetimit në të dy krahët.

Marrëveshja për Krijimin e Qendrës së përbashkët të trajnimeve – ka si qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale të institucioneve fiskale të Shqipërisë e Kosoves dhe shkëmbimin e përvojave të të dy anëve të kufirit.

Harmonizimi i çmimeve referente të transportit rregullon përfshirjen e shpenzimeve të transportit rrugor, hekurudhor, detar, ajror në vlerën doganore të mallrave të importuara dhe krijohet mundësi më e madhe e aplikimit të vlerës së transaksionit dhe deklarimit të këtyre shpenzimeve përmes akteve dokumentare, përbën një hap përpara dhe në qartësimin e atyre procedurave të cilat kanë qenë deri më atëherë, të paqarta.

Janë njehsuar 20 certifikata midis AKU dhe AUV të Republikës së Kosovës.

Një element shumë i rëndësishëm për te përshpejtuar tranzitin doganor. Ka përfunduar dakordësimi i çmimeve të references për produktet fruta-perime, kanë përfunduar procedurat për  terminalin e përbashkët doganor, një hap tejet i rëndësishëm për lehtësimin e tregtisë midis dy vendeve , si dhe integrimi së fundmi i asigudës  duke bërë të mundur tranzitin e shumëkërkuar të përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Ndërkohë Krijimi i kanalit të gjelbër për eksport/ importin e produkteve sezonale/ bujqësore. Ministria e Financave shqiptare ka nxjerrë dy udhëzime:  i pari për zhdoganimin tek subjekti grumbullues për produkte bujqësore dhe blegtorale drejtpërsëdrejti, dhe i dyti, ofrimi i shërbimeve të agjensive doganore  24 orë gjatë 7 ditëve të javës për eksport- importin e produkteve bujqësore kryesisht me Kosovën.

Këto janë pak nga ato shumë arsye pse sot tregjet tona janë shumë afër me njëri –tjetrin dhe volumi tregtare ka kaluar tek 200 mln euro, ndërkohë që Kosova është kthyer në një nga partnerët tanë kryesorë në tregti.

Probleme kemi disa për të zgjidhur, që do të bëjnë një hap akoma më të rëndësishëm në totalin e tyre dhe unifikimit të tregjeve.

Është rishikimi i tarifave në terminale, që është një çështje e mbartur besoj.  Bizneset shqiptare paguajnë tarifën e terminaleve doganore akoma rreth 40 Euro. Në takimin e disa ditëve më parë me ministrin Hoti, ne kemi rënë dakord ta shqyrtojmë këtë çështje nga ana kosovare, ndërkohë që bizneset Kosovare paguajnë koston e skanimit rreth 22 Euro.

Ndërkohë po punohet për eleminimin e kontrolleve të dyfishta nga AKU dhe AUV, të cilat i bëjnë bizneset e të dy anëve, të harxhojën diku më shumë se një orë, në normalitet, në kufi.

Kemi rënë dakord që ta kthejmë Doganën e portit të Durrësit shumë shpejt, në një doganë të përbashkët edhe për tregun Kosovar. Nepermjet ketij hapi dhe tranzitit te perbashket, do të bëjmë realitet pikërisht atë që kufiri i Morinës për entitetet, subjektet kosovare në aspektin doganor të mos ekzistojë fare, pra të bëjnë  zhopganimin direkt në Durrës  dhe të përfundojnë mallrat direkt në tregun kosovar.

E fundit është rritja e përdorimit të shkëmbimit elektronik për të përshpejtuar transaksionet tregtare dhe identifikimi i shfrytëzimit të mundësive për një përdorim më të gjerë të tyre, qe do të bëjë të mundur gjithashtu që administratat të tërhiqen nga vizibiliteti dhe të shërbejnë përtej mureve nëpërmjet platformave elektronike.

 

Faleminderit!

Sot në Prishtinë, për Mbledhjen e Përbashkët të dy qeverive, u nënshrkuan dy marrëveshje të rëndësishme në fushën e Financave.

Të rejat e fundit