Postuar më: 30/09/2022

Shqipëri-BE, zhvillohet mbledhja e 14 e Nënkomitetit për Ekonominë, Çështjet Financiare dhe Statistikat

Nënkomiteti për Ekonominë, Çështjet Financiare dhe Statistikat mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian zhvilloi mbledhjen e tij të 14-të, në Tiranë, ku pala shqiptare kryesohej nga zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Adela Xhemali.

Në këtë mbledhje u diskutua mbi një sërë çështjesh lidhur me zhvillimet ekonomike dhe financiare të Shqipërisë.

Pala shqiptare njohu përfaqësuesit e Bashkimit Europian mbi zhvillimet kryesore më të fundit të ekonomisë së vendit dhe parashikimet për vijimësinë e saj; situatën makroekonomike dhe zhvillimet në tregun e punës; zhvillimet fiskale dhe parashikimet për to, me fokus në implementimin e buxhetit të vitit 2022 dhe në borxhin publik të vendit; rezultatet e konsultimit për strategjinë afatmesme të të ardhurave, si dhe tiparet kryesore të draft kuadrit buxhetor dhe fiskal afatmesëm 2023.

 

Në fjalën e saj, Zëvëndësministrja Xhemali vlerësoi se nënkomiteti ECOFIN, është padyshim një nga platformat kryesore të dialogut dypalësh midis Komisionit Evropian dhe Shqipërisë, i cili do të monitorojë progresin në një nga fushat shumë kyçe të integrimit në BE.

Znj Xhemali bëri një paraqitje të situatës makro-financiare të ekonomisë  sonë, dhe duke iu referuar efekteve të krizës, së shkaktuar nga konflikti Rusi-ukrainë,  u shpreh se “për sa i përket zhvillimeve të financave publike, situata tashmë është plotësisht nën kontroll dhe ne mbetemi mjaft vigjilentë për ta monitoruar në mënyrë të vazhdueshme dhe për të parashikuar probleme të ndryshme që mund të dalin dhe për të përgatitur skenarë alternativë përshtatjeje përpara se të ndodhin”.

Ajo informoi mbi  masat e marra nga qeveria në mbështetje të qytetarëve dhe biznesit, për minimizim e efekteve  negative dhe rritjes së inflacionit. Sipas saj, për sa i përket objektivave kryesore të politikës fiskale, sigurisht,  MFE mbetet plotësisht të përkushtuar për të vazhduar konsolidimin fiskal, duke synuar uljen e vazhdueshme të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, në përputhje të plotë me rregullin tonë fiskal të frenimit të borxhit dhe synimin e kalimit sërish në një bilanc primar pozitiv duke filluar nga viti i ardhshëm.

 

Gjatë kësaj mbledhjeje diskutimet u përqendruan në zhvillimet me te fundit ekonomike dhe perspektiven, politiken fiskale, politikën monetare dhe sektorin financiar në Shqipëri; lëvizjen e lirë të kapitalit,

përmirësimin e funksionimit të ekonomisë së tregut, ku një vëmendje të veçantë zunë masat e ndërmarra kundër informalitetit dhe implementimi i Programit të Reformave Ekonomike; forcimi i konkurrueshmërisë së ekonomisë, me fokus në zhvillimet infrastrukturore, menaxhimin dhe planifikimin e investimeve publike, si dhe promovimin e investimeve private; Kontrolli i Brendshëm Financiar Publik dhe Auditimi i Jashtëm; Menaxhimi i Financave Publike; si dhe Statistikat në Republikën e Shqipërisë.

 

Shqipëria tashmë ka hyrë në një proces të rëndësishëm, pas hapjes së negociatave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në procesin e Integrimit Europian, Ministria e Financave dhe Ekonomisë drejton 13 kapituj dhe 2 kapituj me bashkënegocim, nga 33 kapituj gjithsej, si dhe Kriterin Ekonomik.