Postuar më: 07/02/2019

Rritja ekonomike e Shqipërisë, parashikimet janë pozitive

Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Elton Haxhi u shpreh gjatë një interviste për televizionin Vizion Plus, se Shqipëria është vendi kryesues në rajon për rritjen ekonomike, me kontributin kryesor eksportet, ku zërat kryesorë janë bujqësia, energjia dhe shërbimet, turizmi dhe investimet në infrastrukturë.
Zv.ministri Haxhi analizoi raportin e fundit të FMN për Shqipërinë, i cili konfirmon një rritje ekonomike prej 4.2% për vitin 2018, dhe ka theksuar, se “ne përputhje dhe me evidentimet në raportet e mëparshme të parashikimeve të bëra nga Banka Botërore, ne kryesojmë në rajon për rritjen ekonomike, duke u renditur lehtësisht më lart se Serbia dhe Kosova”. Ajo që vlen të theksohet është, se rritja e Shqipërisë vazhdon të mbetet e fortë dhe parashikimet për një periudhë afatmesme janë pozitive duke ruajtur trendin e rritjes, i cili luhatet rreth 4%.
I pyetur mbi detyrimet e prapambetura ndaj kompanive, z. Haxhi tha, se një pjesë e këtij borxhi ka lidhje me procese gjyqësore apo me vendime gjykate të paekzekutuara, të cilat janë akumuluar ndër vite dhe vijnë si pasojë e shkeljes së procedurave administrative nga paraardhësit apo dhe administrata aktuale. Megjithatë, qeveria ka një plan strategjik dhe një plan për adresimin që në vitin 2014 të detyrimeve të prapambetura. “Nga shuma totale prej 200 mln euro, 70 mln lidhen me pushtetin vendor dhe i takon bashkive të adresojnë shlyerjen e këtij borxhi” , tha Haxhi.
Lidhur me shqetësimet mbi ndryshimet e shpeshta të politikave apo vendimeve që lidhen me taksat dhe sugjerimit për të mos aplikuar përjashtime nga taksat për turizmin, agroturizmin, etj., Zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë theksoi, se raporti në fakt rekomandon që qeveria apo administrata tatimore të përmirësojë performancën duke rritur të ardhurat që vijnë nga administrimi. “Sipas FMN dhe sipas nesh, lehtësimi i barrës fiskale të biznesit në tërësi me anë të incentivave të dhëna në sektorë privatë si turizmi, agroturizmi dhe bujqësia ka rezultuar në uljen e të ardhurave, të cilën ne mendojmë se do ta kompensojmë me mënyrën e administrimit. Risku i evidentuar nga FMN qëndron në faktin që qeveria dhe organi tatimor duhet ta respektojë këtë plan mirëadministrimi që të arrijë nivelin e parashikuar të të ardhurave”, tha ai.