Postuar më: 23/03/2016

Rishikimi i shtate i programit me FMN, ekonomia shqiptare vijon rritjen e qendrueshme

U mbyllën sot bisedimet e qeverisë shqiptare dhe Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në kuadër të rishikimit të shtatë të Marrëveshjes së Fondit të Zgjeruar për Shqipërinë.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp mes Ministrit të Financave z. Arben Ahmetaj, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko dhe Shefes së Misionit të FMN për Shqipërinë znj. Anita Tuladhar, palët ndanë me mediat dhe publikun, konkluzionet kryesore të arritura gjatë dy javëve të diskutimeve.

Lidhur me ecurinë e programit, palët ndajnë qendrimin e përbashkët se qeveria shqiptare i ka zbatuar të gjithë parametrat e paracaktuar duke përmbushur të gjithë kriteret e përformancës.

“Në vecanti, performanca e të ardhurave në buxhet në muajt e parë të vitit 2016, ka qenë në përputhje me pritshmëritë tona, madje ato të ardhura të cilat kanë impakt direkt në deficit, kanë performuar më mirë se sa plani respektiv” – tha Ministri Ahmetaj në fjalën e tij.

Rritja ekonomike në vitin 2015 është rikonfirmuar në nivelin 2.7% ndërsa për vitin 2016, palët janë në linjë me projeksionet për një rritje prej 3.4%.

“Për vitin 2016, ekonomia pritet të shënojë një rritje reale 3.4% e mbështetur kryesisht nga përmirësimi i konsumit të brendshëm, rritja e flukseve të investimeve të huaja direkte, dhe një ambient më i favorshëm për sektorin privat, për të financuar projektet e tyre të investimit” – vijoi Ministri.

Ai u ndal gjithashtu tek impakti i reformave në ekonomi, që kanë filluar tashmë të clirojnë dhe do thellojnë hapësira të mëdha në buxhet, të cilat do të ndihmojnë si në uljen e borxhit ashtu edhe në rritjen e shpenzimeve produktive në buxhet.

“Përveç masave dhe reformave të deritanishme që kanë ulur ndjeshëm rreziqet e borxhit publik,  në të ardhmen përpjekjet për konsolidimin fiskal do të fokusohen kryesisht në reduktimin e informalitetit dhe evazionit fiskal, në përmirësimin administrativ të të ardhurave dhe zgjerimin e bazës, si dhe në të njëjtën kohë mbajtjen nën kontroll të shpenzimeve, sidomos atyre jo-produktive dhe rritjen e hapësirave për shpenzimet e tjera produktive për ekonominë.” – theksoi z. Ahmetaj.

Reforma kundër informalitetit, e lancuar në shtator 2015, do të ridimensionohet me një qasje të re në Ministrinë e Financave, përmes hartimit të një strategjie të avancuar, që e adreson fenomenin qoftë në aspektin e politikave afatgjata, ashtu edhe përmes vazhdimit të planit të detajuar të aksionit në terren, duke i rifokusuar përpjekjet në segmentet me risk të lartë, në përputhje me strategjinë e menaxhimit të riskut dhe rritjes së disiplinës së pagesës së taksave.

Shefja e Misionit të FMN Tuladhar, në fjalën e saj u shpreh se “Ekipi i FMN-së pret që rimëkëmbja ekonomike të vazhdojë, ku rritja e PBB-së parashikohet të arrijë 3.4 për qind në vitin 2016, mbështetur kryesisht nga investimet e huaja të drejtpërdrejta në sektorin energjetik dhe nga kërkesa konsumatore që po rritet gradualisht. Inflacioni pritet të mbetet i ulët në rreth 1.9 për qind, duke reflektuar një rënie të çmimeve të naftës, trysni globalisht jo inflacioniste dhe prodhimin që vazhdon të jetë nën potencial”.

“Buxheti i vitit 2016 synon të arrijë një sufiçit primar prej 0.3 për qind të PBB-së, ndërkohë që vazhdon puna për konsolidim fiskal. Një risk për buxhetin përbëjnë mungesat e mundshme në realizimin e të ardhurave buxhetore për shkak të rënies së çmimeve të naftës, prandaj u sugjerohet autoriteteve shqiptare ta ndjekin nga afër këtë çështje dhe të miratojnë masat e duhura, sipas nevojës. Për të ruajtur në kohë konsolidimin fiskal, do të jetë i nevojshëm zgjerimi i bazës tatimore dhe përmirësimi i përmbushjes së detyrimeve tatimore nga ana e subjekteve” – tha Tuladhar.

Ndërsa Guvernatori Sejko vlerësoi se ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet në një trajektore pozitive zhvillimi.

“Rritja ekonomike u përshpejtua më tej gjatë vitit 2015, mbështetur nga zgjerimi i investimeve dhe nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me partnerët e huaj. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik gjatë kësaj periudhe u ndihmua, ndër të tjera, edhe nga politika monetare dhe masat mbikëqyrëse e rregullatore të Bankës së Shqipërisë, të cilat kanë ndikuar në reduktimin e kredive me probleme dhe në përmirësimin e shëndetit financiar të sektorit bankar” – tha Guvernatori.

“Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare do të vijojë të ketë një përmirësim progresiv gjatë dy viteve në vazhdim. Por ajo përballet me një sërë faktorësh frenues të jashtëm dhe të brendshëm, prandaj mbetet thelbësore vazhdimi i kombinimit të politikës monetare stimuluese me politikën fiskale konsoliduese, zbatimi pa vonesë i planit të masave për trajtimin dhe zgjidhjen përfundimtare të kredive me probleme, si dhe përshpejtimi i reformave strukturore, sidomos në plotësimin e infrastrukturës, në përmirësimin e klimës së biznesit, në zgjerimin e njohurive  dhe në përmirësimin e tregut të punës” – theksoi z. Sejko.

 

***

Bordi Ekzekutiv i FMN-së pritet të diskutojë për shqyrtimin e shtatë të EFF-së në maj 2016. Aprovimi i shqyrtimit do të mundësonte lëvrimin e 28.65 milion SDR (rreth 35.94 milion euro). Programi 36-mujor në formë EFF-je për Shqipërinë është miratuar më 28 shkurt 2014

 

 

Të rejat e fundit