Postuar më: 10/12/2014

Rinis procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura

Ministria e Financave rinis shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të programuara për vitin 2014. Pas raportit paraprak të auditimit të procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura nga kompania”Ernst & Young” dhe miratimit nga FMN, ka rinisur procesi i pagesave të këtyre detyrimeve sipas fondeve të alokuara nga Ministria e Financave.

Në kuadër të strategjisë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, deri më datë 05 dhjetor 2014, Ministria e Financave ka alokuar rreth 35 miliardë lekë detyrime të prapambetura aq sa është edhe plani i parashikuar për vitin buxhetor 2014. Të ndara sipas kategorive ato janë: (i) “Investimet publike” janë alokuar 9.5 miliardë lekë, (ii) “Shpenzimeve korente për mallra dhe shërbime” janë alokuar rreth 6 miliardë lekë, (iii) “Rimbursimit të TVSH” janë alokuar rreth 13.4 miliardë lekë dhe kategorinë (iv) “Të tjera” ku përfshihen detyrimet për “Vendimet Gjyqësore” janë alokuar rreth 3.8 miliardë lekë, “Shpronësimet” janë alokuar rreth 400 milionë lekë dhe “Personat me Aftësi të Kufizuara” janë alokuar rreth 2.3 miliardë lekë.

Në lidhje me rimbursimin e TVSH, pas rakordimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Ministria e Financës ka proceduar me listën e subjekteve për detyrime që i takojnë periudhës deri më 31 dhjetor 2013, subjekte për të cilat ka alokuar rreth 13.4 miliardë lekë.

Duke qenë se jemi drejt mbylljes së vitit buxhetor 2014, në mënyrë që fondet e alokuara të shkojnë tek përfituesi final brenda muajit dhjetor, Ministria e Financave u bën thirrje të gjithë individëve dhe subjekteve private, të verifikojnë listat e detyrimeve të çelura dhe të publikuara në web-sitin e Ministrisë (të hedhura në Thesaret përkatëse) dhe nëse janë pjesë e tyre të paraqiten sa më shpejt pranë institucioneve përkatëse me të cilin kanë marrëveshjen kontraktuale për procedim të mëtejshëm.

 Në web-sitin e Ministrisë së Financave gjeni listat e publikuara në kuadër të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura.

 

Të rejat e fundit